6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Demarkacioni me Malin e Zi si Kalë i Trojës nga Serbia

Më të lexuarat

Jusuf Thaçi

 

Nëse Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi hyn në fuqi pa u bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare, atëherë pas këtij insistimi qëndron Serbia.
Më 25 prill 2016, profesor Enver Hasani pati publikuar një kumtesë me titullin “Caktimi i kufijve të Kosovës është kryesisht çështje e të drejtës ndërkombëtare”, ku i bën një trajtim problemit të demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi nga këndvështrimi i të drejtës ndërkombëtare.
Kjo kumtesë u publikua në kuadër të një seminari të organizuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës me temën “Kufijtë në të drejtën ndërkombëtare: kontestimi dhe njohja”.
Megjithëse ky ishte një diskurs krejt i ri në lidhje me këtë problem dhe ngriti aspekte të reja e të rëndësishme, nuk iu kushtua fare vëmendje dhe nuk u publikua në media, ndoshta dhe për faktin që ishte elaborat shumë i gjatë dhe i ngarkuar me terminologji profesionale.
Prandaj, duke konsideruar që është shumë me rëndësi që kjo çështje të problematizohet dhe të debatohet publikisht, përmes këtij shkrimi do të mundohem që idetë dhe mesazhet esenciale të kësaj kumtese të profesor Hasanit t’i paraqes me një gjuhë të thjeshtë e laike për publikun e gjerë (pa pretenduar pronësinë e idesë).
Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare dhe për t’u bërë e plotfuqishme dhe e zbatueshme duhet të ratifikohet nga kuvendet e të dy vendeve. Pas kësaj, kjo marrëveshje bëhet detyrim ndërkombëtar për të dy shtetet në fjalë.
Deri te çdo marrëveshje e detyrim ndërkombëtar duhet të vihet para së gjithash bazuar në parimet, normat e ligjet ndërkombëtare
Andaj, logjikisht, deri te çdo marrëveshje e detyrim ndërkombëtar duhet të vihet para së gjithash bazuar në parimet, normat e ligjet ndërkombëtare, e jo në “burimet e dokumentet juridike” lokale.
Por, fatkeqësisht, me rastin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi, edhe komisionet përkatëse shtetërore, edhe nivelet politike qeveritare, edhe ekspertët e përfshirë e edhe diskursi publik kanë marrë parasysh vetëm aspektet gjeografike, topografike, hartografike, gjeodezike, kadastrale, etj., dhe kanë injoruar plotësisht parimet e normat e të drejtës ndërkombëtare, të cilat në fakt do të duhej të ishin bazë për përcaktimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Malit të Zi.
Andaj, Marrëveshja ekzistuese për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi del të jetë e papranueshme edhe si formë e procedurë e rrjedhimisht edhe si përmbajtje e produkt.
Se e drejta ndërkombëtare do duhej (ende duhet) të jetë bazë për përcaktimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Malit të Zi, kjo dëshmohet me dy argumente të fuqishme:
Argumenti i parë
Parimet, normat e ligjet e të drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufijve mes shteteve ekzistojnë pikërisht për të siguruar përcaktim të saktë dhe të drejtë të kufijve ndërkombëtarë mes shteteve, në mënyrë që asnjëra palë (shtet) të mos dëmtohet padrejtësisht, as qëllimisht as aksidentalisht.
Pikërisht për këtë ekzistojnë gjykata e arbitrazhe ndërkombëtare, të cilat tashmë kanë krijuar precedentë të shumtë në të drejtën ndërkombëtare, ku me rastin e përcaktimit të kufijve mes shteteve, gjithmonë merret si pikënisje bazë gjendja e trashëguar e kufijve të njëjtë administrativë që ka pasur një vend në momentin e fitimit të pavarësisë dhe transformimi i tyre në kufij ndërkombëtarë (rregulli ‘uti possidetis juris’).
Por, ky rregull pothuajse gjithmonë kombinohet me kritere tjera që mundësojnë zbatimin e ligjit ndërkombëtar me drejtësi dhe ndershmëri (rregulli ‘equity’) duke marrë parasysh konfiguracionin e terrenit, interesat e popullsisë lokale, interesat ekonomike të zonës si tërësi, statusi i posedimit (me mirëbesim apo me keqbesim) në të kaluarën para caktimit definitiv të kufirit administrativ bazë si kufi ndërkombëtar, si dhe konsiderata të tjera kontekstuale.
Në rastin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi nuk është përfillur fare e drejta ndërkombëtare
Në rastin e arritjes së Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi nuk janë përfillur fare këto parime, norma, rregulla, ligje e precedentë (të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare) të të drejtës ndërkombëtare.
Por pothuajse gjithçka është bazuar vetëm në dokumente ligjore lokale (kryesisht dëshmitë kadastrale) dhe ekspertizë të mangët e teknike vendore (kryesisht gjeografë, topografë e gjeodetë) që assesi nuk garantojnë demarkim të saktë dhe të drejtë të kufijve mes shteteve.
Argumenti i dytë
Nëse Kosova e ratifikon Marrëveshjen ekzistuese për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, e cila nuk bazohet në parimet, normat, rregullat, ligjet e precedentët e të drejtës ndërkombëtare – përmes të cilave do të sigurohej demarkim i saktë dhe i drejtë i kufirit – atëherë Kosova bëhet vendi i parë nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia që lejon që kadastri të përdoret ekskluzivisht si bazë e vetme për demarkacion (jo për delimitim).
Me këtë, Kosova krijon një precedent, të cilin do të detyrohet ta zbatojë edhe me rastin e demarkimit të kufirit me Serbinë në të ardhmen (meqë vetë Serbia do të insistojë në këtë). Kjo është tmerrësisht e rrezikshme për Kosovën, sepse autoritetet kosovare (tash shteti i pavarur i Kosovës) nuk kanë pasur kontroll mbi librat kadastralë që prej vitit 1989 e deri më 17 shkurt 2008 (kur Kosova është bërë shtet).
Për më tepër, pothuajse të gjithë librat kadastralë të territorit të Kosovës (sigurisht jo pa qëllim) janë marrë nga Serbia me rastin e përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe për vite të tëra institucionet e Kosovës as që kanë pasur qasje në këto dokumente (edhe sot e kësaj dite Kosova nuk disponon me të gjitha librat kadastralë, sepse ato mbahen në Serbi).
Gjendja e territorit të Kosovës në librat origjinalë kadastralë është saktësisht siç e ka përcaktuar Serbia
Thënë më thjesht, gjendja e territorit të Kosovës në librat origjinalë kadastralë është saktësisht siç e ka përcaktuar Serbia, tërësisht jashtë kontrollit, qasjes dhe dijenisë së institucioneve të Kosovës. Kur kësaj i shtohet fakti që Serbia është armiqësore dhe ka pretendime territoriale karshi Kosovës, atëherë mund të imagjinohet se sa territor do të humbasë Kosova me rastin e demarkimit të kufirit qindra-kilometërsh me Serbinë.
Si përfundim, institucionet shtetërore të Kosovës në bashkëpunim dhe në pajtim me institucionet shtetërore të Malit të Zi, me ndërmjetësimin e SHBA-ve dhe BE-së, duhet të pajtohen që ta anulojnë Marrëveshjen ekzistuese për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit e Zi dhe të pajtohen që demarkimi i kufirit mes Kosovës e Malit të Zi të bëhet me arbitrazh ndërkombëtar në përputhje të plotë me parimet, normat dhe ligjet e të drejtës ndërkombëtare, në mënyrë që të sigurohet demarkim i saktë dhe i drejt i kufirit mes Kosovës e Malit e Zi.
Kjo në të njëjtën kohë do të na mbronte nga krijimi i precedentit të rrezikshëm, nga i cili Kosova do të humbte shumë territor kur të vijë koha për demarkimin e kufirit me Serbinë. Shkurt e shqip, Kosova duhet ta mbrojë territorin e vet bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Sipas gjykimit tim personal, nëse insistohet që Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës e Malit e Zi të ratifikohet dhe të hyjë në fuqi e tillë çfarë është, atëherë pas këtij insistimi qëndron Serbia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit