Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Rob të Allahut! Allahu thotë:
“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.” Ali Imran, 103.
Kurtubi në tefsirin e tij për këtë ajet thotë: “Allahu urdhëron për përmendjen e mirësisë së Tij. Më e madhja e saj lslami dhe ndjekja e Profetit Muhamed – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–, sepse me të largohet armiqësia, përçarja dhe futet dashuria dhe bashkimi.”
Transmetohet nga Enes bin Malik –kënaqësia e Allahut qoftë me të! – se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka thënë: “Janë tre gjëra, kush i ka ato gjen shijen e besimit. Të jetë te ai Allahu dhe i Dërguari i Tij më i dashur se çdo kush tjetër, ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në kufër (mohim), pasi e shpëtoi Allahu prej tij, siç urren të hidhet në zjarr” Shënuar nga Buhariu.
Shejh Uthejmin thotë: “Dashuria midis tyre është vetëm për Allahun dhe për asnjë gjë tjetër, pasi e nxitnin njëri tjetrin për në bindjen ndaj Allahut dhe për largimin prej të ndaluarave të Tij. E donin njëri-tjetrin pikërisht për këtë. Këta hyjnë në këtë hadith… ‘Qëndruan me këtë dashuri në dynja deri sa u ndanë prej saj (ndërruan jetë..’.”
Ebu Hurejra – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka thënë: “Allahu në ditën e Kiametit do të thotë: ‘Ku janë ata që duheshin vetëm për hirin Tim dhe sot t’i fusë ata nën hijen Time, ditën ku nuk ka hije tjetër veç hijes Sime” Shënuar nga Muslimi.
Neveviu ka thënë: “…Duhen për madhërimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe jo për dynja…”
Përmend Imam Malik në “Meuta”: “…Duhen për madhërimin dhe lartësimin e Allahut. Çdo njeri prej tyre ta dojë tjetrin si bindje ndaj Allahut, besimin ndaj Tij, si bindje ndaj urdhrave të Allahut dhe ndalimin prej atyre që ka ndaluar. Këta janë ata që duhen për Allah.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra e ai nga Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –: “Një person viziton vëllanë e tij në fe në një fshat tjetër. Allahu i mbikëqyrë atij në ecje një engjëll. Kur engjëlli i afrohet i thotë: ‘Ku po shkon?’ Personi i thotë: ‘Do vizitoj vëllanë tim në fe në këtë fshat.’ Engjëlli i thotë: ‘Mos ke ndonjë interes te ai?’ Ai i tha: ‘Asnjë gjë, e dua vetëm për hir të Allahut.’ Engjëlli i thotë: ‘Unë jam i dërguari i Allahut dhe Allahu të Do ty ashtu sikur ti e do atë ( vëllanë në fe) .’” Shënuar nga Muslimi.
Në shpjegimin e këtij hadithi Imam Neveviu përmend se dijetarët kanë thënë se dashuria e Allahut për krijesën e Tij është mëshira e Tij për të dhe kënaqësia e Tij për të, ku dhe do për robin vetëm te mirën dhe të veprojë vetëm vepra të dashurisë dhe mirësisë.
Shkaqet që të çojnë në dashurinë për Allah
Transmetohet nga Enes bin Malik se një person ishte me Profetin – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – kalon një person dhe ai që ishte me Profetin i thotë: “O i dërguar i Allahut, unë e dua këtë.” Profeti i tha: “A ja ke thënë këtë atij?” Personi tha: “Jo.” Profeti i tha: “Thuaji”. Personi e arrin atë dhe i thotë: “Të dua për hir të Allahut.” Ai i përgjigjet: “Të dashtë Ai (Allahu) për shkak të të Cilit më do” Shënuar nga Ebu Daud.
Përmendet në Aun Mabud: Të dua për Allah. D.m.th. kërkoj kënaqësinë e Allahut.
Ebu Hurejra ka thënë se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka thënë: “Nuk do të hyni në xhenet deri sa të besoni, nuk do të besoni deri sa të duheni me njëri-tjetrin. A t’u them diçka që nëse e veproni do të duheni me njëri-tjetrin? Jepni selamin!” Shënuar nga Muslimi.
Imam Neveviu thotë: “… nuk plotësohet besimi juaj dhe nuk rregullohet gjendja juaj në besim vetëm kur të duheni me njëri-tjetrin…Dhënia e selamit është shkaku i parë për bashkim dhe çelësi për thithjen e dashurisë.”
Thënia e Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – “Shkëmbeni dhurata që të duheni me njëri-tjetrin.”
Abdullah bin ِAmru –kënaqësia e Allahut qoftë me ta!– ka thënë seka thënë Profeti –alejhi selam-: “Vizito sistematikisht që të shtohet dashuria”Shënuar nga Taberani.
Përkushtimi ndaj besimit, veprave bindëse dhe largimi prej gjynaheve
Allahu i Madhëruar thotë:”Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t’u krijojë (në zemrat e tyre) dashuri.” Merjem, 96.
O robër të Allahut, nuk arrihet dashuria midis njëri-tjetrit kur parimet e Krijuesit nuk merren si gjykim të çdo çështje të kësaj bote, pikërisht duke u nisur nga kjo nuk do të gjendet ndonjë parim tjetër që të japë dashuri dhe bashkim zemrash.
Allahu thotë: “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzosh gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.” El Enfal, 63.
Transmetohet prej Enesit – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – se një person e ka pyetur Profetin – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – për Kiametin se kur do të jetë? Profeti i tha: “Çfarë ke përgatitur për të?” Personi tha: “Asnjë gjë, me përjashtim se unë dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Profeti tha: “Ti do të jesh me atë që do”. Enesi tha: “Nuk na ka gëzuar asnjë gjë më shumë se fjala e Profetit: ‘Ti do të jesh më atë që do’. Enesi tha: “Unë dua Profetin, Ebu Bekrin, Umerin shpresoj të jem me ata nga dashuria që kam për ta edhe pse nuk veproj si veprat e tyre.
Çdokush prej nesh do që të jetë me Profetin, Ebu Bekrin, Umerin.
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqjaِ
” Et Teube, 71.
Ibn Kethiri në komentimin e këtij ajeti thotë: “Zemrat e tyre janë të bashkuara me një dashuri reciproke”. E ndihmojnë njëri-tjetrin për në vepra të mira dhe ndalohen prej veprave që hidhërojnë Allahun. Kjo dashuri e munguar i duhet shoqërisë islame sot.
Muadh bin Xhebel ka thënë se ka dëgjuar Profetin – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – të thotë: “Ka thënë Allahu: ‘E obligova dashurinë Time për ata që kanë dashuri reciproke për Mua, që qëndrojnë me njëri-tjetrin për Mua, kryejnë vizitë reciproke për Mua dhe sakrifikojnë për Mua’.” Shënuar nga Ahmedi.
“Duhen dhe ulen për Mua për të ndihmuar, bashkëpunuar në përmendjen e Allahut, përmbajtjen e kufijve të Allahut, mbajten e premtimeve të Allahut në kryerjen e urdhrave të Tij, ruajtjen e ligjeve të Tij, ndjekjen e urdhrave te Tij dhe largimin prej të ndaluarar e Tij.” Imam Malik
I lutem Allahut që të ndihmojë muslimanët për mbylljen e këtij boshllëku, të na bashkoj zemrat dhe të na udhëzojë në rrugën e Profetit, në rrugën e të parëve tanë!
I lutem Allahut të ndihmojë muslimanët kudo që ndodhen!
Përgatiti: Tomor Boriçi
Burimijetes.info