1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dashuria e kësaj bote dhe njohja e Zotit të madhëruar.

Më të lexuarat

Nga: Mustafa Husni.

Dashuria e kësaj bote dhe njohja e Zotit të madhëruar.

Padyshim që Zoti i madhëruar posedon gjërat më të bukura dhe mbresëlënëse. Thotë Zoti në Kuranin famëlartë rreth këtij fakti:”Thuaj (o Muhamed!): “A doni t’ju tregoj për gjëra më të mira se ato? Për ata që janë të devotshëm, te Zoti i tyre do të ketë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përjetësisht. Aty do të kenë bashkëshorte të pastra dhe kënaqësi nga Allahu”. Allahu i vrojton robërit e Vet.” (Al Imran 15)
A e din o vëlla dhe o motër se çfarë do të thotë të jesh i përjetshëm dhe në xhenet…..?
I përjetshëm në xhenet, do të thotë të qëndrosh përgjithmonë në xhenet. Do të thotë të jesh mbret, të posedosh gjithçka që dëshiron, të jesh i qetë, pa vuajtje, ti urdhëron dhe ndalon, gjithçka është në shërbimin tënd… dhe kjo vazhdon në përjetësi.
Duke qenë se shejtani është dëbuar nga mëshira e Zotit, ai përpiqet me çdo kusht që të bëjë për vete sa më shumë njerëz. Diçka të tillë e përshkruan vetë Zoti në Kuranin famëlartë ku thotë:” Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim.” (Hixhr 39)
Shejtani e njeh mirë psikologjinë dhe mënyrën e të menduarit të njeriut. Ai din gjithçka rreth dobësive dhe pikave të forcës së tij. Grackat dhe dredhitë e tij janë të pafund.
Pasi i tha Zotit fjalët e mësipërme, shejtani pranoi dhe një realitet të hidhur për të. Ai përmend një grup njerëzish me të cilët dredhitë dhe grackat nuk i ecin. Këta njerëz janë:”përveç robërve të Tu të sinqertë”.
Robërit e sinqertë, janë ata që e njohin realitetin e kësaj bote, njohin xhenetin dhe skëterrën, njohin Zotin dhe ndjejnë dashuri për të, janë të bindur se gjithçka që ekziston mbi këtë botë do të zhduket përgjithmonë një ditë etj… Duke ditur këtë, ata janë dhënë pas hallallit dhe i shmangen haramit.
Ndërkohë që flasim, lexojmë ose dëgjojmë rreth madhështisë së botës tjetër, bukurisë së kënaqësisë së Zotit, afërsisë me Profetin a.s në xhenet, takimin me të afëriit tanë të vdekur për të cilët na ka marrë malli dhe shumë bukuri të tjera, padyshim që vlera e kësaj bote na dobësohet në zemra dhe priremi për të kërkuar atë që është më e bukur dhe madhështore.
Thotë Zoti në Kuran:”Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt.” (Isra 18)
Ti o besimtar i sinqertë meriton më të mirën, meriton xhenetin, pasi sakrifikove tokën e kësaj bote.
Çdo njeri, para se të zgjedhë mes dy gjërave, duhet të ketë njohuri për avantazhet dhe disavantazhet e secilës dhe zgjedhjen t’a bëjë duke u mbështetur në atë që fiton dhe atë që humb nëse zgjedh njërën. Po kështu është dhe çështja e kënaqësive të kësaj bote dhe atyre të botës tjetër. që të zgjedhësh kënaqësitë e botës tjetër, duhet të njohësh mirë shpërblimin që të pret dhe çfarë humbet nëse braktis të mirat dhe kënaqësitë e kësaj bote.
Padyshim që njohja e shpërblimit dhe të avantazheve të botës tjetër, na ndihmon edhe në zgjedhjen e bindjes së Zotit, kundrejt kënaqësive të kësaj bote.
Duke njohur Zotin e madhëruar, cilësitë e Tij, forcën dhe pushtetin, ti o besimtar e ke më të kollajtë të zgjedhësh botën tjetër dhe të refuzosh këtë botë. E ke më të kollajtë të ndahesh nga toka dhe dheu prej të cilit je krijuar dhe ushqehesh.
Duke njohur që Zoti është i gjthëpushtetshëm, ti je i bindur se Zoti do të të furnizojë dhe begatojë me begatitë e Tij të pafund. Ti je i bindur se çfarëdo të të ndodhë, ajo është më e mira dhe në interesin tënd. Nëse Zoti e din që pasuria është e dëmshme për ty, ai të privon nga pasuria, por të jep kënaqësinë dhe lumturinë e të pasurve, edhe pse je i varfër.
“Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më e qëndrueshëm.” (Taha 131)
Në këtë ajet, Zoti e porosit besimtarin që të mos lidhet me këtë botë dhe të mirat e saj, të cilat janë kalimtare dhe jetëshkurtër.
Profeti Muhamed a.s, e përshkruan këtë botë me fjalët:”Kjo botë është burgu i besimtarit dhe parajsa e jobesimtarit.”
Jeta në burg, është e lidhur ngushtë me një disiplinë dhe rregullore të caktuar. Të burgosurve u duhet të flenë në një orar të caktuar, të ushqehen në një orar, të dalin në oborrin e burgut në një orar, ka gjëra që u lejohen t’i mbajnë dhe gjëra të tjerja që nuk u lejohen.
E tillë është dhe kjo botë për besimtarin. Ai nuk ndihet i lirë siç do të jetë në xhenet. Është gjithmonë i lidhur me rregulla dhe ligje të cilat duhet t’i respektojë. Ndërkohë që jobesimtari jeton në këtë botë pa njohur kufinj dhe limite. Për të gjithçka është e lejuar dhe nuk e njeh fjalën haram. Kur jobesimtarët do të paraqiten para Zotit, do u thuhet:
“Ditën, kur ata që kanë mohuar do të vihen para Zjarrit (do t’u thuhet): “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to, ndërsa sot do të ndëshkoheni me dënim poshtërues, sepse keni qenë arrogantë në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe nuk i jeni bindur Allahut.” (Ahkaf 20)
Duke qenë se nuk kanë respektuar asnjë nga urdhërat dhe porositë hyjnore, ata i dhanë liri vetes të drejtën për të shijuar gjithë kënaqësitë dhe të mirat e kësaj bote. Ngaqë i shijuan dhe provuan të gjithë kënaqësitë e kësaj bote, ata i humbën vetes mundësinë e shijimit të mirave dhe kënaqësive të botës tjetër, xhenetit.
Prandaj, është e pamundur që një besimtar të lidhet dhe të jepet pas xhenetit dhe kënaqësive të botës tjetër, ndërkohë që vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me këtë botë dhe të mirat e saj.
Një herë, Profeti a.s po kalonte në një rrugë bashkë me shokët e tij dhe pa një dele të ngordhur. Ai ndaloi dhe u tha shokëve:”Kush e blen këtë dele të ngordhur një derhem?”
Njëri nga shokët i tha:”Kaq e dobët sa ç’është kjo, edhe e gjallë po të ishte nuk ia vlen të blihet një derhem!”
Atëherë Profeti a.s u tha:”Tek Zoti, kjo botë ka më pak vlerë, seç ka kjo dele tek ju.”
Kur Faraoni vendosi t’a ndëshkojë gruan e tij besimtare, ajo tha:”Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: “O Zoti im! Ndërtomë një banesë tek Ti, në Xhenet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!” (Tahrim 12)
Tregon Ibnu Abasi:”Do të vijë dynjaja Ditën e Kijametit me pamjen e një gruaje të plakur dhe të shëmtuar, e cila do i thotë Zotit:”O Zot i madh! Më cakto mua si shpërblim për personin që do të shpërblesh më pak nga banorët e xhenetit!”
Zoti do i thotë:”Unë nuk kam dashur që të jesh shpërblim i robërve të Mi në dynja, si të dua të jesh shpërblim për ta në xhenet?!”
Duke dashur që të na përshkruajë një tablo sa më të qartë të kësaj jete, Profeti a.s thotë:”Është ajo që ke ngrënë dhe konsumuar, ajo që ke dhënë dhe magazinuar, ajo që ke veshur dhe ke grisur.”
Dijetarët muslimanë thonë:”Nepsi më i madh i njeriut është ai i të ngrënit, neps i cili nuk zgjat më shumë se tridhjetë sekonda. Kjo është periudha e përtypjes së ushqimit.”
Ajo që i mbetet, i shërben dhe për të cilën do të shpërblehet, është vetëm ajo pasuri që njeriu ka dhënë. Janë vetëm ato të holla, ushqime, veshje etj… të cilat ua ka ofruar të varfërve. Gjithçka që u ke dhënë të varfërve dhe ke ndihmuar njerëzit në nevojë, është e rezervuar tek Allahu i madhëruar.
Një herë, Profeti a.s ndodhej në shoqërinë e Ebu Dher-it. Gjatë bisedës, Profeti a.s i tha:”O Ebu Dher! Pasanikët e kësaj bote, do të jenë të varfër në botën tjetër, përveç atyre që e shtrijnë dorën kështu” duke bërë me shenjë dorën e cila u jep të varfërve.
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kjo botë në krahasim me botën tjetër, është si dikush prej jush që fut gishtin në ujin e detit dhe kontrollon sa ujë ka marrë gishti.”
Bota tjetër i ngjan një oqeani gjigand, ndërkohë që kjo botë i përngjan pikës së ujit të nxjerrë nga ky oqean.
Më pas, Profeti a.s shtoi:”I pasur nuk është ai që ka pasuri të shumta, por ai që ka zemër të pasur.”
Pasuria më e madhe është kur ti je i kënaqur me atë që ke dhe nuk i mban sytë tek ata që kanë më shumë. Pasuria më e madhe është kur ti i mban sytë dhe kërkon të jesh si ata që kanë besim më të fortë dhe janë më të përkushtuar në fe.
 
Miqësinë tuaj e lashë, kokëlartë
Asnjë prej jush, nuk e gjeta të barabartë
Edhe pse i uritur dhe gjella më tundon
Po pashë mizat në pjatë, ngrihem dhe ushqimin e refuzoj
Kurrë luani nuk pin ujin e lumit
Nëse sipër tij, kanë pirë qentë e katundit.
 
Thotë imam Shafiu:”Kush lidhet pas kësaj bote, kthehet në një skllav të banorëve të saj.”
Kjo, pasi i sheh si rast për t’u pasuruar dhe përfituar prej tyre. Në këtë mënyrë, ai përdor çdo mjet, qoftë dhe i ulët, për të arritur atë që dëshiron.
Thuhet që luani njihet si mbreti i pyllit, pasi nuk han dhe nuk pin gjëra që i kanë lënë të tjerët.
I tillë duhet të jesh dhe ti o besimtar. Nuk ka përse të edhe kafshët, më fisnike dhe krenare se ti.
Ne duhet të çlirohemi nga litarët dhe vargonjtë e kësaj bote. Kulmi i fisnikërisë tënde është kur t’i kërkosh Zotit xhenetin dhe gradat e tij më të larta, duke shpërfillur dynjanë.
Në atë çast kur të sigurohemi që këtë botë e kemi në dorë, kurse botën tjetër në zemër, do e kemi të lehtë të ndahemi dhe t’i shkëpusim lidhjet nga dashuria për të mirat e kësaj bote.
Pas gjithçkaje që përmendëm, secili prej nesh duhet t’ia kujtojë vetes atë udhëtim të bukur të shpirtrave të njerëzve të ndershëm drejt qiellit dhe banorëve të tij.
Vallë si do të arrijë shpirti ynë deri tek porta e xhenetit, dhe të presë sa të hapet dera për të shijuar mrekullitë dhe atë që ka pregatitur Zoti?
Kjo, duke e shpërfillur dynjanë, duke udhëtuar me anijen e ahiretit dhe duke i lidhur zemrat tona me Zotin dhe shpërblimin e Tij.
Në fund, e lus Zotin që të shihemi sërish në temën tjetër.
Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit