4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Deklarata e Escobarit dhe Lajçakut, çështja e Asociacionit dhe largimi i barrikadave – gjithçka nga vizita e dy emisarëve në Kosovë

Më të lexuarat

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak gjatë vizitës së tyre në Kosovë janë takuar me liderët e shtetit, pas tensionimit të situatës në veri dhe vendosjes së barrikadave.

Escobar, është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ndërkaq tha se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe dhe se këtë tha ai, ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”.

Escobar tha se shpreson që të ketë shpejt një zgjidhje për krizën aktuale në veriun e Kosovës ndërsa i shprehu mbështetje propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është këtu dhe shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”, tha ai.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Ndryshe, në një intervistë për REL, Escobar tha sot se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuar”, tha ai

Escobar tha se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

E pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun janë deklaruar edhe nga Qeveria e Kosovës, të cilët theksuan se ka dakordim që duhet të hiqen barrikadat në veri.

“Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër, thuhet në komunikatë.

Pas takimit është deklaruar për media edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, ndërsa tha se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri, dhe jo përmes buldozerëve.

“Kam pasur diskutim të gjatë me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt, dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, tha ai para gazetarëve.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.   

Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.

Ndryshe, Escobar dhe Lajçak do ta takojnë sot edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit