1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

De Biasi: Ja çfarë po ndodh me kombëtaren, Kaçen dhe Dukën…

Më të lexuarat

Pas një periudhe qetësie pas humbjes me Izraelin, trajneri i përfaqësueses Gianni De Biasi në një intervistë për Top Channel analizon një nga disfatat më të dhimbshme ndoshta që nga periudha kur drejton kombëtaren tonë. Por kjo nuk është më përfaqësuesja e Europianit të Francës dhe kësaj gjëje De Biasi thotë se i trembej më parë.

“Unë mendoj se si të gjitha qeniet njerëzore, pasi kanë arritur një sukses të madh, të rikthehesh në një garë të re, në një tjetër realitet, në një tjetër sfidë është shumë më e vështirë nga sa duket. Ky është kundërshtari ynë më i madh. Kjo ka qenë gjëja e parë që unë i kanë thënë lojtarëve në momentin e parë që jemi takuar pas Europianit. Ne të gjithë jemi të bindur se po bëjmë të njëjtën gjë, po stërvitemi në të njëjtën mënyrë, por mungon ajo shkëndija që duhet për të arritur objektivin”,- thekson De Biasi.

Edhe pse nuk është i bindur se Mavraj, Hysaj apo Berisha e të tjerë lojtarë luajnë më mirë me klubet se tek përfaqësuesja ai ka një paralajmërim për këdo lojtarë që guxon të bëj një dallim të tillë.

“Trajneri është aty për të parë, ka sytë për të parë dhe i sheh të gjitha çfarë funksionon dhe çfarë jo, për këtë arsye më pas bëhen zgjedhje, por edhe kur bën zgjedhja del dikush që gjithmonë do të sulmoje për njërin apo tjetrin që lë jashtë. Mos mendoni që ne punojmë kur grumbullohet ekipi, ne punojmë çdo ditë për atë listë që publikohet”,- shprehet trajneri italian.
Pas humbjes me Izraelin njëzëri, disa nga lojtarët e kombëtares dhe jo vetëm ia atribuuan humbjen terrorit policorë, por ndryshe mendon trajneri.

“Jooo, këto janë budallallëqe. Policia ishte për ne siç ishte edhe për ata, nuk ndryshon asgjë. Te mos fshihemi pas gishtit. Ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol të parë që mund ta evitonim. Mund evitonim aksionin nga lindi goli, nga një top i gjatë 50 metra, që nuk mund të kalojë kurrsesi ashtu”, vë në dukje De Biasi.

Ditët e fundit mediat italiane flasin për një debat të De Biasit që lidhej me mosarritjen e qëllimit për të drejtuar axurrët, por për italianin kjo çështje ka mbaruar. Fakti i lakimit të emrit të tij për shumë pankina që tronditen kryesisht në Itali, kanë bërë të mendohet se motivimi i tij nën drejtimin e pankinës kuq e zi ka rënë, por ndryshe mendon De Biasi.

“Mendoj qe jam shumë herë më i motivuar tani se sa ne ditën e pare qe kam ardhur, sepse kjo skuadër është një krijesë që u formua nga hiçi dhe është bërë dikushi. Është bërë diçka e rëndësishme, aq sa askush nuk e priste që Shqipëria të shkonte në ato nivele”, – tha ai.

Në fund të intervistës De Biasi i rikthehet edhe një herë çështjes së tifozëve, duke i mbështetur në kauzën e tyre, por njëkohësisht duke shpresuar në mbështetjen e tyre.

“Unë e mbështes tifozerinë me problemet që ata kane sepse unë mendoj qe tifozët tanë janë shumë të veçante. Por duhet të kuptojnë qe ndeshja me Izraelin kishte një specifike të veçantë sepse ishte një shënjestër e akteve terroriste. Shpresoj që në ndeshje të tjera të mos ketë aq shumë kontrolle persekutuese që janë kundër frymë së sportit”, – u shpreh De Biasi.

Intervista e plotë

TCH: Përse humbja me Izraelin na la një shije kaq të hidhur? Si e shihni ju?

De Biasi: Sepse Izraeli nuk është Spanja, nuk është Serbia, nuk është Portugalia që na kanë mundur në shtëpi. Për fat të keq është një skuadër e cila ka të njëjtat cilësi si ne. Kjo ndeshje ishte shumë e veçantë, pasi pas 16 minutash pëson një gol me penallti dhe nxjerrja e një lojtari me të kuqe është e qartë se ndeshja bëhet e vështirë.

TCH: Pas kampionatit europian është vënë re një ulje e pritshmërive të lojtarëve, mendoni edhe ju kështu dhe për çfarë arsye?

De Biasi: Besoj se si të gjithë njerëzit, pasi dikush arrin një sukses të madh, rikthimi në garë, në një realitetet të ri, në një sfidë të re, është më pak e lehtë se sa mund të duket. Ky është kundërshtari më i madh që ne kemi. Është gjeja e parë që kam folur me djemtë kur jemi takuar për herë të parë. U kam marrë si shembull se kush ngjitet për herë të parë në Seria A, Bundesligë, duke marrë pjesë në një kompeticion më të madh, jep 110 %. Vitin pasardhës 99 në 100 raste, kjo skuadër bie nga kategoria. Në kokat tona jemi të bindur që të bëjmë të njëjtën gjë, të stërvitemi në të njëjtën mënyrë, por mungon ajo shkëndija për të arritur objektivin.

TCH: Nga ky këndvështrim, mund të themi se Europiani na ka bërë dëm? Apo nuk jemi mësuar që të luajmë në këto nivele dhe vuajmë më pas?

De Biasi: Jo jo, besoj se Europiani u ka bërë mirë të gjithëve, kombit, futbollit shqiptar. Sepse herë pas herë jashtë kufijve flitet për Shqipërinë në terma pozitivë.

TCH: Lojtarët në skuadrat e tyre janë më të përqendruar, luajnë në një mënyrë tjetër, nuk e di nëse jeni dakord?

De Biasi: Unë nuk e di nëse i shikoni të luajnë, besoj se jo, por kjo nuk ka rëndësi. Unë i ndjek rregullisht dhe shoh se lojtarët japin të njëjtën gjë, e më tepër skuadrat janë të ndryshme nga kombëtaret.

TCH: Flas për Hysajn, Berishën, Mavraj që edhe këtë javë pamë se luajtën mirë, për këta lojtarë

De Biasi: Çfarë beson, se kur luajnë me kombëtaren, luajnë keq. Por është një përbërje skuadre, nuk janë e njëjta gjë. Është çështje motivimi, me skuadrën janë 7 ditë në javë së bashku, ndërsa me kombëtaren janë 7 ditë në 4 muaj.

TCH: Për ndeshjen e fundit është diskutuar tepër për sulmin me 3 lojtarë kur ishim me 9 lojtarë në fushë. Mund të na jepni një shpjegim, se si e patë këtë moment të skuadrës, për këto zgjedhje?

De Biasi: E pashë ashtu siç pashë të gjithë ndeshjen. Një skuadër me 2 lojtarë më pak në fushë, në vështirësi. Por rrezikuam më tepër, u vendosëm me 4 lojtarë prapa, 2 në mesfushë dhe me 2 sulmues në krahë dhe një në qendër. Po kërkonim të kishim më tepër peshë në sulm. Nuk është se ndryshoj rrjedhën e ndeshjesh, me dy lojtarë më pak u munduam që të shënojmë një gol, për të rritur shpresat, pas ishim 2-0.

TCH: Do të bëje të njëjtat zgjedhje nga formacioni tek zëvendësimet?

De Biasi: Po do të bëjë të njëjtat, pas ndeshjesh është tepër e lehtë që të bësh zgjedhje. Mund t’i bëjnë gazetarët. Para ndeshjesh vendoset në bazë të gjendjes, se si ti e ke përgatitur ndeshjen dhe si i ke parë ata lojtarë në ato 6-7 ditë.

TCH: Mavraj duket më pak i motivuar. Duket sikur nuk po argëtohet më gjatë lojës, sikur luan me detyrim. A mos ka lidhje kjo me pretendimin e tij për të qenë ai kapiteni.

De Biasi: Unë nuk jam mësuar të bëj dallime kur gjerat nuk shkojnë mirë. Unë jam mësuar të flas për skuadër jo për individ. Sot këto lloj akuzash, duke nisur nga unë tek lojtarët që nuk japin maksimumin nuk çojnë gjëkundi. Trajneri është aty për të parë, ka sytë për të parë dhe i sheh të gjitha çfarë funksionon dhe çfarë jo, për këtë arsye më pas bëhen zgjedhje, por edhe kur bën zgjedhja del dikush që gjithmonë do të sulmoje për njërin apo tjetrin që lë jashtë. Mos mendoni që ne punojmë kur grumbullohet ekipi, ne punojmë çdo ditë për atë listë që publikohet.

TCH: Të mungon një personazh si Lorik Cana për të motivuar lojtarët? A është Ansi Agolli personazhi i duhur për të motivuar skuadrën e shokët e skuadrës?

De Biasi: Cilësia nuk i mungon si njeri, apo eksperienca sigurisht si lider. Gjithsesi nuk mund të mendojmë për ata që janë, duhet të mendojmë për ata që janë. Nëse flasim për Lorik Canën dhe Europianin, për fat të keq nuk mund të flasim për probleme të jashtëzakonshme.

TCH: Por a është Agolli si Cana, a i ka aftësitë për të motivuar skuadrën?

De Biasi: Çdo person është i ndryshëm, ne nuk kërkojmë një Lorik Cana, ne kërkojmë një skuadër. Ne nuk duhet t varemi nga individët. Pa Canën kemi fituar ndaj Rumanisë në Europian dhe kemi bërë ndeshje të bukura. Kështu që besoj se është problem për t’i personalizuar gjerat, besoj parimisht se duhet të jetë një skuadër dhe duhet të japë 100%.

TCH: Presidenti Duka në intervistën e fundit u shpreh se kritikët e Gianni De Biasi janë xhelozë për punën dhe pozicionit e tij. Si e mendoni?

De Biasi: Është opinioni i tij, nuk është se ndodhem atje dëgjoj çfarë thonë të tjerët. Mund t’ju duket e çuditshme por për mua për ato që thotë shtypi bëj një reflektim edhe kaq.

TCH: Në ditët e fundit kemi lexuar në shtyp për kandidaturën tuaj për pankinën italiane….

De Biasi: Mbaroi, stop, nuk vazhdojmë. Ju doni të dini se kush futi shkopat nën rrotë.

TCH: Desha t’ju pyes a jeni i motivuar si në ditën e parë në pankinën e Shqipërisë?

De Biasi: Jo, besoj se jam akoma edhe më tepër. Ndjehem më i motivuar sot, se ditën që erdha në Shqipëri, sinqerisht. Edhe pse shoh një krijesë që lindi nga hiçi e u kthye në diçka të rëndësishme. Diçka të rëndësishme pasi askush nuk e besonte se Shqipëria mund të arrinte në ato nivele. Sot që Shqipëria ka arritur në ato nivele, dikush ankohet se Shqipëria humbet me Izraelin, apo humbim në shtëpi kundër Spanjës.

TCH: Sa e vështirë është të ribëjmë të njëjtën lojë që bëmë në Europian?

De Biasi: Nuk është e vështirë. Loja është e njëjtë, por janë paraqitjet e lojtarëve që bëjnë diferencën. Nëse dikush nuk jep 100%, është r njëjti gjë që të thashë më parë.

TCH: A mund t’ju pyes për marrëdhëniet tuaj me Kaçen? U prish përgjithmonë, apo ka ndonjë shpresë për Kaçen, apo Abrashin me të cilin është parë një ftohje?

De Biasi: Jo jo, Keni folur vetëm ju.

TCH: Ka folur edhe lojtari.

De Biasi: Me Kaçen kam folur vetëm njëherë para ndeshjes. Ia kam bërë gjerat mjaft të qarta. Ato çfarë i thashë janë gjera që nuk ju interesojnë juve, por atij.

TCH: A mendoni se siguria e tepruar, masat e rrepta të policisë, ndikuan në lojën e skuadrës në ndeshjen e fundit?

De Biasi: Jooo, kjo është një shaka. Policia ishte për ne siç ishte edhe për ata, nuk ndryshon asgjë. Te mos fshihemi pas gishtit. Ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol të parë që mund ta evitonim. Mund evitonim aksionin nga lindi goli, nga një top i gjatë 50 metra, që nuk mund të kalojë kurrsesi ashtu. Më pas një faull që ishte ose jo nuk e di, apo nëse ishte faull për të kuqe, nuk e di. Gjithsesi ky episod ishte ai që vendosi ndeshjen dhe jo policia, e cila ndodhej aty për sigurinë tonë.

TCH: Çfarë mund të presim akoma nga këto kualifikuese?

De Biasi: Nuk e di se çfarë mund të presim, varet nga ndeshjen që do të bëjmë. Mungojnë ende 6 ndeshje, nuk jemi as në gjysmë të garës. Nuk kemi ndeshjen e fundit deçizive, duhet të luajmë edhe 6 ndeshje. Duhet të prezantohemi me një shpirt ndryshe. Sa më tepër që përmirësohet një lojtar, aq më shumë rritet skuadra, nga pikëpamja e lojës kolektive.

TCH: Deri në ndeshjen e ardhshme kualifikuese, a kemi në program ndonjë ndeshje miqësore?

De Biasi: Nuk ka hapësira për miqësore, do të luajmë me Italinë më 24 mars. Praktikisht më duket e pamundur për shkak të kohës që kemi në dispozicion. Ndoshta do të kemi mundësi të luajmë ndonjë ndeshje më parë, për ta përgatitur ndeshjen që luajmë më 24 mars.

TCH: Tifozët kanë vendosur të braktisin kombëtaren në stadiume pas masave të tepruara të sigurisë në ndeshjen ndaj Izraelit, a keni ndonjë mesazh për tifozët?

De Biasi: Unë e mbështes tifozerinë me problemet që ata kane sepse unë mendoj qe tifozët tanë janë shumë të veçante. Por duhet të kuptojnë se kjo ndeshje ishte e veçantë, ishte nën objektivin e akteve terroriste. Kështu që edhe kontrollet e rrepta ndodhin në ndeshje me rrezik të lartë. Besoj se në ndeshjet e ardhshme nuk do të jenë këto lloje kontrollesh dhe besoj se ata do të hyjnë me qetësi dhe pa pësuar kontrolle fyese, që janë kundër frymë së sportit./TCh/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit