3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Dasma, cermoni e bazuar në islam?

Më të lexuarat

Shumë njerëz e konceptojnë dhe mendojnë dasmën si një traditë shoqërore dhe jo si diçka të bazuar në islam. Vetë Profeti a.s, shokët e tij dhe muslimanët e parë organizonin ceremoni dasme. Qëllimi i dasmës asokohe kufizohej në dy gjëra: Grumbullimi i gjithë familjarëve dhe njerëzve të dashur dhe ushqimi.

Kur u martua vajza e Profetit a.s, Fatimeja, ajo qëndronte e hypur në mushkën e Profetit a.s. Mushkën e kishte kapur për kapistre Selman El-farisij, kurse nga pas i ndiqte Profeti a.s bashkë me Hamzanë, që ishte xhaxhai i Profetit a.s. Shokët e Profetit a.s dhe muslimanët kishin ngritur shpatat dhe i lëkundnin në ajër, si shprehje e gëzimit dhe haresë. Ndërkohë që gratë e kishin rrethuar nusen, Fatimen. E gjithë kjo atmosferë, shoqërohej me recitim vjershash, thënie të bukura, ilahi etj… Ata e shoqëronin nusen derisa të arrinte në shtëpi, ku ishte e shtruar dhe gostia. Atje të gjithë grumbulloheshin, ndiheshin të gëzuar dhe të bashkuar. Kështu, martesa është gëzim për vetë çiftin, por dhe për njerëzit dhe të afërmit e tyre. Ceremonitë e dasmave shërbejnë për afrimin mes familjarëve, farefisit, miqësisë dhe shoqërisë.

Për fat të keq, ceremonitë dasmore e ditëve tona, nuk e kryejnë këtë funksion. Në dasmat e sotme hasim katër probleme dhe të meta kryesore:

1 – Kërcim i shfrenuar mes të rinjve, lakuriqësi dhe degjenerim.

2 – Shpenzime të tepruara të pasurisë.

3 – Xhelozi, smirë dhe përgojim. Të gjithë të ftuarit, i xhelozojnë, ose përgojojnë çiftin që po martohen. Disa flasin mbi veshjen, të tjerët mbi makiazhin e nuses, hundën, sytë etj…

4 – Mburrje mes familjeve, mbi shpenzimet, veshjet dhe organizimin e dasmave të kaluara.

Përse duhet t’a fillosh jetën tënde bashkëshortore o vëlla dhe o motër me gjynahe? Përse ia mohon vetes bereqetin e Zotit? Ka çifte që janë divorcuar që ditët e para pas dasme, për shkak të gjynaheve që kanë ndodhur ditën e tyre të dasmës.

Veç kësaj, përse duhet të mbash dhe gjynahet e të tjerëve o vëlla dhe o motër? Të ftosh njerëzit në dasëm, t’u krijosh kushtet për të konsumuar alkol dhe vepruar gjëra të ulëta, do të thotë t’u krijosh kushte për  gjynahe. Këto gjynahe, do të vendosen në supet e tua Ditën e Kijametit.

Dita e dasmës është dera e jetës familjare. Vallë si do e hapësh këtë derë, duke fituar kënaqësinë e Zotit, apo duke fituar hidhërimin dhe zemërimin e Tij?

Dita e dasmës është një ditë e shenjtë, pasi atë ditë do të hapet një familje dhe shtëpie e re muslimane. Ajo duhet të jetë një ditë e shënuar, ditë në të cilën arrihet dhe realizohet kënaqësia e Zotit të madhëruar. Përse të kthehet nga ditë e kënaqësisë së Zotit, në ditë të kënaqësisë së shejtanit?! Përse duhet t’a hapni derën e jetës bashkëshortore, me zemërimin e Zotit? Vallë si mund të jetohet i lumtur, kur Zoti është i zemëruar me ty që ditën e parë të martesës? Vallë si e kthen hallallin dhe dhuratën e Zotit, në haram dhe zemërim të Tij?

Përse u bën qejfin miqve dhe shoqërisë, në llogari të urdhërave të Zotit?

A nuk do të ishte më mirë që shpenzimet e shumta që bëhen për dasëm, t’ju jepeshin çiftit të ri që të udhëtonin në një vend të bukur dhe të kalonin disa ditë bashkë? Përse shumë familje zhyten në borxhe, vetëm e vetëm që dasma e djalit dhe vajzës së tyre të dalë më e bukur dhe madhështore se e filanit?

Ne duhet të gëzohemi në dasma, por kjo të mos na çojë të shkelim dhe thyejmë urdhërat e Zotit. Ne duhet të shtrojmë gosti, por jo të shpërdorojmë./Amer Halid

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit