10 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Dhënia e selamit të krishterëve dhe çifutëve

Më të lexuarat

Dr. Shefqet Krasniqi

Ne sa herë lexojmë për madhështinë e këtij Dini, për vlerat e mëdha që i ka kjo fe e jona, pastaj këto mësime mundohemi t’ua përcjellim të tjerëve në mënyrë që t’ua zbukurojmë këtë fe, apo thënë më mirë: T’ua përcjellim këtë ditë e nurë qiellor i cili na i ka ndriçuar zemrat tona, sepse feja vetvetiu është e bukur pa e zbukuruar ne, por jo të gjithë e kuptojnë këtë bukuri dhe të gjithëve u duket e bukur. Edhe dielli e hëna janë të bukura, por jo të gjithë pajtojnë me këtë, sepse dikujt dielli ia lëndon sytë, ia vret e nuk mund ta sheh. Ashtu sikurse që hëna e plotë hajnin e pengon sepse e ka më të vështirë të fshihet, andaj ai nuk do dritë, por do errësirë.

Sido që të jetë, ndër vlerat e mëdha të Islamit është etika, morali i lartë.

Padyshim se pjesë e këtij morali dhe e kësaj etike është edhe forma e përshëndetjes, mënyra e të kontaktuarit me njerëz. Bile njeriu që në fillim të takimit me tjetrin, posa të përshëndetën thuajse arrin ta kuptojë se me kë ka punë. Se çfarë kulture paska individi tjetër, për atë shkak Islami këtë çështje, ashtu sikurse edhe gjërat tjera, e shtjellon shumë mirë dhe flet gjerë e gjatë për të, nga mënyra e përshëndetjes, deri tek buzëqeshja ndaj tjetrit. Pastaj kush fillon me përshëndetje ndaj tjetrit. A është e lejuar që dikë ta përshëndesim e dikë jo? A është e ndaluar–haram që njerëzve të mos iu flasim fare, çka do të thotë as të mos i përshëndetim? E shumë rregulla e kondita tjera të këtij lloji dhe të kësaj çështjeje, pra të përshëndetjes ndaj të tjerëve.

Kur jemi tek përshëndetja, respektivisht tek dhënia apo marrja e selamit në raport me jomusliman, gjejmë diskutime e debate rreth kësaj çështjeje, se a bën që t’ua marrim selam kur të na japin dhe anasjelltas, a bën që ne t’i përshëndesim të parët me selam alejkum, siç e përshëndesim ne muslimanët njëri-tjetrin mes vete.

Kjo temë më ka interesuar bukur moti, por një ditë përderisa isha duke lexuar suren Merjem, konkretisht tek tregimi i Ibrahimit alejhi selam dhe debatit të tij me babën e tij Azerin. Apo më mirë me thënë këshillat e Ibrahimit që po ia jepte babait të tij rreth fesë, rreth asaj që adhuronte babai i Ibrahimit së bashku me popullin e tij, ku të gjithë ishin paganë. Ibrahimi po e këshillonte babanë se adhurimi i idoleve është i kotë, por duhet adhuruar Zotin e gjithësisë. Dhe në fund babai i Ibrahimit kërkon nga i biri i tij që ta lë atë të qetë, ose përndryshe ka për ta gurëzuar. Ibrahimi vendosi të ikte, të shpërngulej nga vendlindja Iraku për në Palestinë, por para se të ndahej i thotë:

“Ai tha: “Shpëtimi (selami) qoftë mbi ty! Unë do ta lus Zotin tim për të të falur ty, pse ai (babai) ishte i kujdesshëm ndaj meje.”(Merjem: 47)

Tek kjo fjalë e Ibrahimit më kanë bërë përshtypje të madhe dy çështje:

*E para: Mënyra e butë sesi është sjellë Ibrahimi ndaj babait të tij. Edukata e madhe e Ibrahimit ndaj babait të tij, ani pse ai ishte idhujtar dhe arrogant i madh.

Ibrahimi alejhi selam nuk iu përgjigj babait me vrazhdësi, por vazhdoi të sillej butë me të. E si të mos sillej me të butësisht kur ai e di se çka do të thotë haku i babait. Andaj unë sa herë e kam thënë në ligjëratat e mia se, ata, të cilët nuk sillen mirë me prindërit e tyre, respektivisht sillen vrazhdë ndaj tyre, ngase vet janë të udhëzuar e prindërit nuk janë të udhëzuar, u them: Merreni shembull Ibrahimin alejhi selam, sesi është sjellë me babanë e tij.

Vërtet Ibrahimi është shembull për pejgamberë, e lëre më për neve njerëzve të rëndomtë. Haku i babait është i madh, ndaj tij duhet patur kujdes, pavarësisht sjelljeve dhe bindjeve të tij. Edhe kur kërkon prej tij diç, kërkon me butësi, por edhe kur e kundërshton diç, prapë me butësi. E si u soll Ibrahimi alejhi selam me babanë e tij:

Ibrahimi alejhi selam i tha: Selami im qoftë mbi ty o baba. E ne e dimë se fjala apo shprehja “selam” do të thotë: paqe, siguri… pra unë nuk do të ta kthej ty këtë të keqe që ma bëre mua me të keqe. Unë nuk sillem ndaj teje me vrazhdësi, siç po sillesh ti ndaj meje. Unë nuk kam për të të thënë as “uff”, e lëre më më shumë. Unë të keqen nuk e kthej me të keqe, sepse kjo nuk i ka hije një muslimani të rëndomtë, e lëre më një pejgamberi. Siç ka thënë Allahu xh.sh:

“E robërit (e devotshëm) e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” (Furkan: 63)

*E dyta: Dhënia selam babait të tij. Apo përshëndetja me selam përderisa ai ishte qafir, jomusliman.

Këtu do të ndalem më gjatë për ta shikuar se çfarë lloj përshëndetje apo selami ka qenë ai që Ibrahimi ia dha babait të tij. Pastaj a bën që ne t’iu japim selam jomuslimanëve, apo t’ua marrim atë selam kur ata na japin neve.

Mendoj se kjo temë është mjaftë me rëndësi, në veçanti në këtë kohë kur shumë muslimanë jetojnë e punojnë bashkë me jomuslimanë, në veçanti me të krishterë, dhe shumë herë na vijnë pyetje të këtij lloji rreth selamit me ta. Andaj pas një mundi modest që e kam bërë rreth kësaj teme, duke u munduar që ta përthekoj sa më shkurt e më thjesht, duke shikuar argumentet rreth kësaj teme, pastaj mendimin e selefëve-të parëve dhe ulemave të mëvonshëm, dhe me krejt modesti mund të themi:

*Shumica dërmuese e komentatorëve të tefsirit[1] mendojnë se kuptimi i selamit që ia ka dhënë Ibrahimi babait të tij në këtë ajet është përshëndetje lamtumirëse, mossjellje me të keq dhe vrazhdësi ndaj tij, siç e sqaruam më lart. Pra nuk është selam përshëndetje islame “selam alejkum” siç i japim njëri-tjetrit ne muslimanët.

Nga ky kontekst themi: Shumica dërmuese e ulemave –xhumhuri- kanë thënë se është e ndaluar që qafirëve t’iu japim selam, sepse selami është përshëndetje vetëm për muslimanët siç ka thënë Pejgamberi alejhi selam në hadith të Enes bin Malikut:

“Allahu ia ka dhënë Umetit tim tre gjëra, nuk ia ka dhënë askujt më parë: Ia ka dhënë namazin në safa (rreshta). Ia ka dhënë selamin, e ajo është përshëndetje e banorëve të xhenetit. Ia ka dhënë “Amiin”, e që nuk ia ka dhënë askujt para jush përpos Harunit, ngase Musai lutej e Haruni bënte Amin.”[2]

E si argument që është e ndaluar për t’i përshëndetur qafirët me selam është hadithi i Ebu Hurejres r.a. ku thotë se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

“Mos filloni t’i përshëndetni me selam çifutët dhe të krishterët kur t’i takoni. E kur ta takoni dikë nga ata, mundohuni ta ndërroni rrugën.”[3]

Mirëpo ka nga dijetarët islamë, të cilët e kanë lejuar dhënien e selamit qafirëve të krishterë dhe hebrenj, si Sufjan bin Ujejne, i cili kur është pyetur: A bën t’i jepet selam qafirit? Ka thënë: Po. Allahu xh.sh. ka thënë:

“Allahu nuk ua ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (Mumtehine: 8)

Dhe po ashtu ka thënë:

“Ju e keni shembullin më të mirë te Ibrahimi…”(Mumtehine: 4)

Ibrahimi ishte ai që i tha babait të tij “ Selamun alejke”.

Kurtubiu e mbron këtë mendim dhe thotë: Ky është më i fortë sesa mendimi i parë. Ky grup i dijetarëve marrin për argument hadithin e Usame bin Zejdit se:

“Pejgamberi alejhi selam përshëndeti me selam një mexhlis, i cili ishte i përzier me muslimanë, mushrikë dhe hebrenj. E në mesin e tyre ishte edhe Abdullah bin Ubej bin Seluli, Abdullah bin Revaha.”[4]

Për hadithin e Ebu hurejres kanë thënë se ai ka qenë për një rast të veçantë pas përpjekjes së çifutëve për ta mbytur Pejgamberin alejhi selam.

Imam Nehaiu ka thënë: Nëse ke ndonjë nevojë tek krishterët apo hebrenjtë, fillo me selam. Me këtë po kuptohet se hadithi i Ebu Hurejres: “Mos filloni t’i përshëndetni me selam…” është nëse nuk ka asnjë arsye që të shtyn t’u japësh selam, apo të fillosh për t’iu dhënë selam, siç është ndonjë nevojë që ke tek ata, apo i ke shokë në udhëtim, apo i ke komshi. Imam Taberiu ka thënë: Është transmetuar nga selefët se ata u kanë dhënë selam ithtarëve të librave të shenjta.

Kështu ka vepruar Abdullah bin Mesudi me Dahkanin (një qafir), të cilin e ka shoqëruar në një udhëtim. Alkame (nxënësi i Abdullahut) i ka thënë: A nuk është e urrejtur (mekruh) me iu dhënë fillimisht selam këtyre?! Po, ka thënë Ibn Mesudi, mirëpo ky është haku i shoqërisë në udhëtim.

Ebu Umamete nuk kalonte pranë ndonjë muslimani apo qafiri, të riu apo të vjetri e që nuk i jepte selam. E kanë pyetur pse? U është përgjigjur: Sepse jemi të urdhëruar që ta përhapim selamin.

Është pyetur imam Evzaiu për një mysliman, i cili kalon pranë një qafiri dhe i jep selam, e ka thënë: Nëse i jep selam atij, dije se i kanë dhënë selam njerëzit e mirë para teje. Po nëse nuk i jep selam, prapë dije se njerëzit e mirë para teje nuk i kanë dhënë selam.

Është transmetuar nga Hasen Basriu, i cili ka thënë: Nëse kalon pranë një tubimi në të cilin ka muslimanë dhe të krishterë, jepi selam.[5]

Mendoj se kjo çka kanë vepruar e deklaruar këta ulema të selefëve se lejohet t’u jepet selam të krishterëve dhe çifutëve është mendim i saktë, i vërtetë inshallah dhe përputhet me natyrën e madhështisë së kësaj feje, islame, e cila ka ardhur me drejtësi dhe mëshirë. Fe, e cila përhap ahlakun, etikën mes njerëzve. Këtë mendim e dëshmojnë argumente nga Kur’ani dhe historia e praktika e Muhamedit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dhe bazat e mëdha të sheriatit.

Përpos argumenteve të lartpërmendura cekim edhe këto:

“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira.” (Bekare: 83)

Me çka na urdhëroi që njerëzve t’iu flasim fjalë të mira, që ndaj tyre të sillemi mirë, duke mos dalluar një shoqëri nga një shoqëri tjetër.

Pastaj hadithet e shumta, të cilat kanë ardhur për rëndësinë e shpërndarjes së selamit.

Hadithet e shumta që thërrasin në etikë dhe moral të lartë ndaj të gjithëve, muslimanë e jomuslimanë. E si të përhapësh etikë, apo të jesh shembull ndaj të tjerëve, si do ta marrin ata fenë tënde kur ti nuk sillesh mirë me ta, nuk u jep selam atyre, me çka ata ka shumë mundësi që të prekën dhe të irritohen nga feja jote.

Ndërsa hadithet, të cilat ndalojnë dhënien e selamit, duhet të kuptohen si raste specifike, apo siç quhen ‘raste të izoluara’, të cilat kanë ndodhur në kohën kur Pejgamberi alejhi selam bashkë me shokë ka qenë gati në gjendje lufte me çifutët e Medinës. Ngase çiftët janë sjellë shumë keq me muslimanë, e edhe Pejgamberi alejhi selam iu është përgjigjur në mënyrë të njëjtë, Allahu A’alem.

*Kjo ishte sa i përket a t’ jepet selam atyre. Ndërsa kur ata të japin selam, Neveviu ka thënë: Të gjithë dijetarët janë në konsensus se nuk ua kthen selamin e plotë, por u thua: “ve alejkum –ose veç- alejkum” dhe kaq, siç ka ardhur në hadith të Pejgamberit a.s.:

“Nëse të japin selam ithtarët e librave të shenjta, thuajuni ju atyre (kthenjau): Ve alejkum.”[6]

Kështu thotë Neveviu, por nuk është e vërtetë se të gjithë dijetarët kanë thënë ashtu. Sepse Ibn Kajjimi –i cili ka ardhur pas Imam Neveviut- thotë ndryshe: “Nëse ithtari i librave të shenjta të thotë  “selamin alejkum” dhe ti e dëgjon mirë, atëherë ti a duhet t’ia kthesh “ve alejke selam”, ose me u mjaftua me fjalën “ve alejkum” –siç ka ardhur në hadith-? Ajo çka kuptohet prej argumenteve, apo rregullave të përgjithshme të sheriatit islam është se i thua: ve alejke selam. Ngase kjo është nga parimi i drejtësisë, e Allahu urdhëron për drejtësi dhe mirësi. Allahu ka thënë:

“Kur të përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu.” (Nisa: 86)

Ashtu që Ai nxiti për mirësi, për më të mirë, a në anën tjetër e obligoi drejtësinë. Kjo nuk bie aspak ndesh me hadithet në të cilat ka ardhur urdhri i Pejgamberit për t’u mjaftuar me fjalën “ve alejkum”, sepse ata kanë pasur qëllim të keq me dhënien e selamit Pejgamberit alejhi selam, e nuk kanë pasur qëllim përshëndetje tamam siç e cekëm më lartë të plotë… Ashtu që nëse i krishteri apo hebrenji nuk ka qëllim të keq, por thjesht përshëndetje duke të thënë: “selam alejkum ve rahmetullah”, atëherë drejtësia është që me ia kthye ashtu selamin siç ta ka dhënë.[7] Këtë mendim të Ibn Kajjimit e përkrah fuqishëm edhe Ibn Uthejmini,  Allahu e pastë mëshiruar.[8] E përkrahin edhe shumë dijetarë bashkëkohorë, e gjithsesi që e përkrahi edhe unë. Allahu e di më së miri!


[1] Si Taberiu në tefsirin e tij 16/92, Alusi në tefsirin e tij 8/99, Ibn Ashur 8/121,  Shevkaniu 3/336 dhe shumë të tjerë.

[2]  E ka cekur Sujutiu në Dur el-Menthur 1/44.

[3]  Muslimi nr. (2167) 13.

[4] Buhariu nr. 6254, Muslimi nr. (1798) 116.

[5]  Shiko: Tefsir Kurtubij 6/393, Tefsir Alusij 8/99, Subul es-Selam 4/132.

[6]  Buhariu nr. 6258, Muslimi nr. (2146) 25. Si dhe shiko Sherh Sahih Muslim 14/369.

[7] Ahkamu edh-Dhimeti 1/199-200 me pak ndryshime.

[8] Marrë nga interneti: http://ar.islamway.net/fatwa/9310

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit