Dëgjimi i Kur’anit
Vallë si ndikojnë versetet e Kuranit fisnik, në qelizat e trurit? Cili është interpretimi shkencor lidhur me shërimin nëpërmjet Kuranit? A përmban Kurani energji pozitive?
Një eksperiencë personale
Shkaku që më bëri të ulem dhe të shkruaj mbi këtë temë, është një përvojë personale gjatë kohës që isha angazhuar me memorizimin e Kuranit. Asokohe, Kurani nuk më ndahej për 24 orë në ditë, pasi edhe gjatë gjumit e lija hapur radio Kuranin, duke dëgjuar versetet e tij edhe në gjumë. Padyshim që atëherë nuk dija gjë mbi metodën e memorizimit gjatë gjumit.
Me kalimin e muajve, fillova të vërej ndryshim rrënjësor lidhur me lehtësimin e memorizimit. Unë e ndjeja se çdo qelizë e trurit tim, reagonte dhe i përgjigjej zërit të Kuranit. Kuranin, e mësoja duke dëgjuar fillimisht një hafëz të njohur, mandej e përsërisja Suren disa herë derisa ajetet të fiksoheshin përfundimisht në kujtesën time.
Asokohe, shokut tim i thoja se dëgjimi i Kuranit, ri-programon qelizat e trurit në mënyrë tw përgjithshme. Bëhet fjalë për njëzet vite më parë.
Kohët e fundit, jam befasuar teksa lexoja orvatjet e shkencëtarëve që ti trajtojnë shumë sëmundje të rënda, nëpërmjet ri-programimit të qelizave të trurit. Për këtë, ata përdornin vibrime vokale të ndryshme, si muzika etj.
Disa terapistë kanë arritur rezultate të rëndësishme me anën e kurës së zërit. Prej tyre është dhe Annie Williams nga Amerika, e cila i trajton të sëmurët e saj me anë të muzikës. Por këto rezultate kanë mbetur të kufizuara për shkak se muzika nuk ka pasur efektin e kërkuar në qeliza. Megjithatë, ajo pohon se rezultatet e kësaj metode kanë qenë mahnitëse në trajtimin e tumoreve të trurit, kancerit të zorrës së trashë dhe disa sëmundjeve të tjera. Ajo pohon se të gjithë ata që kanë dëgjuar tingujt muzikorë të përzgjedhur prej saj, u është shtuar niveli i kreativitetit.
Sakaq, unë dua të pohoj për ty lexues i dashur se ndryshimet e ndodhura pas dëgjimit për një kohë të gjatë të Kuranit fisnik, janë të shumta. Unë personalisht ndihem më i fuqishëm se kurrë, ndjej se sistemi imunitar i trupit më është rritur. Madje dhe vetë personaliteti im është forcuar dhe komunikimi me njerëzit e tjerë është përmirësuar. Kurani ka zgjuar tek unë elementin e kreativitetit dhe në fakt artikujt bashkë me studimet e fundit ia dedikoj leximit të përditshëm të Kuranit fisnik.
Unë pohoj se dëgjimi i vazhdueshëm i Kuranit çon në rritjen e kreativitetit të njeriut, gjë të cilën e them nga përvoja ime personale. Para memorizimit të Kuranit, unë e kisha të pamundur të formoj qoftë dhe një fjali të saktë, ndërkohë që tani kam studimet e mia.
Prandaj, dobitë e dëgjimit të Kuranit, nuk kufizohen vetëm tek elementi shërues i sëmundjeve. Në fakt, Kurani na ndihmon në zhvillimin e personalitetit, përmirësimin e komunikimit me të tjerët, rritjen e kreativitetit dhe aftësisë për të sjellë ide të reja. Ashtu si unë, edhe ti lexues i dashur mund ta provosh këtë dhe do të mrekullohesh nga rezultatet.
Fakte shkencore
Në vitin 1839, shkencëtari Henrik Uiljam Dof zbuloi se truri reagonte pozitivisht ose negativisht nëse ekspozohej ndaj tingujve zanorë të caktuar. Ai pa se kur vibrimet zanore i afroheshin veshit, qelizat e trurit reagonin ndaj tyre. Më vonë, shkencëtarët zbuluan se qelizat e dëgjimit janë përherë në gjendje vibrimi, ku çdo qelizë dridhet sipas një sistemi të caktuar dhe ndikohet nga qelizat përreth saj. Ngjarjet e ndryshme që përjeton njeriu lënë gjurmët e tyre në qelizat e trurit. Çdo ngjarje negative, shkakton çrregullime dhe defekte në sistemin vibrues të qelizave.
Çdo qelizë që vibron gjatë gjithë kohës, përmban një program shumë kompleks i cili i mundëson të ndërveprojë me miliona qeliza të tjera përreth. Ky koordinim dëshmon madhështinë e Krijuesit të pashoq. Për rrjedhojë, çdo problem psikik, do të shkaktojë defekt në këtë program, duke e dobësuar imunitetin e qelizave dhe kështu lehtësohet sulmi i sëmundjeve. Mekanizmi i qelizave në përpunimin e informacioneve janë pikërisht këto vibrime dhe lëshimi i stimujve elektrik, nëpërmjet të cilave na mundësohet të folurit, lëvizja, vozitja e makinës dhe ndërveprimi me të tjerët.
Akumulimi i ngjarjeve negative, siç janë traumat me të cilat përballet njeriu, si dhe disa probleme të tjera, shkaktojnë kaos dhe rrëmujë tek qelizat e trurit. Ky kaos, është rraskapitës pasi në këtë rast trurit i duhet të punojë dyfish.
Para se fëmija të lindë, qelizat e trurit të tij fillojnë vibrimin. Truri i tij është i ekuilibruar dhe qelizat në harmoni me aktivitetin dhe dridhjet e tyre. Pas lindjes, çdo ngjarje do të ndikojë tek qelizat e trurit të tij dhe mënyrën si vibrojnë. Madje, tek disa qeliza të papërgatitura për të përballuar zhurmat e forta, mund të dëmtohet sistemi vibrues i tyre, gjë e cila shkakton një zinxhir sëmundjesh fizike dhe psikologjike.
Sot, shkencëtarët pohojnë se çdo sjellje, buron nga vibrime të caktuara të qelizave. Ato shtojnë se ekspozimi i njeriut ndaj vibrimeve zanore të njëpasnjëshme, çon në ndryshimin e mënyrës së vibrimit të qelizave.
Disa frekuenca i bëjnë qelizat e trurit të dridhen në mënyrë vitale, aktive dhe pozitive, duke ia shtuar energjinë pozitive qelizave. Sakaq, frekuenca të tjera i dëmtojnë qelizat, madje mund tu shkaktojnë dhe vdekjen. Prandaj, frekuencat e duhura, janë ato që janë bërë objekt studimi për shkencëtarët, për të zbuluar se cilat frekuenca zanore i shkojnë për shtat trurit.
Shkencëtarët kanë zbuluar se edhe zinxhiri i ADN-së brenda çdo qelize dridhet në një mënyrë të caktuar. Ky zinxhir i ngarkuar me informacione të domosdoshme për jetën, është i ekspozuar ndaj çdo ndryshimi për shkak të ngjarjeve, problemeve, viruseve apo sëmundjeve që sulmojnë trupin. Sipas shkencëtarëve, zinxhiri i ADN-së e redukton vibrimin e tij, kur sulmohet nga viruset. Mënyra më ideale për ti kthyer zinxhirit të ADN-së performancën e tij, është duke e riprogramuar atë nëpërmjet ndikimit të valëve zanore të caktuara. Kështu, ADN-ja do të reagojë pozitivisht ndaj këtyre valëve, duke iu kthyer aktivitetit dhe vibrimit normal. Por, ekzistojnë valë të cilat mund ta dëmtojnë këtë zinxhir gjenetik.
Shumë nga terapistët e sotëm, përdorin vibrimet akustike për trajtimin e kancerit dhe sëmundjeve kronike, ndaj të cilave mjekësia s’ka pasur sukses. Veç kësaj, ata vunë re përmirësime të shumë sëmundjeve mendore si skizofrenia, stresi dhe problemet e gjumit, por edhe për veset e këqija si pirja e duhanit, vartësia ndaj drogave etj.
Cili duhet të jetë trajtimi?
Trajtimi më i mirë i sëmundjeve të lartpërmendura është Kurani dhe këtë e them bazuar në një eksperiencë të gjatë pune. Shumë raste janë shëruar pasi janë trajtuar me Kuran. Kjo, pasi leximi i Kuranit dhe i verseteve të tij, rikthen ekuilibrin e duhur të qelizave. Dëgjimi i Kuranit rrit aftësinë dhe performancën e këtyre qelizave.
Brenda çdo qelize gjendet një sistem dridhje me të cilin e ka pajisur Zoti. Qelizat nuk e kuptojnë gjuhën e të folurit, por ndërveprojnë me njëra-tjetrën me anë të frekuencave dhe vibrimeve. Kështu ndodh dhe me telefoninë celulare, e cila ndërvepron me valët elektromagnetike. Brenda çdo qelize gjendet një “aparat celulari” shumë i ndërlikuar. Imagjinoni për një çast, miliarda qeliza të trurit duke u dridhur së bashkë në harmoni të plotë, të cilat nuk mund të kuptohen nga njerëzit, madje as të imitohen. Nëse një qelizë e vetme po të mos funksionojë, do të shkaktonte probleme në të gjithë trupin. I gjithë ky mirë funksionim të është dhënë nga Zoti, me qëllim që ti jesh mirënjohës. Por, a e vlerësojmë siç duhet këtë mirësi kaq të madhe të Zotit?
Ajetet e Kuranin përmbajnë shërim
Bazuar në studimet më të reja, shkencëtarët pohojnë se çdo sëmundje shkakton ndryshime në programimin e qelizave. Çdo qelizë funksionon sipas një programi të caktuar që ditën që e krijoi Zoti e gjer në ditën që do të vdesë. Nëse ndodh ndonjë defekt psikik ose somatik, ky defekt do të shkaktojë kaos në të gjithë sistemin e dridhjes së qelizës. Për rrjedhojë, defekti kalon edhe në programin qelizor. Për trajtimin e këtij defekti ose sëmundjeje, lipset të korrigjohet programi me çdo mënyrë të mundshme.
Gjatë studimeve të mia rreth ajeteve Kuranore kam parë prezencën e një sistemi numerik që në këto ajete. Por ajetet e Kuranit nuk përmbajnë vetëm këtë sistem, por edhe gjëra të tjera të cilat u përngjajnë atyre që ne sot i quajmë programe apo të dhëna, të cilat mund të ndërveprojnë me qelizat. Pra, thënë shkurt, Kurani njeh dhe ndërvepron me gjuhën e qelizave.
Dikush, mund të mendojë se kjo që po them, është diçka joshkencore. Në fakt, unë kam parë se shumë ajete Kuranore konfirmojnë faktin se këto ajete përmbajnë shumë të dhëna, njëlloj siç ndodh me valët e radios të cilat në fakt janë një valë, por që përcjellin informacione, zëra dhe muzikë. Kur Zoti na njofton se Kurani është dhe shërim, kjo do të thotë se ai përmban informacione, të dhëna dhe programe të mjaftueshme për trajtimin e qelizave të dëmtuara të trupit, madje edhe trajtimin e atyre sëmundjeve para të cilave është dorëzuar mjekësia.
Ilaçi më i lehtë për të gjithë sëmundjet
I nderuar lexues! E them me bindje dhe i bazuar në eksperiencën time personale. Ti mund të arrish në rezultate tepër të mëdha, me një ndryshim tepër të vogël, i cili do të ndryshojë gjithë jetën tënde, ashtu siç ndryshoi timen. Procedura që lipset prej teje, është që thjesht të dëgjosh Kuranin sipas mundësisë, në mbrëmje para se të flesh, në mëngjes pasi të zgjohesh, në drekë dhe çdo kohë tjetër kur të jepet mundësia.
Kuranin mund ta dëgjosh nga një kompjuter, celular, manjetofon, mp3, televizor apo radio
Zëri i Kuranit përbëhet nga valë zanore me një frekuencë të caktuar dhe shtrirje të caktuar në kohë. Këto valë përhapin fusha vibrimi që ndikojnë në qelizat e trurit dhe bëjnë rivendosjen e ekuilibrit, gjë e cila forcon imunitetin përballë sëmundjeve, duke përfshirë dhe kancerin. Kjo, pasi kanceri nuk është gjë tjetër veçse një çrregullim i punës së qelizës. Leximi i Kuranit, e riprogramon këtë qelizë. Është njëlloj sikur të jemi përballë një kompjuteri të mbushur me viruse, ne e riformatojmë atë, mandej instalojmë programet e reja, duke ia përmirësuar performancën. E nëse kjo realizohet me anën e programeve të prodhuara nga ne njerëzit, ç’mund të themi me programet që janë krijuar nga Krijuesi i gjithçkaje?
Ndikimi i mahnitshëm i leximit të Kuranit
Leximi i vazhdueshëm i ajeteve Kuranore ka këto dobi:
– Forcon imunitetin e trupit
– Rrit kreativitetin
– Shton përqendrimin
– Kuron sëmundjet e rënda
– Ndryshon sjelljen dhe përmirëson komunikimin me të tjerët.
– Qetëson shpirtin
– Trajton reagimet negative si nervozizmi dhe të qenit i rrëmbyer
– Përmirëson aftësinë për të marrë vendimet e duhura
– Të bën të harrosh frikën, të qenit i lëkundur dhe i stresuar
– Zhvillon dhe forcon personalitetin
– Kuron shumë sëmundje të zakonshme, si alergjitë, rrufat dhe dhimbjet e kokës
– Përmirëson të folurit dhe shpejtësinë në artikulim
– Mbron nga sëmundjet e rrezikshme si kanceri etj.
– Bën ndryshimin e duhur në vese të tilla si të ngrënit e tepërt dhe pirjen e duhanit
Lexues i nderuar! Këto janë gjëra që unë i kam provuar personalisht. Dikur edhe unë kam qenë duhanpirës dhe nuk e imagjinoja dot veten pa paketën e duhanit në xhep. Megjithatë, duke dëgjuar sa më shumë Kuran, sikur më shtynte diçka që ta braktisja duhanin pa ndonjë mund të madh. Në fakt, unë habitem se si ka ndryshuar e gjithë jeta ime. Vetëm pasi kam lexuar mbi trajtimin e sëmundjeve me anë të zërit dhe frekuencave zanore, e kuptova ndryshimin e madh në jetën time. Këtë ndryshim, unë ia dedikoj pikërisht librit të Zotit, Kuranit fisnik. Unë nuk kam bërë asgjë më tepër, sesa dëgjimin e ajeteve Kuranore.
Sado kohë që ti përkushtosh Kuranit, të jesh i bindur se nuk ke humbur aspak kohë, për të mos thënë të kundërtën, që ke fituar në kohë. Nëse profeti Muhamed a.s thoshte: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë”, shumë mirë, ne mund të themi se dëgjimi i Kuranit nuk ta humb kohën. Prandaj, nëse e kalojmë të gjithë kohën në leximin e Kuranit, ta dimë se Zoti do na japë bereqet në kohë, pasi do të na pakësohen problemet dhe hallet. Madje, do të vëresh se një punë që të merrte kushedi sa ditë, pas dëgjimit të Kuranit rregullisht, do të marrë shumë herë më pak.
E lusim Zotin që Kuranin ta bëjë shërues për sëmundjet tona dhe dritë që na ndriçon udhën e kësaj bote dhe të botës tjetër! Zoti thotë në Kuran: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus, 57-58)
Referencat:
1- Brain cells tune in to music, www.nature.com
2- Neural oscillations,ëëë.en.ëikipedia.org
3- Brain ëave therapy, Brain Sync Corporation, 2006.
4- Vibration, www.wordpress.com
5- Mike Adams, Vibrational Medicine, NeësTarget Netëork, July 14, 2004.
6- Simon Heather, The Healing Poëer of Sound.
7- Virginia Essene, You are Becoming a Galactic Being.
8- Revolutionary nanotechnology illuminates brain cells at work, www.nanotechwire.com, 6/1/2005.