7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

DAVUTOĞLU: Buharaja, Konja dhe Shkupi janë tri qytete të ndryshme, ku ndjen të njëjtë gjë

Më të lexuarat

Kjo është intervista e parë që dha Prof. Ahmet Davutoğlu pasi u largua nga posti i kryeministrit, por ai iu shmang diskutimeve politike.

Prof. Dr. Ahmet Davutoğlu dha një intervistë me rastin e publikimit të librit me titull “Qytetërimet dhe Qytetet”. Kjo është intervista e Davutoğlu-së në kanalin Haberturk:

HABERTURK: Pas një kohe fare të shkurtër nga largimi juaj nga posti i kryeministrit u botua libri juaj i ri. Brenda një apo dy javëve e keni shkruar?

DAVUTOĞLU: Në vitin 2002, kur u vendosa në postin e kryekëshilltarit kisha 4-5 projekte librash. Kur rrjedha e jetës sime ndryshoi, pjesa më e madhe e atyre projekteve mbetën pa u përfunduar. Kisha në dorë një punë mbi atë se si duhet lexuar historia osmane. Do të ishte si një hyrje për librin që do ta titulloja Thellësi historike. Një kapitull ishte rreth qytetit dhe qytetërimit. Kuptova që kishte dalë një kapitull i shkruar mirë dhe vendosa ta botoj si një libër të veçantë. 80 për qind të këtij libri e kam shkruar në avion. Historinë time të njohjes me qytetet që përfshihet në kapitullin e parë e kam shkruar brenda 4 muajve të fundit. Pjesa teorike bazohet shumë herët në kohë.

HABERTURK: Çfarë ndjesie është të jesh kryeministër? Ishit në krye të politikës, tani jeni një deputet i thjeshtë. E ndjeni mungesën?

DAVUTOĞLU: Çfarëdo detyre apo profesioni të keni pranuar si pjesën më të rëndësishme të jetës suajkur shkëputeni prej saj bini në zbrazëti. Por, nëse boshti i jetës suaj ka zënë vend në botëkuptimin tuaj dhe nëse profesioni dhe posti juaj janë vetëm një pjesë e atij botëkuptimi, atëherë nuk ndjeni zbrazëti. Çastet më të rëndësishme ekzistenciale të qenies njerëzore janë ato momente kur përfundimi dhe fillimi puqen. Me përfundimin e kongresit në 22 maj, isha në pikën ku bashkoheshin fillimi me mbarimin. Jam akoma në politikë. Nuk jam shkëputur. Nuk ndjej asnjë humbje dëshire. Ritmi i punëve shtetërore ishte tepër i ngjeshur. Veç në këtë kuptim intensiteti i punës sime pësoi rënie. Në jetë njeriu më i fortë është ai që është në paqe me vetveten.

HABERTURK: Si e kaloni ditën?

DAVUTOĞLU: Në mënyrë të kontrolluar. Ndjej lumturinë që më jep përdorimi i vullnetit tim. E bëj vetë programin tim. Pas syfyrit lexoj për një kohë të gjatë, shkruaj. Që kur dhashë dorëheqjen si kryeministër e gjer më tani i gjithë orari i punës së pasdrekës kalon me pritje e vizita. Kur vij në Stamboll takohem me studentët e mi. Kaloj më shumë kohë me familjarët e mi. Kemi nisur mësimin në shtëpi me zonjën Sare, Mehmetin dhe Haxheren.

HABERTURK: Çfarë mësimi?

DAVUTOĞLU: Diç si mësim jete. Haxherja lexon ato që ka shkruar vetë. Mehmeti tregon ato që ka jetuar. Këto ditë flasim më shumë rreth Ramazanit. Është kaq bukur të gjesh kohën për këtë gjë!

HABERTURK: Si e pritën situatën e re njerëzit e shtëpisë?

DAVUTOĞLU: Mëngjesin e ditës që u shkëputa, vajza ime Haxherja më solli një letër ku shkruante: “Tani e kuptova arsyen përse babai im 9 vite më parë kur erdhëm në Ankara tha: ‘Me çdo gjë mund të mësoheni, por vetëm me këto poste nuk do të mësoheni dot’”. Haxherja e sheh vendin ku jeton e banon si një pjesë të vetes. Nuk ishte aspak e kënaqur kur u largua nga Stambolli. Por, në Ankara gjeti shumë ambiente dhe miq të cilët i donte. Tani, përveç trishtimin të ndarjes me ta, është e lumtur, sepse tani do të kaloj më tepër kohë me të.

HABERTURK: Çfarë thotë zonja Sare për ato që ndodhën?

DAVUTOĞLU: Kjo ishte një detyrë edhe për të. E kryente me dinjitet, por me vështirësi. Tani që i është kthyer jetës sonë të mëparshme ka gjetur qetësi. Do të mund t’u ndajë më shumë kohë të sëmurëve të saj. Por, tani për tani është e ngarkuar me ngritjen e një shtëpie të re. Këtë vendim e mora më 5 maj. Në atë çast të gjithë parametrat e jetës sonë ndryshuan. I thashë zonjës Sare se duhej ta linim sa më parë banesën ku rrinim dhe të barteshim menjëherë në shtëpinë tonë. Gjeti shumë shpejt një shtëpi, e mobiloi. Pa u mbushur një muaj, me një rastësi të çuditshme më 7 qershor, pra në përvjetorin e zgjedhjeve, u larguam nga rezidenca kryeministrore. Zonja Sare akoma nuk e ka rrokur plotësisht çfarë ka ndodhur. Që nga ajo ditë është në lëvizje.

HABERTURK: Ku e kaloni pjesën më të madhe të ditëve tuaja? Ka fituar peshë Stambolli?

DAVUTOĞLU: Ka një rrjedhë të natyrshme që e solli shkëputja nga detyra. Drejtova deri më datë 22 maj. Pas datës 22 maj u përballa me shqetësimin e transportimit të librave që i kisha mbledhur në Ankara. Kisha një radhë të madhe miqsh që më vinin për vizitë. Në fillim të javës së kaluar u ktheva në Stamboll. Tani e në vazhdim rrjedha e përgjithshme e jetës sime do të jetë në Stamboll. Do shkoj një ose dy herë në javë në Ankara, siç do ta kërkojnë veprimtaritë në Kuvend.

HABERTURK: Do t’i riktheheni mësimdhënies?

DAVUTOĞLU: Nuk kam hequr dorë kurrë nga mësimdhënia. Edhe në Ankara kishte një atmosferë të tillë që e shijoja. Unë pata fatin ta përjetoja një shans historik që rrallëkujt i bie për hise. Pas një përvoje të dendur teorike të akumuluar, fitova përvojën praktike të shtetit. Mendoj të realizoj disa studime me një grup studentësh që e kuptojnë këtë përvojë. Dëshiroj që bashkë me miqtë e mi akademikë të kualifikuar dhe me përvojë në shtet, të krijojmë një grup të veçantë dhe nën udhëheqjen e përvojës të diskutojmë për problemet tona si shoqëri e të kërkojmë zgjidhje për çështje jetësore që nevojitet të shtjellohen. Po mendoj të jap leksione në universitet. Marr mesazhe të shumta nga studentët e mi që kërkojnë kthimin tim në jetën akademike.

 

“Në qytet kishte vende të fshehta ku prehesha”

HABERTURK: Në librin tuaj shkruani se “qytetet janë pasqyrime në hapësirë të botëkuptimeve qytetërimore. Shfaqjet në terrenin historik, politik e social të parametrave themelues të qytetërimeve dalin në pah tek qytetet.” Çfarë marrëdhënieje konstatoni mes qyteteve dhe qytetërimit?

DAVUTOĞLU: Qëndrimi në Stamboll e pajis njeriun me një botëkuptim dhe perceptim të mjaftueshëm për një libër të tillë. Prandaj në libër them se “Stambolli është mësuesi im”. Që në periudhën e fëmijërisë e kam vënë  re duke e jetuar lidhjen mes qytetit dhe qytetërimit. Kam studiuar në shkollën me konvikt të Liceut të Stambollit. Të mërkurave kishim dy orë leje të dilnim jashtë. Shkoja në parkun Gylhane. Lexoja diçka teksa sodisja Sarajet e Topkapësë dhe Bosforin. Kur hyra në Universitetin e Bosforit, kishte vende të fshehta ku mund të prehesha. Dilja mu përballë portës së Ashijanit, rrëzë fortesës së Rumelisë. Rrija ulur aty me orë të tëra duke lexuar ose shkruar mbi kokën e një varri. Këto krijuan një akumulim. Kur e percepton që je pjesë e një kulture me rrënjë të thella, të lindin pyetje si: “Qytetet janë pjellë e qytetërimeve apo qytetërimet pjellë e qyteteve?” Kjo është një pyetje që hap shumë diskutime. Jam rrekur të tregoj se të dyja përfundimet qëndrojnë. Ka qytete që kanë ngritur qytetërime. Si Roma, Medina dhe, deri diku, Athina… Me shndërrimin dhe themelimin e Medines nga Hz. Muhammedi, lindi qytetërimi islam. Paskëtaj çdo qytet islam i ngjante Medines. U krijuan qytete boshte. Njëherësh ka edhe qytete që janë themeluar nga qytetërime. Bagdadi u ndërtua me ferman nga kalifi abasid. Ka dhe qytete të përcjella përmes mërgimeve ose ndikimeve kulturore. Buharaja, Konja dhe Shkupi janë triqytete të ndryshme por që po të endesh në rrugët e tyre ndjen të njëjtë gjë. Ka edhe nga ato qytete të cilat janë nxjerrë jashtë historie nga qytetërimet. Aleksandri i Madh themeloi shumë qytete, por shkatërroi Persepolisin. Ka dhe qytete që janë kthyer në qytete imagjinare. Si Selaniku e Kordoba… Marakeshi është vendi qytetërimi që bëhet njësh me gjeografinë. Kur vajta në Timbuktu, pashë se si ky qytet në mes të Saharasë krijonte një linjë me Marakeshin. Janë edhe disa pjesë ku kam shpjeguar se si janë krijuar qytetet mbi brezat gjeokulturorë. Kush e zbulon qytetin, zbulon vetveten…

HABERTURK: Në librin tuaj flisni shpesh për nocionin e “vetëperceptimit”…

DAVUTOĞLU: “Vetëperceptimi” është një koncept që e kam zhvilluar si konceptimin themelor që përbën vetëdijen politike dhe historike. Ajo që kam parasysh është shndërrimi i botëkuptimit të njeriut mbi ekzistencën e tij në një formë qytetërimi. Për shembull, përse Roma dhe Medina janë dy produkte të dy botëkuptimeve? Përse njëri ishte një madhështi që e shtypte njeriun, kurse tjetri  modest por madhështor brenda asaj modestie? Ekziston një lidhje midis mënyrës se si njeriu e shikon jetën dhe formimin e qyteteve. Përse në Alhambra, në çdo cep të atij pallati aq të bukur është vënë shprehja “La galibe illallah”? Ky është një botëkuptim. “Nuk ka ngadhënjyes përveç Allahut”. Pra, me fjalë të tjera, do të thotë: “Kurrsesi mos kujto se ky shkëlqim e madhështi në këtë pallat të përket ty!” Ky pra është një botëkuptim. Kur them “vetëperceptim”, e kam fjalën për botëkuptimin e njeriut mbi ekzistencën e tij.

Kurse me “vetëperceptim” të qytetërimeve kam parasysh formimin e atij botëkuptimi qytetërimthemelues. Njerëzit që iknin nga Meka për në Medine nuk ishin njerëz me ndonjë arsim ose përvojë të madhe historike. Ishin njerëz të zakonshëm, por mbartnin një botëkuptim të tillë sa në fillim e ndërtuan Medinen e më pas thurën botëkuptimin e të gjitha qyteteve që kishin si model Medinen, nga Kashgari deri në Kordobë. Ose, për shembull, ata që u nisën me Aleksandrin e Madh nga Maqedonia kishin më pak akumulim se qytetërimi pers. Por, patën një aventurë të tillë, saqë i radhitën si gurët e tespiheve qytetet që edhe sot e kësaj dite njihen me emrin e Aleksandrit. Kjo ka vlejtur edhe për ne. Ngaqë kam lindur në Konja, atë qytet e shoh si një pjesë të shpirtit tim. Si në Buhara, ashtu edhe në Sarajevë, thith ajrin e Konjas. Cili është pra botëkuptimi që fshihet pas gjithë kësaj? Në të gjitha punimet e mia akademike përgjigjen e kësaj e kam kërkuar. Kjo më ka shpjerë në punimin mbi “vetëperceptimin e qytetërimeve”. Ka një lidhje mes asaj se si e konceptoni veten dhe qytetit që ndërtoni…

 

“Gjatë detyrës sime si kryeministër gjithmonë kam qenëkritik ndaj ndërtimeve në Stamboll”

HABERTURK: Qyteti i pari që e keni vizituar kur keni dalë jashtë shtetit për herë të parë ka qenë Londra. Çfarëndjetë atëherë?

DAVUTOĞLU: Kisha njohje mbi kulturën perëndimore nga romanet dhe klasikët perëndimorë që kisha lexuar në liceun e Stambollit. Si dhimbja e parë e syve, Londra ende më impresionon. Krahasoj Piccadilly Circus me sheshin Taksim. Londra në krahasim me Stambollin është më mekanike, më e rregullt, por nuk e përfshin njeriun siç bën Stambolli. Fëmijërinë e kam kaluar në Fatih, Fener dhe Balat. Kisha, sinagoga e xhami ishin të gjitha në një vend. Ndjeja harmoninë kulturore të erës që ka fryrë aty prej shekujsh. Londra m’u duk shumë e njëtrajtshme. Që një qytet ta kalojë provimin e “të qenit qytet” duhet t’i ketë lënë pas 1000 vjet. Në krahasim me Stambollin, Londra është një qytet shumë i ri.

HABERTURK: Por, thoni se ju bëri përshtypje kur patë një dyqan çadrash hapur që prej viteve 1830-të dhe u trishtuat me traditën e shpartalluar qytetare të Stambollit…

DAVUTOĞLU: Kontrasti midis Londrës me rrënjë të reja por me traditë të ruajtur dhe Stambollit me rrënjë të lashta e të thella por që vazhdon ta shkatërrojë traditën e vet, më jep shumë dhimbje.

HABERTURK: Po kush është përgjegjës për shkatërrimin e Stambollit?

DAVUTOĞLU: Në Stamboll ka një traditë qytetare të lashtë që nga e shkuara deri sot. Ka një arkitekturë të lashtë që fillon nga Fatih Sulltan Mehmeti e që merr formë veçanërisht me arkitekturën e arkitekt Sinanit. Në shekullin XIX qyteti filloi të zgjerohej, por edhe në atë periudhë u zhvillua brenda një harmonie të caktuar. Por, gjatë përballjes me modernitetin, në emër të të krijuarit një qytet modern, u sollëm vrazhdë me qytetin tonë me rrënjë të lashta. Kjo nuk ndodhi në një periudhë të vetme. Pati një periudhë shkatërrimi në vitet e para të republikës, ku vepra e vakëfeve u vunë nëpër depo e haure dhe qindra xhami, çezma publike, medrese e komplekse arkitektonike u përdorën për qëllime të tjera e u dëmtuan. Gjatë hapjes së bulevardeve “Vatan” e “Milet” në emër të modernitetit, kemi humbur shumë vepra. Nëse një qytet organik si Stambolli orvateni ta ktheni në një qytet mekanik si Parisi, jeta organike në të do të zhduket. Tani Stambolli është në fazën e kalimit nga moderniteti në globalizëm. Stambolli është i vetmi qytet me rrënjë të thella e histori të lashtë, që është ballafaquar me modernitetin dhe është dëmtuar e që pretendon të bëhet një qytet global. Realizimi i këtyre të triave njëkohësisht është një barrë shumë e rëndë për Stambollin. Në kohën kur isha kryeministër, në çdo fjalim timin, kam dalë kundër shthurjes së indit historik të Stambollit, edhe kur kjo është bërë gjatë pushtetit tonë. Si kryeministër u përpoqa të krijoj një ndjeshmëri shoqërore për këtë çështje. Për çdo projekt që më ka ardhur përpara kam pyetur kryebashkiakët se sa ruhet Stambolli. Veçanërisht u kam thënë që “duhet të jemi në dijeni po lëvizi qoftë edhe një gur i vetëm në Stambollin historik, në Ejyp, Yskydar dhe në Gallata.” Teknologjitë e reja mund të jenë mashtruese. Sjellin një projekt të animuar, por nuk mendojnë katastrofën që mund të shkaktohet kur bota e fantazisë të vendoset mbi indin e historisë. Në vitet e para të pushtetit tonë sollën një projekt për shtatë qiellgërvishtës që do të ndërtoheshin në Hajdarpasha. Gjoja një anologji me shtatë kodrat e Stambollit. Dola kundër atij projekti. Nga ana arkitektonike mund të tingëllojë krijuese, por kur vjen nga Marmaraja apo nga Deti i Zi për në gadishullin historik, çdo gjë që e prish siluetën e xhamisë Sylejmanije, të Aja Sofjas (Shën Sofisë) ose silueta të tjera historike, është mizori ndaj Stambollit. Globalizmi në Stamboll duhet të realizohet jashtë një kufiri, që nuk do të lejojë dëmtimin e indit historik. Këtë kam mbrojtur gjithmonë. Për mua edhe Masllaku është shumë afër. Stambolli ka hapësira si në drejtim të Koxhaelisë, ashtu dhe drejt Tekirdagut. Në vend të kësaj u bënë projekte si 16-9 apo Gök Kafes, të cilat iu ngulën si thikë indit historik në afërsi të qytetit. Këto projekte, në dukje funksionale dhe të vlefshme, në atë topografi bëheshin dhunuese. Gjatë detyrës sime si kryeministër gjithmonë kam qenë shumë kritik për sa i përket kësaj çështjeje. Stambolli është një qytet me zhvillim shumë të shpejtë. Duhet të gjejmë një rrugë që, ndërsa u përgjigjemi nevojave të qytetit, të mos lejojmë zhdukjen e indit të tij.

 

“Nju-Jorku nuk më joshi aspak”

HABERTURK: Me rastin e një konference rinore keni shëtitur 6 qytete të mëdha: Nju-Jorkun, Jerusalemin, Romën, Delhin, Katmandunë, Pekinin… Çfarë aventure ishte për ju?

DAVUTOĞLU: Në atë kohë studioja master në Universitetin e Bosforit. Dekani i Fakultetit të Teologjisë ishte Profesor Salih Tug. Qe organizuar një si konferencë mbi fetë krahasimore. Donin që të merrja pjesë edhe unë. Isha 24 vjeç. Konferencat ishin për strukturën fetare dhe kulturore të qyteteve që kishim parë. Në atë kohë më erdhi propozimi për konferencën rinore. Brenda 4 muajsh i lexova të gjithë klasikët që kishin të bënin me historinë e feve. Si fillim lexova “Tao Te Ching”, tekstin bazë të Taoizmit. “Analektet” e Konfuçies, Ungjillin dhe Teuratin, të gjitha i lexova në atë periudhë.

HABERTURK: Stacioni i parë ishte Nju-Jorku…

DAVUTOĞLU: Kur shkova për herë të parë në Nju-Jork,m’u krijua një zbrazëti botëkuptimi. Nju-Jorku reflektonte kontradiktën e njeriut modern mes arrogancës dhe asgjësë. Kur vështroni nga maja e qiellgërvishtësve ata që ndodhen poshtë, ndjeni arrogancë, por kur i vështroni ataqiellgërvishtës nga poshtë lart, ndjeni “asgjënë”. Kjo dikotomi e trondit njeriun.

HABERTURK: Në moshë të re shkuat në Amerikë në periudhën më të mahnitshme të kulturës amerikane. A nuk u ndikuat aspak nga ajo atmosferë? Nuk bletë as edhe një palë pantallona bluxhins?

DAVUTOĞLU: (Qesh) Nuk mund të them që nuk u ndikova, sigurisht. Në atë kohë Nju-Jorku ishte qyteti më i rëndësishëm i qytetërimit. Por, nuk më joshi aspak. Nuk ndjeva dëshirën për të jetuar atje, por kjo nuk vlen për të gjitha qytetet perëndimore. Po të kisha kohë do kisha dashur të qëndroja pak kohë në Heidelberg apo Oksford.

 

“Kam marrë pjesë në ritualet indiane”

HABERTURK: Në libër keni folur edhe për aventurat tuaja interesante. Gjatë qëndrimit tuaj në Malajzi nuk keni lënë asnjë festival indian pa shkuar. Kurse shtëpinë e keni pasur në lagjen kineze.

DAVUTOĞLU: Në Malajzi bëhet festivali i Thaipusamit, që edhe në Indi është harruar. Kam shkuar me zonjën Sare dhe fëmijët. Ndoqëm nga afër të gjitha ritualet fetare të indianëve. Dikush na fotografoi familjarisht. Ditën tjetër e kishin publikuar fotografinë tonë në faqen e parë të një prej gazetave më të njohura në Malajzi. Kishin vënë titullin: “Profesori mysliman merr pjesë bashkë me fëmijët në festivalin indian”. Në Kuala Lumpur secili e jeton në mënyrën e vet kulturën dhe fenë së cilës i përket. Atje treguan shumë interes për ne. Një mbrëmje pashë një mori njerëzish që festonin vitin e ri kinez dhe ndiznin qirinj bregut të lumit. U bënin thirrje shpirtraveduke kryer kështu një traditë të harruar kineze. Të tilla përvoja të jetuara mund të jenë më të qëndrueshme se librat.

HABERTURK: Keni tentuar të falni namaz në xhaminë e Kordobës të kthyer në kishë dhe punonjësit kanë ndërhyrë…

DAVUTOĞLU: Xhamia e Kordobës është një nga vendet që më ka mallëngjyer më shumë. Është vepra më e mrekullueshme me këndet më të mira të përthyerjes së dritës në të gjithë botënFatkeqësisht kur ra në dorë të mentalitetit të kryqtarëve, u mbyllën të gjitha dritaret. Brenda është sajuar një kishë. Në një hapësirë të tillë mendova se duhet të falja patjetër namaz. U futëm bashkë me zonjën Sare dhe fëmijët. Me ne ishin edhe pronarët spanjollë të shtëpisë ku rrinim. “Ju hutoni punonjësit, unë po fal namazin në një qoshe,” u thashë.Por, sapo e vunë re një gjë të tillë, ndërhynë. Shkova në qoshe. Fala një rekat. Menjëherë m’u mblodhën mbi krye. Nuk u dorëzova, vajta natën dhe duke kaluar nga dera e jashtme përmes kolonave, u futa. E fala namazin.

 

Përfundimi interesant i duasë që bëri në Qabe

HABERTURK: A ju ka ndodhur ndonjë ngjarje më “fatkeqe” apo komike?

DAVUTOĞLU: Kur shkova për herë të parë në Jerusalem më 1983, sapo kishin ndodhur masakrat në Sabra dhe Shatila në Liban. Atmosfera ishte shumë e tendosur. Natën kishte ndalim qarkullimi. Planifikova të lija hotelin “King David” rreth orës 04.30 e të veja në xhaminë Aksa. Ditën i kisha fiksuar shumë mirë rrugët në mendje. Ca shokët e mi kishin vendosur të vinin edhe ata. Në mëngjes hoqën dorë. Dola nga hoteli ashtu siç kisha planifikuar. U futa nga muri historik. I gjithë Jerusalemi flinte. Nuk dëgjohej zhurmë tjetër, përveç hapave të mi. Sa i shihja ushtarët, fshihesha. Arrita në portën e xhamisë Aksa. Ishin vetëm punonjësit, nja 15-20 veta, që do ta falnin namazin bashkërisht. Njëri që dëgjoi zhurmën e hapave thirri “Ikra”. “Ikra” do të thotë “lexo”. Donte të kuptonte isha apo nuk isha mysliman. Nisa të lexoj Kur’an. Lexova derisa roja u sigurua. Në fund më thirri brenda. Kur e kuptoi që isha edhe mysliman edhe turk, më përqafoi. Namazin e falëm bashkë. Sodita lindjen e diellit. Ndërkohë gjithçka mund të ndodhte. Mund të vinin e të na merrnin me vete. Historia ka çaste të papërsëritshme. E ndjeni atë shans. Do të pendoheshit po të mos e bënit. Ishte një nga ato momente…

Kam dhe historinë time në Qabe. Mos kini dyshim që do t’ju pranohet lutja që e bëni në Qabe. Mendohuni mirë dhe pastaj lutuni. Zonja Sare u kthye në Stamboll, unë qëndrova. “O Zot, sillmë sërish këtu, sa më shpejt,” u luta. Dola nga Qabja. Erdhi miku im Hamdi Bej e më mori. Do fluturonim për në Amman me avion. Kishte një makinë të vjetër. Për të kapur fluturimin tim, la makinën e vjetër dhe i mori një të re shokut të vet. Në gjysmë të rrugës për në Medine na u prish makina. Morëm një taksi. Në afërsi të aeroportit u prish edhe ajo. Kur mbërrita në aeroportin e Medinës, porta e fluturimit tim ishte mbyllur tashmë. Avioni tjetër nisej pas një jave. Vesha sërish ihramin. U ktheva prapë në Mekë. Kështu që lutja m’u pranua po atë ditë. Natën desha të futesha në shpellën e Hirës. Të gjithë më thanë “s’bën vaki ajo gjë!”, por nuk i dëgjova. Miku im Hamdi Bej nuk më la vetëm. U falëm deri në mëngjes, unë brenda në shpellë, miku im jashtë saj. Kur u kthyem të nesërmen, të gjithë u habitën me guximin tonë. “Nëse ju kapnin aty, do t’ju merrnin për terroristë dhe do t’ju shoqëronin,” na thanë. Në çastet kyçe të jetës, kur vlerësohet siç duhet fati, kthehet në mbarësi. Ky fat duhet çmuar. Është gjë e mirë të jesh pak aventurier.

 

“Qytetet i shëtis natën”

HABERTURK: Tri qytete, Meke-Medinën, Jerusalemindhe Stambollin i keni cilësuar si “horizontet e botëkuptimit tim ekzistencial”. Ç’ndjesi ju jep gjendja e këtyre 3 qyteteve në ditët e sotme? Pse qytetërimi Islam në shekullin e fundit nuk ka lënë vepra të përhershme? Megjithëse kemi nxjerrë një emër gjigant si Zaha Hadid, gjendja e përgjithshme nuk ka qenë edhe aq e ndritur mendoj…

DAVUTOĞLU: Nuk është e mundur të themi gjëra pozitive për këtë çështje. Ajo që na depërtonte në zemër në Mekë dhe Medine ishte bota metafizike. Për herë të parë në Medine kam shkuar në vitin 1988. Që atëherë shumë gjurmë janë fshirë. Shoh një prishje. Qabja është një strukturë që integron thjeshtësinë dhe thellësinë. Sa më shumë e vështroni, aq më shumë ju shtohet dëshira për ta parë. Por, tani ngjitur me Qaben është zhvilluar një arkitekturë e papërshtatshme. Teksa qytetet vazhdojnë të jenë qytete islame me emër, në karakter kanë filluar të largohen nga kjo. Edhe Jerusalemi po kështu. Prandajmua, në përgjithësi, më pëlqen t’i shëtis qytetet natën. Natën nuk i shoh shkatërrimet e gjeneruara nga degjenerimi. Duke ecur, mund të depërtoj më tepër në shpirtin e qytetit.

HABERTURK: Ç’marrëdhënie keni me arkitekturën moderne?

DAVUTOĞLU: Nuk kam antipati karshi formave arkitektonike që i ka sjellë modernizmi. Në disa qytete si Barcelona, arkitektura moderne dhe ajo tradicionale janë puqur në një mënyrë origjinale. Ndjej një lloj kënaqësie edhe kur gjendem në Londër e Paris, ku nuk pashë ndonjë arkitekturë shtypëse. Arkitektura atje krijon një tërësi brenda vetes. Kur e dalloj këtë tërësi, nuk ndihem i bezdisur.

HABERTURK: Përveç Stambollit dhe Konjas, a do dëshironit të vendoseshit në ndonjë qytet tjetër?

DAVUTOĞLU: Kam dashur gjithmonë të kem një shtëpi në Mardin. Ëndërroj edhe një shtëpi në Edirne nga ku të duket xhamia Selimije. Mund të ishte edhe një nga shtëpitë buzë lumit Këzëllërmak në Amasja. Një vend në Sur të Dijarbakirit gjithashtu.

HABERTURK: Meqë u përmend Dijarbakiri, thënia juaj “Do ta bëjmë Surin Toledo” shkaktoi debat…

DAVUTOĞLU: Me atë fjalë u abuzua. Në origjinë Toledojaështë një qytet i Andaluzisë. Madje është nxjerrë një ligj për të ruajtur strukturën e veçantë të Toledos. E kisha fjalën që edhe Suri të ruhet si Toledoja. Fjalët e mia u keqpërdorën nga ata që nuk kanë dije historike dhe Toledon e njohin vetëm në periudhën fashiste.

 

“Pallati i Topkapësë është pikëprerja mes thjeshtësisë e madhështisë”

HABERTURK: E rendisni pallatin e Topkapësë mes gjashtë veprave arkitektonike më me ndikim për ju. Cila është rëndësia e Topkapësë për ju?

DAVUTOĞLU: Kur vështron pallatin e Topkapësë nga jashtë, vëreni se e mbizotëron detin dhe njëkohësisht i ka kthyer shpinën qytetit. Në pamjen drejt detit sheh bregun përballë. Po të vështroni nga ana tjetër, sodisni pamjen që ju ofron Stambolli. Në të njëjtën kohë mund të shihni edhe Gallatën, Sulejmanijen dhe Haremin. Parë nga jashtë, nuk mund të ketë një pallat më të përshtatshëm për topografinë e qytetit. Pallatet bartin një atmosferë që duket sikur thotë: “Ne jemi këtu, duke ju vëzhguar”. Kurse pallati i Topkapësë është një pallat i vendosur në brendi të qytetit. Është si një pikëprerje thjeshtësisë dhe madhështisë. Nuk ju bën të ndiheni i shtypur. Ndërtesat janë të unifikuara me njëra-tjetrën. Me blunë e qeramikave dhe të gjebrën, ju shpie në një botë estetike. Këtë nuk mund ta gjeni në asnjë pallat tjetër.

 

Vendet më të dashura të Davutoğlu-së në Stamboll

–   Hapësira historike përreth Sulejmanijes dhe Fatihut.

–   Lindja e diellit në Ejup Sulltan.

–   Perëndimi i diellit nga lagja Salaxhak përballë pallatit të Topkapësë.

–   Teqeja e Jahja Efendiut.

–   Soditja e Bosforit nga Rumeli Hisari.

E përktheu nga turqishtja: Stela Haxhagaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit