0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Dashuria e vërtetë ndaj Profetit Muhamed salallahu alejhi we selem

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Sipas kalendarit hënor jemi në një muaj të rëndësishëm, muaji Rabiul-Evel, muaji në të cilin ka lindur Vula e Profetëve, Mëshirë për gjithë botërat Profeti ynë i dashur Muhamedi salallahu alejhi we selem.

Shumë prej muslimanëve në mbarë botën e festojnë këtë ditë në emër të dashurisë ndaj Profetit. Nuk ka dyshim se dashuria ndaj profetit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, është një prej obligimeve kryesore të besimit. Ai është pishtari I rrugës së shpëtimit dhe dera e vetme për t’iu afruar Allahut. Mirëpo ç’ nënkupton dashuria ndaj tij? A është vërtetë të shprehurit e dashurisë ndaj tij, të festuarit e kësaj ditë, apo ka kuptim tjetër? Si e kanë kuptuar dashurinë ndaj tij , shokët e tij të dashur? A është dashuria I vetmi obligim ndaj tij,apo është e lidhur me diçka tjetër?

Le ti shikojmë me radhë!

Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut është një detyrim.

Allahu i Lartësuar në librin e Tij thotë: Thuaju (O Muhamed): “Në qoftë se baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, të afërmit tuaj, pasuria që ju e keni fituar, tregtia që frikësoheni se do të dështojë dhe vendbanimet tuaja ku ju gjeni kënaqësi, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu dhe i Dërguari i Tij, më të dashura se përpjekja dhe lufta për Çështjen e Allahut, atëherë prisni derisa Allahu të sjellë Vendimin (dënimin) e Tij. Dhe Allahu nuk e udhëzon popullin e prishur.”

Në këtë ajet, Allahu u tërheq vërejtjen besimtarëve se do të ndëshkohen dhe do të konsiderohen si njerëz të prishur, nëse ato që përmenden në ajet janë më të dashura për ta sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta për kauzën e Tij, ndaj dhe nga kjo kuptohet se është e detyrueshme që dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Zotit, duhet të jetë parësore ndaj çdo gjëje.

Enes ibn Malik na tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Askush prej jush nuk ka besuar, përderisa mua nuk më do më tepër se fëmijët dhe prindërit e tij dhe se gjithë njerëzit.
Ky hadith është një nga argumentet më të qarta që na obligon dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Një besimtar nuk e meriton të plotë emrin e besimit dhe nuk mund të futet në radhën e të shpëtuarve Ditën e Gjykimit, nëse dashurinë më të madhe nuk ia kushton Profetit (paqja qoftë mbi të).

Kuptimi i fjalëve: Askush prej jush nuk ka besuar, do të thotë se besimi i tij nuk është plotësuar, pra bëhet fjalë për besimin e plotë dhe jo për themelin e besimit. Dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) është një nga detyrimet e besimit, dhe kushdo që e lë mangët, ka lënë pas dore një nga këto detyrime të Islamit. Themelet e besimit nuk mund të ekzistojnë pa dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), ashtu siç nuk ka as edhe një musliman që në zemrën e tij, të mos ndjejë dashuri ndaj tij, qoftë edhe pak. Nëse dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të) nuk ekziston absolutisht, atëherë kjo tregon se edhe besimi nuk ekziston tek një njeri i tillë, sa më shumë të pakësohet kjo dashuri, aq më tepër pakësohet edhe besimi, dhe sa më shumë të shtohet, aq më tepër shtohet edhe besimi.

Abdullah ibn Hisham, një shok i Profetit tregon: Ne ishim me Profetin (paqja qoftë mbi të) dhe ai kishte kapur për dore Umer ibn Hatabin, dhe Umeri i thotë atij: O i Dërguari i Allahut! Ti je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime. Profeti (paqja qoftë mbi të) i thotë: Jo, pasha Atë, i Cili ka në dorë shpirtin tim, unë duhet të jem më i dashur për ty edhe se vetja jote. Umeri atëherë i thotë: Po, pasha Allahun, tani (e mbrapa) unë të dua më tepër edhe se vetja ime. Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: Tani po, o Umer.

Besimtari do të arrijë vërtetësinë e besimit, kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) të jetë për të edhe më i dashur se vetë shpirti i tij që ka në trup. Kjo është edhe pika kulmore e dashurisë, aty ku shuhen pasionet dhe dëshirat vetjake, përpara dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të).

Shembulli më i madh në histori sesi tregohet dashuria ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, është shembulli i bashkëshoqëruesve të Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të).

Prijësi i besimtarëve Ali ibn Ebu Talib, kur është pyetur se si e shprehnin ata dashurinë ndaj të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të), tha: Të dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të) e donim më tepër sesa pasurinë, fëmijët, baballarët dhe nënat tona, e donim edhe më tepër se ujin e ftohtë, kur të thahet fyti nga etja.

Të shumta janë ngjarjet që pasqyrojnë dashurinë e madhe të shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të) ndaj tij, dashuri që i kalonte caqet e vetvetes.

Shikoni se si e shpreh një prej shokëve të Profetit a.s dashurinë ndaj tij. Ai ishte Theubani një nga shokët e Profetit (paqja qoftë mbi të) i cili e donte shumë Profetin, dhe nuk rrinte dot larg tij. Një ditë ai erdhi tek Profeti (paqja qoftë mbi të) me fytyrë (pamjen) të ndryshuar dhe i Dërguari i Allahut i tha: Çfarë ta ka ndryshuar pamjen e fytyrës? Ai iu përgjigj: O i Dërguari i Allahut! Nuk jam i sëmurë dhe nuk kam asnjë dhimbje, veçse unë nuk rri dot pa të parë dhe nuk ndjehem mirë derisa të të takoj. Mu kujtua bota e përtejme dhe kam frikë se nuk do të të shoh më. Ti do të ngrihesh lart me Profetët, e unë edhe nëse do të hyj në Xhenet, do të jem në një vend shumë poshtë teje, e nëse nuk hyj në Xhenet nuk do të të shoh kurrë më. Dhe Allahu i Madhëruar zbriti këtë ajet: E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) profetët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!

Enesi tregon se një njeri erdhi tek Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe e pyeti: Kur do të bëhet Kiameti, o i Dërguari i Allahut? Ai i tha: E çfarë ke përgatitur ti për atë ditë? Ai iu përgjigj: Nuk kam përgatitur për atë ditë agjërime, lëmoshë dhe falje të shumta, por unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Profeti (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: Ti do të jesh me atë që do. Enesi vazhdon dhe thotë: Ne u gëzuam shumë si asnjëherë tjetër, kur Profeti (paqja qoftë mbi të) tha: Ti do të jesh me atë që do. Unë e dua Profetin (paqja qoftë mbi të), Ebu Bekrin dhe Umerin dhe shpresoj që dashuria ime të bëjë të jem pranë tyre, ndonëse nuk kam bërë ato që kanë bërë ata.

Kjo pra ishte dashuria e shokëve të Profetit ndaj tij.

Dijetarët thonë se nga të gjithë argumentet që tregojnë për jetën e Profetit , shokëve të tij apo imamllarët dhe dijetarët e drejtë , nuk njihet që ata ta kenë shprehur dashurinë ndaj Profetit  duke festuar (duke berë mevlud).Sahabet kanë qenë ata të cilët e kanë dashur më së shumti Muhamedin (salallahualejhiveselem) saqë kanë sakrifikuar pasurinë, familjen dhe jetën e tyre për të, dhe sikur të shprehej dashuria ndaj Tij me mevlud, do ta kishin bërë ata atë para nesh. Kurse muslimanët në ditët e sotme nuk po ndjekin të njëjtën rrugë si të parët e tyre dhe nuk po shfaqin ashtu siç duhet dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të). Kjo sepse ata bazohen vetëm te dashuria ndaj tij, por harrojnë një obligim tjetër edhe më shumë i domosdoshëm, i cili nuk mund të kuptohet i ndarë nga dashuria, ky obligim është pasimi i Profetit.

Sot ne muslimanët bëjmë dallim mes dashurisë së tij dhe pasimit, ka njerëz që i japin përparësi vetëm dashurisë dhe lënë mënjanë pasimin, ashtu siç ka edhe të tillë që i japin përparësi pasimit dhe lënë mënjanë dashurinë ndaj tij. Ajo që mund të thuhet në këtë rast, është se nuk mund të ekzistojë një dashuri e vërtetë dhe e sinqertë, nëse kjo nuk shoqërohet me pasim. Nëse vërtet je i sinqertë në dashurinë ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të), atëherë ti duhet ta pasosh dhe ta marrësh për shembull atë, sepse çdo njeri që e do dikë, e shfaq këtë me bindjen ndaj tij, dhe ndjekja e Sunetit të Profetit është fryti i kësaj dashurie.

Nëse me të vërtetë ne e duam me gjithë shpirt Profetin, atëherë nuk ka sesi ne të mos jemi pasues të denjë të rrugës së tij, ashtu siç edhe na ka urdhëruar Allahu kur thotë :Thuaj: “Binduni All-llahut dhe të dërguarit, e ata qe refuzojnë, atëherë All-llahu nuk i do pabesimtarët!

Kurse Profeti (paqja qoftë mbi të) për pasimin e rrugës së tij na ka këshilluar: Kapuni mbas tij (Sunetit) me dhëmballë.

Pasimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka pozitë të madhe në fenë e All-llahut.
Ndjekja e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është gjysma e Shahadetit.

Ndjekja e të Dërguarit të All-llahut është argument që ti e do All-llahun dhe të Dërguarin e Tij dhe është rrugë që ty të falen gjynahet tua. Për këtë All-llahu thotë në Kur’an, në suren Ali Imran: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [Ali Imran, 31]
Për ndjekjen e Pejgamaberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka shpërblim me Xhennetin e All-llahut.
Thotë i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]: “Të gjithë ummeti im do të hyjë në Xhennet përveç atij që kundërshton. I thane: E kush kundërshton o i Dërguari i All-llahut?! Tha: Kush më ndjek mua do të hyjë në Xhennet dhe kush më kundërshton mua do të hyjë në Xhehenem.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Ndjekja e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] është cilësi e besimtarëve dhe shënjë e të devotshmëve.

All-llahu i Gjithëfuqishëm thotë: “Kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ia ka frikën All-llahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë ata që do të arrijnë atë që dëshirojnë.” [En-Nur, 52]
———————————–
Si bëhet pasimi i të Dërguarit të All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem]?

Pasimi i të Dërguarit të All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] bëhet në katër gjëra:
1. Në bindje
2. Në fjalë
3. Në vepër dhe
4. Në lënie

Për sëcilën inshAll-llah do të sjellim shembuj:

1. Pasimi i të Dërguarit të All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], në bindje bëhet duke besuar në atë që ka besuar i Dërguari i All-llahut, në atë mënyrë në të cilën ka besuar dhe këtu në bindje hynë; Fjala e zemrës e cila është besimi, dhe vepra e zemrës e cila është sinqeriteti, dëshmia, mbështetja, frika, shpresa, nënshtrimi dhe të tjera.

2. Pasimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në fjalë bëhet: Duke i marrë shembull fjalët e tij dhe duke besuar në atë që ka lajmëruar Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e jo vetëm duke i përsëritur fjalët e tija me gjuhë, pa i praktikuar në vepër. P.sh: Pejgmaberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: Falnu ashtu siç më keni parë mua duke u falur. Ne duhet të falemi ashtu siç është falur Pejgmaberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në atë mënyrë si na ka treguar ai.

3. Pasimi i të Dërguarit të All-llahut në vepër bëhet duke vepruar ashtu si ka vepruar Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] dhe për shkakun që ai ka vepruar, dhe

4. Pasimi i pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në lënie bëhet; Duke lënë atë që Pejgmaberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e ka lënë në atë mënyrë qysh e ka lënë për shkak që ai e ka lënë dhe ta ndjekesh të Dërguarin e All-llahut në çdo vepër.

Pra pasimi i Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] do të thotë ta ndjekësh atë dhe ta pasosh në ibadete, në fjalë, në vepra dhe në shmangëje (nga të ndaluarat).

Të punosh ashtu siç ka punuar i Dërguari i All-llahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem], në atë mënyrë që ka punuar duke filluar prej farzeve, mendubeve, mubaheve dhe mekruheve duke pasur qëllim dhe dëshirë me atë vepër dashurinë e All-llahut dhe pasimin e Pejgamberit [sal-lallahu alejhi ve sel-lem].

Në përfundim themi se dashuri e vërtetë ndaj Profetit do të thotë , kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) të jetë për ne edhe më i dashur se vetë shpirti i jonë që kemi në trup, duke qenë të sinqertë me fenë tonë dhe në dashurinë ndaj Profetit dhe kur të pasojmë Sunetin e tij, në ibadete, në fjalë, në vepra dhe në shmangëje (nga të ndaluarat).

O Zot, mbushi zemrat tona me dashurinë për Ty dhe dashurinë për Profetin Tënd! O Zot, na bëj ne ta duam të Dërguarin tënd më shumë se fëmijët tanë, të afërmit tanë, pasurinë tonë dhe mbarë njerëzit, për hir të mëshirës Tënde, na e prano lutjen, o Mëshiruesi më i Madh. !

O Allah i Madhëruar udhëzojë muslimanët që të kthehen në fenë e tyre, në moralin e Profetit të tyre, duke u larguar nga bidatet dhe shtesat në fe!

O Allah i Madhëruar na bëjë prej atyre që e pasojnë Pejgmaberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në çdo vepër të tij në besim, fjalë, vepër dhe lënie dhe e lusim All-llahun që t’na mundësojë të bashkohemi me Pejgamberin [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] në Xhennetul Firdeus.
Amin!

Shtoni salevatet mbi Profetin tonë Muhamedin a.s pasi Allahu I Lartësuar na ka urdhëruar duke thënë:
(إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا) [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit