0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Dean: Kosova ka Kushtetutën më të avancuar në rajon

Më të lexuarat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur të mërkurën anëtarin e Bordit të NDI-së, për zhvillimin e politikave, Howard Dean, i cili për shumë vjet ishte guvernator, kryetar i Komisionit Kombëtar Demokratik dhe ish-kandidat për president të SHBA-së, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me institucionet e SHBA-së, me theks të veçantë për bashkëpunimin e frytshëm me Institutin Nacional Demokratik (NDI).

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se mbështetja e këtij instituti do të jetë tepër e rëndësishme për themelimin, ngritjen dhe funksionalizimin e Shërbimit të Hulumtimeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka theksuar rëndësinë që i jepet punës transparente të Kuvendit, duke veçuar në këtë mes transmetimin televiziv të seancave të Kuvendit, pjesëmarrjen e gupeve të qytetarëve në sallën e mbledhjeve plenare, si dhe publikimin e transkripteve dhe të materialeve të tjera në ueb-faqen e Kuvendit, përfshirë edhe rezultatet e votimit elektronik, që e bëjnë të lehtë edhe monitorimin e punës parlamentare nga shoqëria civile.

Krasniqi ka folur edhe për standardet e larta të institucioneve të Kosovës për minoritetet, por ka theksuar edhe vështirësitë që ka Kosova me strukturat serbe në veri të vendit, të shtyra nga regjimi i Beogradit.

Ndërkaq, sa i përket garantimit të drejtave të minoriteteve, Howard Dean, e ka quajtur Kushtetutën e Kosovës si më të arriturën ndër vendet e rajonit.

Ai ka vlerësuar hapat e mirë që ka bërë Kosova në rrugën e demokratizimit dhe shtetndërtimit, duke u shprehur i bindur se SHBA-ja dhe vende të tjera mike do ta mbështesin Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe anëtarësim në NATO.

Lidhur me Shërbimin e Hulumtimeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të cilin do ta mbështesë NDI, ka thënë se në të duhet angazhohen njerëz profesionalistë dhe politikisht neutral, për të komunikuar dhe ndihmuar deputetët e të gjitha grupimeve politike, para se çështjet e caktuara të votohen në Kuvend. /kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit