1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Debati në Komunën e Prishtinës për xhaminë qendrore, të gjithë “pro” – BIK: ja si do të duket

Më të lexuarat

Nga Blendi Gashi

Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në një debat ku të ftuar ishin edhe përfaqësues të Bashkësisë Islame (BIK) janë deklaruar njëzëri “pro” ndërtimit të Xhamisë së Madhe në kryeqytet, por që shumica prej tyre kanë shprehur dilema për projektin si dhe lokacionin e përzgjedhur.

I pari fjalën e mori Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës i cili tha se ftesa për debat në Kuvendin Komunal është për të ndërtuar një konsensues në mes të gjitha partive që mos të ketë akuza më vonë.

Ai bëri të ditur se xhamia do të ndërtohet dhe nuk ka kthim mbrapa.

Xhamia do të ndërtohet, mendoj që ka lokacione më të mira, mirëpo kjo çështje tashmë është e përfunduar. Ka mbetur vetëm të shohim projektin e propozuar nga BIK-u. Në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë ta kthejmë këtë projekt në pikën zero, nuk po flasim për anulim të konkurseve apo projekteve”, tha Ahmeti.

Ai më tej tha se ndërtimi i xhamisë është përtej një kryetari dhe një partie politike.

BIK: Kryeqytetit i ka hije një xhami madhështore

Para asambleistëve foli sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi i cili tha se projekti i Xhamisë Qendrore është ndër më të bukurit në Ballkan.

Kam obligim të jua përcjellë selamet e Bashkësisë Islame të Kosovës,  të myftiut Tërnava. Debati për Xhaminë Qendrore, ka nisur këtu e 17 vjet më parë që nga çlirimi i vendit. Ka dashur Zoti që në vitin 2012 të na gëzojë me dhurimin e lokacionit. Besoj që nuk ka nevojë ta paraqes para jush nevojën e Xhamisë Qendrore në kryeqytet. Në Ballkan e rajon vetëm Prishtinës i mungon Xhamia Qendrore”, deklaroi Rexhepi.

Ai ka thënë se kryeqytetit i ka hije një xhami madhështore.

Xhamia është e besimtarëve. Përkundër iniciativës për përmirësimet e mundshme në projekt, megjithatë puna na është shtyer deri sot. Ky vend ka qeveri ky shtet ka qeveri ka komuna, por nuk ka qenë tendencë e jona të shfrytëzojmë ndonjë vakum. Kryeqytetit i ka hije i duhet një xhami madhështore e cila do të ngërthente në veten e saj edhe traditën dhe ta kemi pjesë të trashëgimisë tonë”, ka thënë Rexhepi.

Tutje Rexhepi ka shtuar se xhamia do të jetë më e madhja në Ballkan.

Xhamia do të jetë më e madhja në Ballkan dhe e them me shumë përgjegjësi. Nëse e kemi përkrahjen tuaj atëherë do ta kemi xhaminë më të madhe në Ballkan. Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, mbështetjen tuaj. Ne e kemi zgjedhur një xhami shumë të bukur dhe ne e dimë shumë më mirë se çka na duhet në këtë kohë”, tha Rexhepi.

Ai më tej tha se xhamia qendrore e kryeqytetit nuk ka të bëjë me asnjë parti politike, dhe koha ua ka imponuar që të ngritin zërin për ndërtimin e saj.

Xhamia është e atyre që kanë vendosur me ju përkul të madhit Zot”, tha Rexhepi.

“Xhamia do ketë katër kate”

Para asamblistëve foli edhe arkitekti i BIK-ut, Esat Ramadani, i cili e ka prezantuar projektin ideor.

Ai ka theksuar se xhamia është shumë funksionale dhe nuk do të pengojë aspak ambientin përreth, duke shtuar se parkingun i xhamisë do të jetë nëntokësor dhe do të mund të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët.

Xhamia do të ketë katër kate, parkingje nëntokësore, me gjithsej 350 vendparkingje të cilat do të mund të shfrytëzohen edhe nga qytetarët tjerë, jo vetëm nga ata që në xhami shkojë për t’u falur”, tha ai.

Ramadani ka folur edhe për objektet përcjellëse të xhamisë, me theks të veçantë dyqanet që do të jenë pjesë e objektit, duke thënë se ato gati se nuk do të vërehen, dhe se nga qiraja e tyre nuk do të mund të mund të kompensohen as 10 për qind e shpenzimeve që i ka ky objekt.

Xhamia do të ketë një bibliotekë dhe sallë të konferencave, të cilat do të mund të shfrytëzohen nga të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim”, ka shtuar ai.

Asambleistët e partive “pro” ndërtimit të xhamisë, ja vërejtjet e tyre

Pasi dëgjuan përfaqësuesin e BIK-ut, asambleistët e partive u shprehën njëzëri “pro” ndërtimit të xhamisë, por që dhanë vërejtjet e tyre për hapësirën e ndarë duke e quajtur të vogël, ndërsa kishte edhe prej tyre që pohuan se do të dëshironin që xhamia të ndërtohet me para shtetit.

Shefki Gashi nga LDK-ja tha se duhet të bëhet e qartë pse nuk ka filluar ndërtimi i xhamisë edhe pas pesë vjetësh nga vendosja e gurthemelit.

Duhet të dihet a ka qenë mungesë e planit, sigurimit të mjeteve, përgjegjësisë se donatorit, apo kujt? Nuk duhet të bëjmë polemika që një subjekt të dalë mbi tjetrin.
Ne e kemi dhënë parcelën, janë dhënë kërkesat e Komunës, duhet të bëhet ndryshimi i planit urban dhe kur do që e sjellin për votim, ne kemi me miratu
”, tha ai.

Gashi tha ca fjalë edhe për myftiun Naim Tërnava nga i cili kërkoi  që të mos acaron situatën me deklarimet që bën.

Tërnava të mos acaroi situatën por të fillohet me punë. Kjo është kërkesë e LDK-së”, tha Gashi, i cili tha se mirë do ishte që xhamia të ndërtohet me para të qytetarëve të vendit.

Ndërsa Ylli Hoxha, asambleist nga Vetëvendosje, tha se xhamia duhet të ndërtohet, mirëpo ka nevojë që të merren të gjitha palët nëse orientimi i objektit përkon apo jo me lokacioni.

Pikëpamjet e mia nuk mendoj se duhet ta kthejnë projektin prej fillimi. Propozoj që të sanohen problemet e vogla dhe pengesat e vogla që e pengojnë projektin.
E para mendoj se orientimi i objektit spërkon me vend lokacionin, është dhënë gabimisht më 2012. Madhësia e parcelës nuk korrespodon me madhësinë e rrugës. Për këtë objekt është dashur të ndahet parcelë shumë më e madhe. Askund nuk ka që objekti i postes të jetë i ngjitur me xhaminë, por përpara çdo xhamia është nje shesh i tërë
”, tha Hoxha.

Edhe ky foli për financimin ku tha se më së miri do ishte që shteti ta ndërtojë objektin me para të veta.

Por nuk e di a i kemi 40 milionë euro? Mendoj se nëse nuk i kemi 40 milionë me ndërtu, duhet t’i kemi 16-17 mijë me e mirëmbajtë”, tha ai.

Edhe Muhamet Selmani asambleist nga PDK shprehu qëndrimin për ndërtimin e xhamisë, ndërsa vërejtjet e tij ishin për parcelën e ndarë.

Parcela për këtë objekt është shumë e vogël”, tha ai.

Mirlinda Sopi nga asambleiste nga AKR nuk paraqiti problem lokacionin, por kërkoi sqarime pse qe pesë vjet nuk është filluar me ndërtimin e xhamisë.

Është një gurthemel që ka mbet qe 5 vjet, cila është arsyeja?. Jam e shqetësuar se po tentohet me u politizu, sepse po flitet nga këndi politik. Inkurajoi komunën, dhe BIK-un që sa më parë të fillojë ndërtimi i xhamisë e aq më tepër që është kërkesë e qytetarëve dhe banorëve të asaj lagje. Për neve nesër të niset puna në atë lokacion”, tha Sopi.

Kurse Visar Arifaj nga Partia e Fortë, shprehu kundërshtinë e tij me projektin për çka tha se ka parë në BIK shumë projekte më të mir andaj kërkoj që të mos ketë nguti me përgjedhjen.

Nuk mendoj se ky projekt është më i miri për të vazhduar përpara. Kam parë nga BIK me dhjetra projekte që kanë qenë më të përshtatshme. Është një kopje e një arktitekture para 500 vjetëve. Jam që të ndërtohet xhamia dhe të jetë identifikuese e qytetit, por jo me u ngut me na mbet si gabim i shekullit 21 që një grup i njerëzve e kanë bërë këtë punë për me heq gajle”, tha Arifaj.

Edhe asambleist të AAK-së dhe Partisë së Drejtësisë e përkrahën ndërtimin e xhamisë.

Kujtojmë se xhamia do të financohet nga Bashkësia Islame Turke, dhe kostoja e saj pritet të kap shifrën prej 35 milionë eurosh. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit