Deklarata e Kajros për të Drejtat e Njeriut në Islam (CDHRI) është një deklaratë e shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) e miratuar për herë të parë në Kajro të Egjiptit, më 5 gusht 1990, në Konferencën e Ministrave të Jashtëm, 9–14 Muharrem, viti 1411H në kalendarin islam. Kjo deklaratë ofron një pasqyrë të perspektivës islame për të drejtat e njeriut.
CDHRI deklaron qëllimin e saj që të jetë “udhëzim i përgjithshëm për Shtetet Anëtare [të OBI] në fushën e të drejtave të njeriut”. Kjo deklaratë është pranuar gjerësisht si një përgjigje islame ndaj Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UDHR), miratuar në vitin 1948.
Vende të ndryshme muslimane e kishin kritikuar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948 për dështimin e saj për të marrë parasysh kontekstin kulturor dhe fetar të vendeve joperëndimore.
Përfaqësuesi të shumtë të vendeve muslimane kanë artikuluar qëndrimin në lidhje me UDHR, duke thënë se ishte një “kuptim relativist laik të traditës judeo-kristiane”, qëndrim i cili nuk mund të zbatohej nga muslimanët pa shkelur ligjin islam.
CDHRI u miratua në vitin 1990 nga anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike. Ajo është nënshkruar nga 45 shtete deri më tani.
Deklarata:
Shtetet Anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike,
Duke riafirmuar rolin qytetërues dhe historik të Umetit Islam, të cilin Allahu e bëri si bashkësinë më të mirë dhe që i dha njerëzimit një qytetërim universal dhe të ekuilibruar, në të cilin vendoset harmonia mes kësaj bote dhe botës së përtejme, dija kombinohet me besimin për të përmbushur pritshmëritë nga ky komunitet për të udhëhequr të gjithë njerëzimin e hutuar për shkak të besimeve dhe ideologjive sa të ndryshme aq edhe konfliktuale, si dhe për të dhënë zgjidhje për të gjitha problemet kronike të këtij qytetërimi materialist.
Në kontribut të përpjekjeve të njerëzimit për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të mbrojtur njeriun nga shfrytëzimi dhe persekutimi dhe për të afirmuar lirinë dhe të drejtën e tij për një jetë dinjitoze në përputhje me Sheriatin Islam.
Të bindur se njerëzimi, i cili ka arritur një fazë të avancuar në shkencën materialiste, ka ende dhe do të mbetet në nevojë emergjente për besim për të mbështetur qytetërimin e tij, besimi do të jetë edhe një forcë vetë-motivuese për të mbrojtur të drejtat e tij;
Duke besuar se të drejtat dhe liritë themelore sipas Islamit janë pjesë përbërëse e fesë islame dhe se askush nuk ka të drejtë parimisht t’i shfuqizojë ato tërësisht ose pjesërisht ose t’i shkelë ose injorojë ato, aq sa ato janë urdhra hyjnorë të detyrueshëm, të cilat janë të përfshira në Librat e shpallur të Allahut dhe të cilat janë dërguar përmes profetëve të fundit të Tij për të plotësuar mesazhet hyjnore të mëparshme.
Ruajtja e këtyre të drejtave dhe lirive themelore është një akt adhurimi, ndërsa neglizhimi ose shkelja e tyre është një mëkat i neveritshëm dhe se ruajtja e këtyre të drejtave dhe lirive themelore është përgjegjësi individuale e çdo personi dhe përgjegjësi kolektive e të gjithë Umetit;
Në këtë mënyrë dhe në bazë të parimeve të lartpërmendura deklarojmë si më poshtë:
NENI 1:
(a) Të gjitha qeniet njerëzore formojnë një familje, anëtarët e së cilës janë të bashkuar nga nënshtrimi i tyre ndaj Allahut dhe prejardhja e tyre është nga Ademi. Të gjithë burrat janë të barabartë për sa i përket dinjitetit bazë njerëzor, janë të barabartë para detyrimeve dhe përgjegjësive themelore, pa asnjë diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, besimit, gjinisë, fesë, përkatësisë politike, statusit social apo konsiderata të tjera. Feja e vërtetë është garancia për rritjen e një dinjiteti të tillë përgjatë rrugës drejt integritetit njerëzor.
(b) Të gjithë njerëzit janë robër të Allahut dhe më të dashurit e Tij janë ata që janë më të dobishëm për robërit e Tij, dhe askush nuk ka epërsi ndaj tjetrit përveçse në bazë të devotshmërisë dhe veprave të mira.
NENI 2:
(a) Jeta është një dhuratë e dhënë nga Zoti dhe e drejta për jetë i garantohet çdo qenieje njerëzore. Është detyrë e individëve, shoqërive dhe shteteve që ta mbrojnë këtë të drejtë nga çdo shkelje, dhe është e ndaluar të merret jeta, përveçse për arsye të përcaktuara nga ligji i Zotit.
(b) Është e ndaluar të përdoret çdo mjet që mund të rezultojë në asgjësimin gjenocidal të njerëzimit.
(c) Ruajtja e jetës njerëzore gjatë gjithë kohës së dëshiruar nga Allahu është një detyrë e përcaktuar nga Sheriati.
(d) Siguria nga dëmtimi trupor është një e drejtë e garantuar. Është detyrë e shtetit ta ruajë atë dhe është e ndaluar që ta shkelë atë pa një arsye të përcaktuar nga Sheriati.
NENI 3:
(a) Në rast të përdorimit të forcës dhe në rast konflikti të armatosur, nuk lejohet vrasja e personave që nuk luftojnë, si pleqtë, gratë dhe fëmijët. Të plagosurit dhe të sëmurët kanë të drejtën e trajtimit mjekësor;
dhe robërit e luftës do të kenë të drejtën të ushqehen, të strehohen dhe të vishen. Ndalohet gjymtimi ose copëtimi i kufomave. Kërkohet shkëmbimi i robërve të luftës dhe organizimi i vizitave ose bashkimeve të familjeve të ndara nga rrethanat e luftës.
(b) Ndalohet prerja e pemëve, shkatërrimi i të korrave ose bagëtive, shkatërrimi i ndërtesave dhe instalimeve civile të armikut me granatime, shpërthime ose çdo mjet tjetër.
NENI 4:
Çdo qenie njerëzore ka të drejtë në shenjtërinë njerëzore dhe mbrojtjen e emrit dhe nderit të tij gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij. Shteti dhe shoqëria duhet ta mbrojnë trupin dhe vendin e varrimit nga përdhosja.
NENI 5:
(a) Familja është themeli i shoqërisë dhe martesa është baza e krijimit të familjes.
Burrat dhe gratë kanë të drejtën e martesës dhe asnjë kufizim që rrjedh nga raca, ngjyra ose kombësia nuk do t’i pengojë ata të ushtrojnë këtë të drejtë.
(b) Shoqëria dhe shteti do të heqin të gjitha pengesat për martesën dhe do ta lehtësojnë atë, do të mbrojnë familjen dhe do të ruajnë mirëqenien e saj.
NENI 6:
(a) Gruaja është e barabartë me burrin në dinjitetin njerëzor dhe ka të drejtat e saj për të gëzuar si dhe detyra për të kryer, dhe ka entitetin e saj civil dhe pavarësinë financiare, dhe të drejtën për të ruajtur emrin dhe prejardhjen e saj.
(b) Burri është përgjegjës për mirëmbajtjen dhe mirëqenien e familjes.
NENI 7:
(a) Që në momentin e lindjes, çdo fëmijë ka të drejta që i takojnë prindërve, shoqërisë dhe shtetit për t’iu dhënë kujdesin e duhur mjekësorë, arsimor, material, higjienik dhe moral. Si fetusi ashtu edhe nëna duhet të mbrohen dhe t’i kushtohet kujdes i veçantë.
(b) Prindërit dhe ata që kanë një cilësi të tillë kanë të drejtë të zgjedhin llojin e edukimit që dëshirojnë për fëmijët e tyre, me kusht që të marrin parasysh interesin dhe të ardhmen e fëmijëve në përputhje me vlerat etike dhe parimet e Sheriatit.
(c) Të dy prindërit kanë të drejta të caktuara për fëmijët e tyre, dhe të afërmit kanë të drejta nga dhe ndaj të afërmeve të tyre, në përputhje me parimet e sheriatit.
NENI 8:
Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të gëzojë një kualifikim legjitim me të gjitha prerogativat dhe detyrimet e tij, në rast se një kualifikim i tillë humbet ose dëmtohet, personi ka të drejtë të përfaqësohet nga kujdestari i tij/saj.
NENI 9:
(a) Kërkimi i dijes është një detyrim dhe edukimi është detyrë e shoqërisë dhe e shtetit. Shteti do të sigurojë disponueshmërinë e mënyrave dhe mjeteve për të marrë arsim dhe do të garantojë shumëllojshmërinë e tij në interes të shoqërisë, në mënyrë që t’i mundësojë njeriut njohjen e fesë islame dhe zbulimin e sekreteve të universit në dobi të njerëzimit.
(b) Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të marrë arsimim fetar dhe botëror nga institucionet e ndryshme të mësimdhënies, edukimit dhe udhëzimit, duke përfshirë familjen, shkollën, universitetin, median, etj., dhe në një mënyrë të tillë të integruar dhe të balancuar që do të zhvillonte personalitetin njerëzor, do të forconte besimin e njeriut në Allahun dhe do të nxiste respektin dhe mbrojtjen e njeriut ndaj të drejtave dhe detyrimeve.
NENI 10:
Islami është fe e natyrës së vërtetë të paprishur.
Ndalohet ushtrimi i çfarëdo forme presioni mbi njeriun ose shfrytëzimi i varfërisë ose injorancës së tij për ta detyruar atë të ndryshojë fenë e tij në një fe tjetër ose në ateizëm.
NENI 11:
(a) Qeniet njerëzore lindin të lira dhe askush nuk ka të drejtë t’i skllavërojë, poshtërojë, shtypë ose shfrytëzojë, dhe nuk mund të ketë nënshtrim përveç ndaj Allahut të Madhërishëm.
(b) Kolonializmi i çdo lloji përbën një nga format më të liga të skllavërisë dhe është plotësisht i ndaluar. Popujt që vuajnë nga kolonializmi kanë të drejtën e plotë për liri dhe vetëvendosje. Është detyrë e të gjithë popujve të të gjitha Shteteve të mbështesin luftën e popujve të kolonizuar për largimin e të gjitha formave dhe pushtimeve, dhe të gjitha shtetet dhe popujt kanë të drejtë të ruajnë identitetin e tyre të pavarur dhe kontrollin mbi pasurinë dhe burimet e tyre natyrore.
NENI 12:
Çdo njeri ka të drejtë, brenda kornizës së Sheriatit, të lëvizë lirisht dhe të zgjedhë vendbanimin e tij brenda apo jashtë vendit të tij dhe nëse persekutohet, ka të drejtë të kërkojë azil në një vend tjetër. Vendi i strehimit është i detyruar t’i sigurojë mbrojtje azilkërkuesit derisa të arrihet siguria e tij, përveç rasteve kur azili është i motivuar nga kryerja e një akti të konsideruar nga Sheriati si krim.
NENI 13:
Puna është një e drejtë e garantuar nga shteti dhe shoqëria për çdo person me aftësi për të punuar. Secili do të jetë i lirë të zgjedhë punën që i përshtatet më shumë dhe që u shërben interesave të tij dhe të shoqërisë.
Punonjësi ka të drejtë të gëzojë sigurinë, si dhe të gjitha garancitë e tjera sociale. Atij nuk mund t’i caktohet punë përtej kapacitetit të tij dhe as nuk duhet t’i nënshtrohet detyrimit, shfrytëzimit ose dëmtimit në asnjë mënyrë. Ai do të ketë të drejtë – pa asnjë diskriminim midis meshkujve dhe femrave – për paga të drejta për punën e tij dhe paga pa vonesë, si dhe për shtesat e pushimeve dhe promovimet në punë sipas meritës. Nga ana e tij, atij do t’i kërkohet të jetë i përkushtuar dhe i përpiktë në punën e tij. Nëse punëtorët dhe punëdhënësit nuk bien dakord për ndonjë çështje, shteti do të ndërhyjë për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të korrigjuar ankesat, për të konfirmuar të drejtat dhe për të zbatuar drejtësinë pa paragjykime.
NENI 14:
Secili ka të drejtë të fitojë një jetesë legjitime pa monopolizim, mashtrim ose dëmtim të vetvetes ose të tjerëve. Kamata (ribaja) është e ndaluar shprehimisht.
NENI 15:
(a) Çdokush do të ketë të drejtën për të zotëruar pronën e fituar në mënyrë legjitime dhe do të ketë të drejtën e pronësisë pa paragjykuar veten, të tjerët ose shoqërinë në përgjithësi. Shpronësimi nuk lejohet përveç kërkesave të interesit publik dhe me pagesën e kompensimit të shpejtë dhe të drejtë.
(b) Konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë është i ndaluar me përjashtim të një domosdoshmërie të diktuar me ligj.
NENI 16:
Çdokush ka të drejtë të gëzojë frytet e punës së tij shkencore, letrare, artistike ose teknike, autori i së cilës është vetë ai ose ajo; dhe ata rrjedhimisht do të kenë të drejtën e mbrojtjes së interesave të tyre morale dhe materiale që rrjedhin prej tyre, me kusht që kjo të mos jetë në kundërshtim me parimet e Sheriatit.
NENI 17:
(a) Çdokush ka të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër, larg veseve dhe korrupsionit moral, që do të favorizonte një zhvillim të shëndetshëm etik të personit të tij dhe i takon shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi ta përballojë këtë të drejtë.
(b) Secili do të ketë të drejtën për kujdes mjekësor dhe social dhe për të gjitha lehtësitë publike të ofruara nga shoqëria dhe shteti brenda kufijve të burimeve të tyre në dispozicion.
(c) Shtetet do të sigurojnë të drejtën e individit për një jetesë të denjë që mund t’i mundësojë atij të plotësojë kërkesat e tij dhe të vartësve të tij, duke përfshirë ushqimin, veshjen, strehimin, arsimin, kujdesin mjekësor dhe të gjitha nevojat e tjera bazë.
NENI 18:
(a) Çdokush ka të drejtë të jetojë i sigurt për veten e tij, fenë e tij, vartësit e tij, nderin dhe pronën e tij.
(b) Çdokush do të ketë të drejtën e privatësisë në kryerjen e punëve të tij private, në shtëpinë e tij, midis familjes së tij, në lidhje me pronën dhe marrëdhëniet e tij. Nuk lejohet spiunimi i tij, vënia e tij nën vëzhgim apo turpërimi i emrit të tij të mirë.
Shteti do ta mbrojë atë nga ndërhyrja arbitrare.
(c) Rezidenca private është e pacenueshme në të gjitha rastet. Nuk do të hyhet pa lejen e banorëve të tij apo në ndonjë në mënyrë të jashtë ligjshme, as nuk do të shkatërrohet, të konfiskohet apo të dëbohen banorët e tyre.
NENI 19:
(a) Të gjithë individët janë të barabartë përpara ligjit, pa dallim ndërmjet sunduesit dhe të sunduarve.
(b) E drejta për t’iu drejtuar drejtësisë i garantohet të gjithëve.
(c) Përgjegjësia është në thelb personale.
(d) Nuk do të ketë krim apo dënim, përveç siç parashikohet në Sheriat.
(e) I pandehuri është i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet në një gjykim të shpejtë në të cilin do t’i jepen të gjitha garancitë e mbrojtjes.
NENI 20:
Nuk lejohet pa arsye legjitime arrestimi i një individi ose kufizimi i lirisë së tij, internimi ose ndëshkimi i tij.
Nuk lejohet t’i nënshtrohet torturës fizike ose psikologjike ose ndonjë forme keqtrajtimi, mizorie ose poshtërimi. As nuk lejohet që individi t’i nënshtrohet eksperimenteve mjekësore ose shkencore pa pëlqimin e tij ose duke rrezikuar shëndetin ose jetën e tij. As nuk lejohet shpallja e ligjeve emergjente që do të siguronin autoritetin ekzekutiv për veprime të tilla.
NENI 21:
Marrja e pengjeve në çfarëdo forme ose për çfarëdo qëllimi është shprehimisht e ndaluar.
NENI 22:
(a) Çdokush ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin e tij në atë mënyrë që nuk do të ishte në kundërshtim me parimet e Sheriati.
(b) Secili ka të drejtë të mbrojë atë që është e drejtë, të përhapë të mirën dhe të paralajmërojë nga e keqja sipas normave të Sheriatit Islam.
(c) Mediat dhe informacioni janë një domosdoshmëri jetike për shoqërinë.
Nuk mund të shfrytëzohen apo keqpërdoren në atë mënyrë që mund të cenojnë shenjtërinë dhe dinjitetin e Profetëve, të minojë vlerat morale dhe etike ose të shpërbëjnë, korruptojnë ose dëmtojnë shoqërinë ose dobësojnë besimin e saj.
(d) Nuk lejohet nxitja e urrejtjes nacionaliste ose doktrinare ose bërja e ndonjë gjëje që mund të jetë nxitje për ndonjë formë ose diskriminim racor.
NENI 23:
(a) Autoriteti është një besim; dhe abuzim apo shfrytëzim me qëllim të keq është i ndaluar shprehimisht, në këtë mënyrë garantohen të drejtat themelore të njeriut.
(b) Çdokush ka të drejtë të marrë pjesë, drejtpërdrejt ose tërthorazi në administrimin e çështjeve publike të vendit të tij.
Ai gjithashtu ka të drejtë të marrë poste publike në përputhje me dispozitat e Sheriatit.
NENI 24:
Të gjitha të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Deklaratë i nënshtrohen Sheriatit Islam.
NENI 25:
Sheriati islam është i vetmi burim referimi për shpjegimin ose sqarimin e ndonjë prej neneve të kësaj Deklarate.
Solli në gjuhën shqipe: kohaislame.com