2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Deklarata e Kajros e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për të Drejtat e Njeriut (Rish. 2020)

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

Deklarata e Kajros e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për të Drejtat e Njeriut

(Verzioni i rishikuar me 28 Nëntor 2020)

 

Shtetet Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), shumë të vetëdijshme për vendin e njerëzimit në Islam si mëkëmbës të Allahut në Tokë; duke u nisur nga besimi i thellë në dinjitetin njerëzor dhe respektimin e të drejtave të njeriut, dhe nga përkushtimi për sigurimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave të mbrojtura nga mësimet e Islamit;

Me synimin për të kontribuar në përpjekjet e njerëzimit për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të mbrojtur qeniet njerëzore nga shfrytëzimi dhe persekutimi dhe për të afirmuar lirinë dhe të drejtën e tyre për një jetë dinjitoze në përputhje me vlerat dhe parimet islame;

Nga njohja e zakoneve të virtytshme dhe të nderuara qysh nga koha kur u bë pakti më i vjetër i të drejtave të njeriut në Islam, Karta e Medinës, nga Hutbeja e lamtumirës e profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të dhe nga vlerat e drejtësisë, barazisë dhe paqes të qytetërimit islam, të cilat mbështesin konceptimin e të drejtave të njeriut;

Duke riafirmuar Kartën e OBI-së, e cila parashikon promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, demokracisë dhe llogaridhënies në Shtetet Anëtare në përputhje me sistemet e tyre kushtetuese dhe ligjore, detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut; promovimi i besimit dhe inkurajimi i marrëdhënieve miqësore, respekti reciprok dhe bashkëpunimi ndërmjet Shteteve Anëtare dhe me shtetet e tjera;

Duke përsëritur se të gjitha të drejtat e njeriut janë universale, të pandashme, të ndërvarura dhe të ndërlidhura dhe duhet të trajtohen globalisht në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, në të njëjtën bazë dhe me të njëjtin theks; dhe se është detyrë e shteteve, pavarësisht nga sistemet e tyre politike, ekonomike dhe kulturore, të promovojnë dhe mbrojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut duke mbajtur parasysh rëndësinë e veçorive kombëtare dhe rajonale dhe prejardhjet e ndryshme historike, kulturore dhe fetare;

Duke pohuar se e drejta për zhvillim është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut dhe se barazia e mundësive për zhvillim është një e drejtë e shteteve dhe e popujve;

Duke riafirmuar mbështetjen e OBI për luftën e popullit palestinez, i cili aktualisht është nën pushtimin e huaj, dhe vendosmërinë për t’i fuqizuar ata për të arritur të drejtat e tyre të patjetërsueshme, duke përfshirë të drejtën për vetëvendosje, dhe për të krijuar shtetin e tyre sovran me Kudsi Sherifin si kryeqytet, duke ruajtur karakterin e tij historik dhe islam dhe vendet e shenjta në të;

Duke marrë parasysh Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut; Deklaratën e Vjenës dhe Programin e Veprimit, Deklaratën e Durbanit dhe Programin e Veprimit, dhe Dokumentin e Rezultateve të Konferencës së Rishikimit të Durbanit 2009, dhe konventat dhe instrumentet e tjera përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut;

Në ndjekje të koordinimit, solidaritetit, integrimit dhe ndërvarësisë ndërmjet Shteteve Anëtare në të gjitha fushat, dhe për të thelluar lidhjet, komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve të tyre në fushën e të drejtave të njeriut;

Në përputhje me parimet e vëllazërisë dhe barazisë ndërmjet të gjitha qenieve njerëzore, të cilat si vlera dhe parime janë të themeluara nga të gjitha fetë hyjnore;

Pa paragjykuar parimet e Islamit që afirmojnë dinjitetin njerëzor dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 

 Kanë rënë dakord për sa vijon:

 

NENI 1:

Dinjiteti Njerëzor

  1. Të gjitha qeniet njerëzore formojnë një familje. Ata janë të barabartë në dinjitet, të drejta dhe detyrime, pa asnjë diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, gjinisë, fesë, sektit, opinionit politik, origjinës kombëtare ose shoqërore, pasurisë, moshës, aftësisë së kufizuar ose statusit tjetër.
  2. Shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut, si dhe skllavëria, robëria, puna e detyruar dhe trafikimi i qenieve njerëzore, do të ndalohen në të gjitha format dhe në çdo rrethanë.

 

NENI 2:

E drejta për jetë

  1. E drejta për jetë është e drejtë themelore e çdo personi, dhuratë nga Allahu i Madhëruar dhe mbrohet me ligj. Është detyrë e shtetit të mbrojë këtë të drejtë nga çdo shkelje. Askujt nuk mund t’i hiqet arbitrarisht kjo e drejtë.
  2. Dënimi me vdekje mund të shqiptohet vetëm për krimet më të rënda në përputhje me ligjin në fuqi në kohën e kryerjes së krimit. Ky dënim mund të kryhet vetëm në bazë të një vendimi të formës së prerë të dhënë nga një gjykatë kompetente dhe në përputhje të plotë me dispozitat e nenit 22 të kësaj Deklarate.
  3. Kushdo që dënohet me vdekje ka të drejtë të kërkojë falje ose zbutje të dënimit. Amnistia, falja ose zbutja e dënimit me vdekje mund të jepet në të gjitha rastet, sipas rastit.
  4. Dënimi me vdekje nuk do të shqiptohet për krimet e kryera nga të mitur dhe nuk do të zbatohet ndaj grave shtatzëna dhe gjidhënëse.
  5. Ndalohet përdorimi i mjeteve të atilla që mund të rezultojnë në gjenocid ose asgjësim të njerëzimit.

 

NENI 3:

Paprekshmëria

Çdo qenie njerëzore ka të drejtën e paprekshmërisë dhe të mbrojtjes së emrit dhe nderit të tij/saj, gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij/saj. Shteti dhe shoqëria do të mbrojnë eshtrat dhe vendin e varrimit të tij/saj.

 

NENI 4:

E drejta për liri, siguri dhe për mos nënshtrim ndaj torturës

  1. Çdo person ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet arrestimit ose ndalimit arbitrar, rrëmbimit ose zhdukjes me forcë. Askujt nuk mund t’i hiqet liria përveçse për arsye dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.
  2. Asnjë person nuk duhet t’i nënshtrohet torturës fizike ose psikologjike ose trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
  3. Asnjë person nuk duhet t’i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor gjatë qëndrimit në paraburgim; të pandehurit do të ndahen nga personat e dënuar.
  4. Asnjë person nuk mund t’i nënshtrohet eksperimenteve mjekësore ose shkencore, as organet e tij nuk mund të përdoren pa pëlqimin e tyre të lirë, duke qenë plotësisht të informuar dhe pa marrë parasysh komplikimet e mundshme mjekësore.
  5. Është detyrë e shtetit të garantojë sigurinë e të gjithëve nga dëmtimet trupore, në përputhje me sistemin e tij ligjor dhe detyrimet ndërkombëtare.

 

NENI 5:

Mbrojtja e Familjes dhe Martesës

  1. Familja është njësia e natyrshme dhe themelore e shoqërisë. Ajo bazohet në martesën midis një burri dhe një gruaje.
  2. Burrat dhe gratë në moshë martesore kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje sipas rregullave dhe kushteve të martesës. Asnjë martesë nuk mund të bëhet pa pëlqimin e plotë dhe të lirë të të dy bashkëshortëve. Ligjet në fuqi garantojnë të drejtat dhe detyrat e burrit dhe gruas për martesën, gjatë martesës dhe pas zgjidhjes së saj.
  3. Shteti dhe shoqëria do të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të familjes dhe anëtarëve të saj, forcimin e lidhjeve familjare dhe ndalimin e të gjitha formave të dhunës apo abuzimit në marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të saj, veçanërisht ndaj grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara. dhe të moshuarëve.

 

 

NENI 6:

Të drejtat e grave

  1. Gratë dhe burrat kanë dinjitet të barabartë njerëzor, të drejta dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligjet në fuqi. Çdo grua ka statusin e saj ligjor dhe pavarësinë financiare, si dhe të drejtën për të mbajtur mbiemrin dhe prejardhjen e saj të vajzërisë.
  2. Shteti do të marrë të gjitha masat e nevojshme legjislative dhe administrative për të eliminuar vështirësitë që pengojnë fuqizimin e grave, qasjen e tyre në arsim cilësor, kujdes shëndetësor bazë, punësim dhe mbrojtje të punës si dhe të drejtën për të marrë shpërblim të barabartë për punë të barabartë, po ashtu edhe të drejtën e tyre të plotë, gëzimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe pjesëmarrje efektive në të gjitha sferat e jetës, në të gjitha nivelet.
  3. Gruaja dhe vajza do të mbrohen nga të gjitha format e diskriminimit, dhunës, abuzimit dhe praktikave të dëmshme tradicionale. Shteti dhe shoqëria do të sigurojnë një mbrojtje të tillë.
  4. Çdo grua ka të drejtën e amësisë në përputhje me krijimin e Allahut. Shteti do të ofrojë shërbime të përshtatshme shëndetësore për para lindjes dhe pas lindjes.

 

NENI 7:

Të drejtat e fëmijës

  1. Çdo fëmijë do të ketë, pa asnjë lloj diskriminimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, sekti, opinioni politik ose ndonjë tjetër, prejardhja kombëtare, etnike ose sociale, pasuria, paaftësia, lindja ose status tjetër, të drejtën për masa të tilla mbrojtjeje që kërkohen nga statusi i tij si i mitur, duke përfshirë kujdesin shëndetësorë, edukimin, si dhe kujdesin material e moral, nga ana e familjes, shoqërisë dhe shtetit. Si fetusi ashtu edhe nëna duhet të mbrohen dhe t’i kushtohet kujdes i veçantë.
  2. Çdo fëmijë do të regjistrohet menjëherë pas lindjes dhe do të ketë një emër dhe të drejtën për një shtetësi.
  3. Prindërit dhe kujdestarët ligjorë kanë përgjegjësinë kryesore për të siguruar që të drejtat e fëmijëve të respektohen, mbrohen dhe përmbushen në të gjitha mjediset. Shteti gjithashtu siguron që të gjitha masat e marra për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e fëmijës të udhëhiqen nga interesat e tij/saj më të mira. Shteti do të marrë të gjitha masat e nevojshme në ligj dhe praktikë për të parandaluar abuzimin e fëmijëve, shfrytëzimin seksual dhe dhunën.
  4. Shteti do të respektojë përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrat e prindërve dhe kur është e mundur, edhe të kujdestarëve ligjorë për të zgjedhur llojin e edukimit të fëmijëve të tyre, duke përfshirë edukimin fetar dhe moral, në përputhje me besimet e tyre fetare dhe vlerat etike, duke marrë në konsideratë interesin më të mirë të fëmijës si dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre mendore dhe fizike.
  5. Fëmijët kanë angazhime ndaj prindërve, të afërmve dhe të afërmve të tyre.
  6. Shteti merr të gjitha masat e nevojshme legjislative, administrative dhe gjyqësore për të garantuar mbijetesën, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës, veçanërisht jetimëve dhe atyre me aftësi të kufizuara, si dhe për t’i mbrojtur ata nga të gjitha format e dhunës dhe shfrytëzimit, në një atmosferë të lirisë dhe dinjitetit. Shteti gjithashtu siguron kujdes alternativ nëpërmjet institucioneve të përshtatshme për fëmijët që janë të privuar përkohësisht ose përgjithmonë nga mjedisi familjar dhe inkurajon sistemin e kujdestarisë, kur është e nevojshme.

 

NENI 8:

E drejta e njohjes para ligjit

  1. Secili do të ketë të drejtën e njohjes kudo si person përpara ligjit.

 

NENI 9:

E drejta për arsim

  1. Arsimi është një e drejtë themelore e njeriut dhe është një mjet për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, mirëkuptimin, tolerancën dhe miqësinë midis të gjitha kombeve dhe popujve. Edukimi për të drejtat e njeriut është pjesë përbërëse e së drejtës për arsimim.
  2. Kërkimi i dijes është përgjegjësi dhe edukimi është detyrë e shoqërisë dhe e shtetit. Shteti siguron disponueshmërinë e mënyrave dhe mjeteve për të marrë arsim dhe garanton diversitetin arsimor në interes të shoqërisë.
  3. Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm dhe falas. Arsimi i lartë dhe teknik duhet të vihet në dispozicion me të gjitha mjetet e duhura.
  4. Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të marrë arsim nga institucione të ndryshme të edukimit dhe udhëzimit, duke përfshirë familjen në mënyrë të integruar dhe të ekuilibruar për të zhvilluar personalitetin e tij/saj dhe për të promovuar respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe detyrimeve.

 

NENI 10:

E drejta për Vetëvendosje

  1. Pushtimi i huaj, nënshtrimi dhe kolonializmi i çdo lloji janë krejtësisht të ndaluara. Popujt që vuajnë nga pushtimi, apo kolonializmi kanë të drejtën e plotë të lirisë dhe të vetëvendosjes. Është detyrë e të gjitha shteteve dhe popujve të mbështesin betejat për eliminimin e të gjitha formave të kolonializmit dhe pushtimit.
  2. E drejta për vetëvendosje është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut. Në bazë të kësaj të drejte të gjithë popujt e tillë përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe lirisht ndjekin zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor.
  3. Të gjitha shtetet anëtare kanë të drejtë të mbrojnë pavarësinë e tyre politike, sovranitetin kombëtar, integritetin territorial dhe unitetin, siç parashikohet në Kartën e OKB-së.

 

NENI 11:

Liria e Lëvizjes

  1. Çdo qenie njerëzore ka të drejtën e lirisë së lëvizjes dhe të zgjedhë vendbanimin e tij/saj brenda apo jashtë vendit të tij/saj në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin vendas.
  2. Askush nuk mund të pengohet arbitrarisht ose në mënyrë të paligjshme të largohet nga ndonjë vend, duke përfshirë të tijin/saj, as të ndalohet në mënyrë të paligjshme të qëndrojë, ose të detyrohet të qëndrojë, në cilëndo pjesë të atij vendi.
  3. Askush nuk mund të mërgohet nga vendi i tij/saj ose të ndalohet të kthehet në të, duke përfshirë të drejtën e kthimit të refugjatëve në vendet e tyre të origjinës.

 

NENI 12:

Të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve

Refugjatët dhe migrantët kanë të njëjtat të drejta dhe liri themelore të njeriut të njohura botërisht, të cilat duhen respektuar, mbrojtur dhe përmbushur në çdo kohë. Të gjitha format e diskriminimit, duke përfshirë racizmin, ksenofobinë dhe intolerancën, ndaj migrantëve dhe familjeve të tyre, duhet të eliminohen duke e miratuar legjislacionin e duhur.

 

NENI 13:

Të drejtat e kombësisë

Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie, dhënia e së cilës rregullohet me ligj. Askujt nuk mund t’i hiqet në mënyrë arbitrare ose të paligjshme shtetësia e tij/saj dhe as e drejta për të ndryshuar shtetësinë e tij/saj.

 

NENI 14:

E drejta për të punuar

  1. Shteti dhe Shoqëria do të marrin të gjitha masat për të garantuar të drejtën për punë për çdo person të aftë për punë. Secili do të jetë i lirë të zgjedhë punën që i përshtatet më së miri dhe që i shërben interesave të tij/saj dhe të shoqërisë.

 

  1. Punonjësi ka të drejtën e sigurisë dhe të të gjitha garancive të tjera sociale. Atij/asaj nuk mund t’i caktohet punë përtej kapacitetit të tij/saj dhe as t’i nënshtrohet detyrimit, shfrytëzimit ose dëmtimit në çfarëdo mënyre.
  2. Punonjësi ka të drejtë – pa asnjë diskriminim – në paga të drejta për punën e tij/saj pa vonesë, pushim dhe kohë të lirë, duke përfshirë kufizimin e arsyeshëm të orarit të punës, si dhe për shtesat e pushimeve dhe promovimet që ai/ajo meriton, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
  3. Shtetet duhet të krijojnë mekanizma për të garantuar që punëdhënësit të jenë të drejtë dhe etikë, dhe punonjësit të mbrohen nga të gjitha format e shfrytëzimit dhe abuzimit dhe të garantohet puna e denjë.
  4. Gjithkush ka të drejtë të formojë me të tjerët dhe të anëtarësohet në sindikata, në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi, për mbrojtjen e interesave të tij/saj.

 

 

NENI 15:

E drejta për përfitime legjitime ekonomike dhe financiare

  1. Secili do të ketë të drejtën për përfitime legjitime, pa monopolizim, mashtrim ose dëmtim të vetvetes ose të të tjerëve.
  2. Fajdeja është absolutisht e ndaluar.

 

NENI 16:

E drejta për të zotëruar pronë

  1. Secili do të ketë të drejtën e zotërimit të pronës, individualisht ose në partneritet me të tjerët, pronë të fituar në rrugë të ligjshme, dhe ka të drejtën e pronësisë, pa cenuar veten, të tjerët ose shoqërinë në përgjithësi. Shpronësimi nuk lejohet përveç kërkesave të interesit publik dhe me pagesën e kompensimit të plotë dhe të drejtë.
  2. Askush nuk mund të privohet në mënyrë të paligjshme nga prona e tij/saj.

 

NENI 17:

Të Drejtat e Pronësisë Intelektuale

  1. Secili ka të drejtë të gëzojë përfitimet e prodhimit të tij/saj shkencor, intelektual, letrar, artistik ose teknik dhe ka të drejtën e mbrojtjes së interesave morale dhe materiale që rrjedhin prej tyre.
  2. Shtetet do të sigurojnë që përfitimet e këtij përparimi shkencor dhe zbatimi i tij të gëzohen gjithashtu nga të gjithë, duke përfshirë inkurajimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat shkencore dhe kulturore.

NENI 18:

E drejta për të shijuar standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit fizik dhe mendor

  1. Secili ka të drejtë të jetojë në një mjedis të sigurt dhe të pastër, një mjedis që do të nxiste moralin dhe vetëzhvillimin e tij/saj. Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi të garantojë këtë të drejtë.
  2. Gjithkush ka të drejtën për standardet më të larta të arritshme të shëndetit fizik dhe mendor, si dhe për të gjitha lehtësitë publike, të ofruara nga shteti, brenda kufijve të burimeve të disponueshme.
  3. Shteti, brenda mundësive të tij, do të sigurojë të drejtën e individit për një jetesë të denjë që do t’i mundësojë atij/asaj të plotësojë të gjitha kërkesat e tij/saj dhe të vartësve të tij/saj, duke përfshirë ushqimin dhe ujin, veshjen, strehimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe të gjitha nevojat e tjera bazë.

 

NENI 19:

Mbrojtja e Privatësisë

  1. Secili ka të drejtë të jetojë i sigurt për veten dhe fenë, vartësit, nderin dhe pronën e tij/saj.
  2. Secili ka të drejtën e privatësisë në kryerjen e punëve të tij private, në shtëpi, në familje, në lidhje me marrëdhëniet pronësore dhe shoqërore. Nuk lejohet të spiunohet, të vihet nën vëzhgim apo të cenohet emri i tij/saj i mirë. Shteti do ta mbrojë atë nga ndërhyrja arbitrare.
  3. Rezidenca private është e pacenueshme në të gjitha rastet. Nuk do të depërtohet apo hyhet pa lejen e banorëve të tij, apo banorët e tij nuk do të dëbohen në ndonjë mënyrë të paligjshme.
  4. Të gjithë individët kanë të drejtën që të dhënat e tyre konfidenciale dhe personale të mbrohen me ligj.

 

NENI 20:

E drejta për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë

  1. Secili do të ketë të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Liria për të manifestuar fenë ose besimin e dikujt mund t’i nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve të përcaktuara me ligj dhe që janë të nevojshme për të mbrojtur sigurinë, rendin, shëndetin ose moralin publik ose të drejtat dhe liritë themelore të të tjerëve.
  2. Askush nuk duhet t’i nënshtrohet detyrimit, i cili do të cenonte lirinë e tij/saj për të pasur ose për të adoptuar një fe ose besim sipas zgjedhjes së tij.

 

NENI 21:

E drejta për lirinë e mendimit dhe të shprehjes

  1. Gjithkush ka të drejtë të ketë mendime pa ndërhyrje.
  2. Secili do të ketë të drejtën e lirisë së shprehjes. Ushtrimi i kësaj të drejte mbart me vete detyra dhe përgjegjësi të veçanta. Shteti ka detyrimin të mbrojë dhe lehtësojë ushtrimin e kësaj të drejte, duke mbrojtur njëkohësisht integritetin dhe interesat e tij legjitime kombëtare, si dhe duke promovuar harmoninë, mirëqenien, drejtësinë dhe barazinë brenda shoqërisë. Çdo kufizim në ushtrimin e kësaj të drejte, të përcaktohet qartë në ligj dhe kufizohet në kategoritë e mëposhtme:
  • a. Propagandë për luftë.
  • b. Mbështetja e urrejtjes, diskriminimit ose dhunës për shkak të fesë, besimit, origjinës kombëtare, racës, përkatësisë etnike, ngjyrës, gjuhës, seksit ose statusit socio-ekonomik.
  • c. Respektimi i të drejtave të njeriut ose reputacionit të të tjerëve.
  • d. Çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
  • e. Masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit apo moralit publik.

3. Shteti dhe shoqëria do të përpiqen të përhapin dhe promovojnë parimet e tolerancës, drejtësisë dhe bashkëjetesës paqësore midis parimeve dhe vlerave të tjera fisnike dhe të dekurajojnë urrejtjen, paragjykimin, dhunën dhe terrorizmin. Liria e shprehjes nuk duhet të përdoret për denigrim të feve dhe profetëve apo për të cenuar shenjtërinë e simboleve fetare apo për të minuar vlerat morale dhe etike të shoqërisë.

 

NENI 22:

E drejta për qasje në drejtësi dhe gjykim të drejtë

 

  1. Të gjithë individët janë të barabartë para ligjit, pa dallim. E drejta për një proces të rregullt ligjor dhe drejtësi i garantohet secilit nëpërmjet autoriteteve kompetente, të pavarura dhe gjykatave të paanshme, të krijuara me ligj, brenda një kohe të arsyeshme.
  2. Përgjegjësia penale është personale.
  3. I pandehuri është i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet, me procedurë të rregullt, me aktgjykim të formës së prerë nga një gjykatë kompetente, e përcaktuar me ligj, në të cilën atij i jepen të gjitha garancitë e mbrojtjes dhe drejtësisë.
  4. Nuk do të ketë krim apo dënim, përveç siç parashikohet në ligj në kohën e kryerjes së krimit.
  5. Viktimat e dështimit të drejtësisë të vërtetuar ligjërisht kanë të drejtë të kompensohen sipas ligjit.

 

NENI 23:

E drejta për të marrë pjesë në kryerjen e çështjeve publike dhe liria e tubimit dhe asociimit paqësor

  1. Autoriteti është një amanet; dhe abuzimi ose shfrytëzimi me qëllim të keq i tij është absolutisht i ndaluar, në mënyrë që të garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
  2. Çdokush ka të drejtë të marrë pjesë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur lirisht në administrimin e çështjeve publike të vendit të tij/saj. Ai/ajo do të ketë gjithashtu të drejtën të marrë funksione publike në përputhje me parimet e barazisë së mundësive dhe mosdiskriminimit, në përputhje me legjislacionin kombëtar.
  3. Çdokush ka të drejtën e lirisë së tubimit dhe organizimit paqësor në përputhje me legjislacionin kombëtar.

 

NENI 24:

Trajtim i drejtë gjatë situatave të luftës dhe konfliktit të armatosur

  1. E Drejta Ndërkombëtare Humanitare do të zbatohet në të gjitha situatat e luftës dhe konflikteve të armatosura për të mbrojtur të drejtat e të gjithë personave të mbrojtur nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, duke përfshirë por pa u kufizuar në mbrojtjen e joluftëtarëve, të moshuarve, të pafuqishmit, personat me aftësi të kufizuara, gratë, fëmijët, civilët, gazetarët, punëtorët humanitarë dhe të burgosurit e luftës.
  2. Gjatë situatave të luftës dhe konflikteve të armatosura, ndalohet përdhosja e vendeve të shenjta dhe objekteve të kultit, dëmtimi i burimeve natyrore dhe mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.

 

NENI 25:

Dispozitat e përgjithshme

  1. Çdokush ka të drejtë të ushtrojë dhe gëzojë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë deklaratë, pa cenuar parimet e Islamit dhe legjislacionin kombëtar.
  2. Asgjë në këtë deklaratë nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të cenojë të drejtat dhe liritë e mbrojtura nga legjislacioni kombëtar ose detyrimet e Shteteve Anëtare sipas traktateve ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut, si dhe sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit