1.7 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Dasma torollake

Më të lexuarat

Kadri Sherifi

 
Si ta përshkruani dasmën tradicionale shqiptare me terminologji bashkëkohore? Një kërkues universitar perëndimor ju përmend dasmën tradicionale shqiptare duke përdorur edhe fjalët « la dasma » në frëngjisht dhe « the dasma » në anglisht. E kuptoni menjëherë se ky term nuk ka njëvleftësim të saktë në këto gjuhë, madje as në shumë gjuhë tjera të botës. Ndiheni keq dhe nuk doni kurrsesi të flisni për ceremoninë e martesës së të parëve tuaj. Duke u përpjekur të gjeni diçka për të ndërruar bisedën, ju kujtohen disa fakte. Dasma tradicionale e ka hedhur në erë gjithë ekonominë e famijles dhe asaj i është dashur një kohë e gjatë për ta marrë veten.

 

Papritmas bëheni filozof dhe ju kaplon një pyetje në lidhje me investimet e këqija apo torollake: Cili popull, përveç atij i cili e ka të skalitur në traditë të flakë gjithë ekonominë e familjes për një dasmë, e ka investuar gjithë ekonominë e shtetit për të ndërtuar bunkera? Për të mos u shprehur për dasmën, i flisni bashkëbiseduesit tuaj universitar për martesën dhe për foljen që shpreh këtë veprim. Folja: martohem, martohesh, martohet… ka filluar të zgjedhohet në kohën e ardhme në të gjitha gjuhët, pa përjashtuar shqipen: ndahem, ndahesh, ndahet… Pa dalur krejtësisht nga tema, hyni në bisedën e një ceremonie martesore moderne, modeste, të pakomplikuar, të planifikuar me mençuri, e cila nuk e dërmon ekonomikisht çiftin. Çifti duhet të krijojë një celulë të re të shëndetshme familjare dhe të fillojë si duhet jetën bashkëshortore.

 
Megjithatë nuk arrini të koncentroheni në bisedë sepse ju duket sikur këngët, shkrimet, përrallat… e mburrin dasmën e vjetër dhe e pengojnë të kaluarën të kalojë. Nuk jeni krenar me mburrjen sepse ajo u jep jetë sjelljeve të palogjikshme. E imagjinoni të zotin e dasmës disa ditë pas ceremonisë në borxh deri në fyt duke i shikuar yjet në qiell si cjapi në baltë. Krismat e tupanit monoton disa ditë me radhë ia shurdhojnë ende veshët por e di mirë se nuk do të vallëzojë për një kohë të gjatë. Nuk i kërcehet dot! Nusja e shikon të varur fustanin e bardhë monokrom, monoton, pa identitet, torollak si të gjithë fustanët tjerë të zakonit dhe i duket si vampir. Fustani i bardhë s’ka më vlerë për ditë të zeza të varfërisë edhepse ka kushtuar mijëra ose miliona budallallëqe (varet se a janë ato të reja apo të vjetra.) As dhuratat e dasmorëve nuk kanë vlerë sepse të gjitha janë njësoj, njëlloj, të palogjikshme mu si dasma. Edhe ato janë torollake dhe …sipas zakonit! Zakoni nuk ka nevojë për logjikë por është çudi të konstatohet se si budallallëku e krijon logjikën vet e cila bëhet sëmundje ngjitëse dhe trashëguese.

 
Pyetja tjetër që i bëni vetes në brendësinë më të thellë, pa thënë asnjë fjalë sheshit, në lidhje me këtë fenomen të së kaluarës së “lavdishme” të popullit tuaj është kjo: I zoti i shtëpisë, përgjegjësi i zhgënjyer i komedisë tragjike, dasmës torollake, a ka shkuar t’i thotë fqiut të mos bëjë të njëjtin gabim apo ka bërë çmos që të organizojë një presion shoqëror me qëllim shpirtngushtë që të mos jetë i vetmi torrollak në fshat?
Meqë nuk keni gjë për të thënë për dasmën e dikurshme tradicionale disaditëshe të popullit tuaj, bëni mirë që e qepni gojën dhe nuk bërtisni me gjithë zërin që keni para botës për të. Pas mbarimit të takimit me kërkuesin universitar perëndimor, filloni këtë shkrim të shkurtër…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit