9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

DEBATI I KADIUT EBU BEKËR IBËN TAJIB ME TË KRISHTERËT

Më të lexuarat

Në vitin 371, sulltani Adududeule e dërgoi kadiun Ebu Bekër ibën Tajib, i njohur edhe si Ibën Bakilani, e dërgoi emisar në Kostandinopojë me një detyrë të posaçme diplomatike. Perandori bizantin, kur u vu në dijeni për pozitën e kadiut e ftoi për bisedë. Ndihmësit i treguan që kadiu do të refuzojë të përulet përpara tij me dorën në gjoks, ashtu siç e kërkon protokolli për nënshtetasit. Perandori vendosi ta priste në një sallë me portë të ulët, të përgatitur enkas për raste të tilla, për ta detyruar kadiun të hyjë i përkulur. Kur kadiu iu afrua portës, i ra në të hilesë, u rrotullua dhe zuri të ecte mbrapsht dhe hyri në sallë me të pasme, pastaj u ngrit në këmbë dhe u drejtua drejt perandorit. Aty, perandori e kuptoi se kishte të bënte me një gjeni.(1)

Transmetohet që kadiu Ebu Bekër, gjatë takimit, iu drejtua peshkopit të madh që merrte pjesë në debat me pyetjen: Si je? Si e ke gruan dhe fëmijët? Perandori i zemëruar iu drejtua: Më kanë thënë që ti je dijetar me reputacion në miletin tënd. A nuk e di ti që atyre nuk u takon të kenë as gra e as fëmijë?! Atëherë Bakilaniu ua ktheu: Po ju Zotin nuk e madhëroni duke mos i mohuar grua e fëmijë, ndërkohë priftërinjtë tuaj i madhëroni dhe mohoni të kenë gra e fëmijë!! A mos janë ata më të pastër e më të shenjtë se vetë Zoti?!(2)

Njëri nga peshkopët, për ta kapur ngushtë i tha: Si është puna e gruas së profetit tuaj? Si është puna e akuzave për imoralitet? Kadiu ia ktheu përgjigjen rrufe e i tha: Dy gra janë përfolur për keq, Merjemja dhe Aishja, e vetë Zoti ka dëshmuar që janë të pastra. Aishja kishte burrë dhe nuk solli fëmijë në jetë, ndërsa Merjemja nuk kishte burrë dhe solli fëmijë. Nëse dikush duhet patjetër të mendojë keq për të parën, atëherë për të dytën duhet të mendojë akoma më keq. (3) Këtu iu qep goja peshkopit të krishterë dhe nuk diti nga t’ia mbante.

Hoxhë Florian Leli


(1) Historinë e transmeton Hatib Bagdadiu në librin “Historiku i Bagdadit” 3/364. Marrë shkurtimisht.
(2) Shiko librin “Es sijer” të imam Dhehebiut, në jetëshkrimin e Ibën Bakilaniut, 17/190.
(3) Shiko “El bidaje uen nihaje” të Ibën Kethirit, kapitulli i ndodhive të vitit 413, 15/547.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit