-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Dashuria për diçka tjetër veç Allahut – Nga Ibn Kajjimi

Më të lexuarat

Dashuria për diçka tjetër veç Allahut është dy llojesh, njëra prej të cilave është shirk (idhujtari) dhe ajo është dashuria e idhujtarëve për idhujt e tyre. Idhujtarët i duan hyjnitë e tyre krahas Allahut, ashtu siç duan Allahun. Kjo është dashuri adhurimi dhe pasohet me frikë, shpresë dhe lutje nga adhuruesi për hyjnitë. Lloji i dytë është dashuria e natyrshme, e cila nuk e çrrënjos teuhidin dhe nuk të nxjerr nga feja, por në ndonjë rast mund të cenojë përsosjen e sinqeritetit dhe të dashurisë ndaj Allahut. E këtillë është dashuria për gratë, për fëmijët, për arin dhe argjendin, për pasurinë etj. Njeriu mund të pasionohet pas gjërave të tilla, ashtu si pasioni i të uriturit për ushqim dhe të eturit për ujë. Njerëzit në raport me këtë dashuri ndahen në tre kategori. Kategoria e parë janë ata që i duan për hir të Allahut, duke i përdorur pra, si mjete për të arritur tek Allahu. Kështu, nëse njeriu i do këto gjëra, për t’i përdorur si mënyrë për të arritur tek Allahu dhe për t’i shfrytëzuar si mundësi për t’i bërë ibadet Allahut e për të bërë atë që pëlqen Ai, shpërblehet për to. E tillë ka qenë dashuria e njeriut më të përsosur për gratë dhe erën e mirë, gjë të cilën e ka shprehur vet në një hadith të vërtetë. Pasioni për këto dy gjëra e ndihmonte atë për të dashur më fort Allahun dhe për të përçuar sa më mirë mesazhin e Tij te njerëzit. Kategoria e dytë janë ata që pasionohen pas këtyre gjërave thjesht nga prirjet e natyrshme dhe dëshira vetjake, por gjithsesi ata nuk u japin atyre përparësi kundrejt asaj që do e që pëlqen Allahu. Në këtë rast pasioni pas këtyre gjërave nuk quhet gjynah, pasi ato konsiderohen prej gjërave të lejueshme, për të cilat njeriu nuk dënohet. Megjithatë pasioni pas tyre në këtë rast bëhet pengesë për përsosjen e dashurisë ndaj Allahut. Kategoria e tretë janë ata që pasionohen pas këtyre gjërave, duke i shndërruar ato në qëllimin dhe objektivin e jetës. Ata u japin përparësi atyre kundrejt asaj që do e që pëlqen Allahu. Në këtë rast njeriu konsiderohet i padrejtë ndaj vetvetes dhe pasues i epshit të tij.

[Marrë nga libri i Ibën Kajimit “Shpirti”].

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit