Nga: Dr Amër Halid
Dashuria 1
Një pjesë e rëndësishme e qetësisë shpirtërore të njeriut, është emocioni i bukur i dashurisë. Një karakteristikë e njeriut është aftësia e tij për të dashur, për tu falur dashuri të gjithë atyre që e rrethojnë dhe të gjithë njerëzve.
Fjalës “dashuri” i është bërë padrejtësi e madhe. Asaj i është bërë padrejtësi në dy dimensione të ndryshme:
I pari, në qasjen dhe këndvështrimin e ngushtë që i jepet dhe që shihet vetëm si një lidhje mes një djali dhe një vajze. Ky këndvështrim kaq i ngushtë, e ka shpërfytyruar konceptin e bukur të dashurisë.
I dyti dhe që vjen nga një shtresë fetarësh dhe besimtarësh, të cilët kur panë përhapjen e konceptimit të shpërfytyruar të dashurisë, si një emocion që nuk e kalon lidhjen mes një djali dhe një vajze, u hyri paniku nga kjo fjalë dhe e braktisën atë në total. Kështu, fjala dashuri tek ata u bë sinonim i haramit, turpit, shthurjes dhe gjithçkaje tjetër të refuzuar.
Disa kultura të tjera, për shkak se janë dhënë shumë pas materializmit, kanë caktuar dhe një ditë të veçantë, të cilën e kanë emërtuar si ditën e dashurisë dhe të dashuruarve.
Sakaq, ne si myslimanë e adhurojmë Zotin me dashuri, ne shpërblehemi nga Zoti për dashurinë që japim dhe marrim, dashuria tek ne myslimanët është kredo. Profeti Muhamed a.s thotë:”Nuk e keni besimin të plotë, derisa të “doni” për vëllain atë që “doni” për veten.”
“Kush ka tre tipare, ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Që Zoti dhe i dërguari i tij të jenë njerëzit e tij më “të dashur”; “ta dojë” dikë tjetër vetëm për hatër të Zotit…”
Ne si myslimanë besojmë se i gjithë universi bazohet mbi emocionin e dashurisë dhe se në momentin që ky emocion zhbëhet, mbaron dhe jeta. E mira që bëhet në të gjithë universin, bazohet mbi idenë e dashurisë. Vetë koncepti i dhembshurisë, buron nga emocioni i dashurisë.
Sinqerisht të vjen shumë keq dhe pikëllohesh teksa e sheh që abuzohet kaq shumë me dashurinë, të vjen keq kur vetë besimtarët e shohin gjithë dyshim madje e urrejnë atë. E si mund të jetohet pa dashuri?
Dashuria produkt i kujt?
Që të kemi një qasje sa më të drejtë ndaj këtij emocioni të bukur, pra dashurisë, e shoh me vend të thellohemi tek burimi i saj dhe gjurmët na çojnë pikërisht tek Zoti, Krijuesi ynë. Është Zoti i lartësuar ai që e krijoi këtë emocion, është Ai që i mbushi zemrat tona me dashuri, është Ai që i mësoi ato të duan dhe të dashurojnë.
Vallë si kultivohet dashuria nga nëna tek fëmija, që nga njeriu i parë në tokë, Ademi dhe Havaja, e që vazhdon deri në ditën e Kiametit?
Ne shohim që gjithçka në jetën e njeriut ndryshon, teknologjia, moda, traditat dhe zakonet, ndërkohë që dashuria mbetet po ajo.
Asnjëherë dhe nga askush nuk mund të pretendohet se dashuria është shndërruar në një modë të vjetër dhe që duhet ndryshuar.
Vallë çfarë kanë të veçantë nënat, që e përcjellin emocionin e dashurisë nga një brez tek një tjetër?
Kurani e fton njeriun të meditojë në veten e tij “dhe në vetet tuaja, a nuk e shihni?” Sa herë që e lexojmë këtë pasazh, na shkon mendja tek mrekullitë shkencore në krijimin e njeriut. Si vallë nuk na shkon mendja të meditojmë rreth emocionit më të vyer që jeton brenda këtij njeriu, dashurisë?
Po të shohim, emocioni i dashurisë është relativ. Dashuria më e madhe për njeriun në ditët e tij të para, shkon për nënën e tij, mandej ajo shkon në përqindje më të vogla për njerëzit e tjerë, sipas afërsisë, babai, xhaxhai, daja, tezja… Kur mbush moshën për martesë, emocioni i dashurisë pëson në ngritje të madhe, duke dashuruar njeriun me të cilin lidh jetën. Me lindjen e fëmijëve, ky emocion arrin kulmin dhe lidhesh maksimalisht me fëmijët e tu. Kur të lindin nipër e mbesa, dashuria ndaj tyre vazhdon e pëson rritje edhe më të madhe sesa ajo ndaj fëmijëve të tu.
Një mrekulli tjetër në emocionin e dashurisë, është se çdo lloj dashurie ka përjetimin dhe shijen e saj. Dashuria për fëmijën është krejt e ndryshme nga dashuria për atdheun. Dashuria për nënën është e ndryshme nga dashuria për fëmijën, dashuria për gruan/burrin është e ndryshme nga dashuria për mikun/mikeshën.
Dashuria me të gjithë llojet dhe format e saj, ka si burim kryesor vetë Zotin e lartësuar. Është Ai që i furnizon njerëzit me këtë emocion kaq të bukur.
Ideja që Zoti dhe Krijuesi ynë dhe i gjithçkaje tjetër na do, në vetvete është gjëja më e bukur që mund të përjetojë një njeri.
Që në vegjëlinë tonë, ne jemi rritur me ligjërata fetare, mësime dhe këshilla të shumta, mbi rëndësinë e dashurisë për Zotin. Hoxhallarët, mësuesit dhe prindërit na kanë mësuar se duhet ta duam Zotin, na tregonin modele nga jeta e Profetit a.s dhe të shokëve të tij, mbi dashurinë për Zotin… Por për fat të keq, shumë pak prej tyre, për të mos thënë fare, na flisnin mbi dashurinë e Zotit për krijesën e tij njeri. Shprehja e dashurisë dhe respektit nga një njeri, shoqërohet me emocione të bukura. Imagjino kur kjo dashuri të shprehet në mënyrë konkrete çdo ditë nga vetë Zoti i lartësuar, nga vetë Krijuesi dhe Kujdestari yt.
Profeti a.s tregon se kur Zoti e do një person, e thërret Xhibrilin a.s dhe i thotë:”Unë e dua filanin, prandaj duaje dhe ti!” Imagjino sikur në këto momente, Zoti e thërret Xhibrilin a.s dhe i thotë se të do ty, duke përmendur dhe emrin tënd! Imagjinoje veten ditën e Kiametit, ndërkohë që Zoti të thërret dhe të thotë:”Unë të dua o filan!”
Provoje të bësh një kontakt me Zotin në këto momente, provoje ti flasësh me zemër! Vallë çfarë do i thuash? Si do i drejtohesh? Në këtë rast, nuk është gjuha ajo që flet, por zemra dhe shpirti.
Vetë forma dhe mënyra si e ka sjellë njeriun në këtë botë, është tregues i dashurisë së Zotit për njeriun. Po të vëresh, çdo proces që ka shoqëruar krijimin e njeriut, është plot dashuri dhe dhembshuri.
“dhe kur ti jap formën” këtë formë dhe pamje që ke, e ke nga vetë Zoti, është Ai që ka zgjedhur për ty këtë pamje dhe formë. Hidhu një vështrim gjallesave të tjera për ta kuptuar dashurinë e Zotit për ty o njeri!
“dhe kur ti jap formën dhe ti fryj nga shpirti im, i bini në sexhde”
Urdhri që engjëjt ti përulen Ademit a.s, buronte nga dashuria e Zotit për të.
Zoti të solli në ekzistencë me dashuri dhe vetë trajtimi i Tij është plot dashuri. Thotë profeti Muhamed a.s:”Zoti i ka shënuar të mirat dhe të këqijat, pastaj i sqaroi ato. Kushdo që niset ta bëjë një të mirë dhe e finalizon atë, i shkruhen sa dhjetë të tilla. E kushdo që niset ta bëjë një të mirë dhe nuk arrin dot ta finalizojë, i shkruhet si e mirë. Kushdo që niset të bëjë një të keqe dhe e finalizon, i shkruhet si një e keqe. Kushdo që niset të bëjë një të keqe dhe nuk e finalizon, nuk i shkruhet.”
Tek Zoti e mira shkruhet sa dhjetë, ndërkohë që e keqja vetëm një, kjo sepse Ai e do njeriun, të do ty o vëlla dhe oj motër.
Tregon profeti Muhamed a.s se Zoti thotë:”Kush më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një parakrah. Kush më afrohet një parakrah, i afrohem një pash. Kush vjen drejt Meje duke ecur, shkoj drejt tij duke vrapuar.”
Një Zoti që ti thotë këto fjalë, padyshim që i thotë se të do.
Një i ditur thoshte:”Nuk është për tu çuditur nga një rob i cili kërkon të miqësohet me Padronin e tij, por është për tu çuditur kur vetë Padroni kërkon miqësinë e robit të Tij.”
Një formë se si shfaqet dashuria e Zotit për ty o njeri, është se Ai ti mbulon të metat. Nuk ti mbulon të metat dhe nuk të demaskon vetëm se ai që do. Zoti ti mbulon të metat, sepse dëshiron që të jetosh me nder, me dinjitet dhe krenar. Vetë skandali në vetvete, është poshtërues dhe ti ul vlerat si në sytë e botës ashtu dhe në sytë e tu.
Reflekto pak me veten dhe vërej sa herë të ka mbuluar Zoti, sa herë ke rrëshqitur dhe nuk të ka demaskuar.
Vetë mbulimi i të metave shfaqet në forma nga më të ndryshmet. Ai shfaqet në mbulimin e mendimeve negative dhe imagjinoni çfarë do të ndodhte sikur këto mendime të bëheshin publike, tu shfaqeshin të gjithë njerëzve, të kishin mundësi që secili të lexojë mendimet e tjetrit.
Një nga faktorët më të rëndësishëm që na shtyjnë ta duam Zotin dhe ku shfaqet fuqishëm dashuria e Zotit për ne, është mbulimi i të metave tona.
Imagjinoni nëse gjynahet tona do të mbanin erë, asokohe nuk do të mjaftonin parfumet e të gjithë botës për ta ndryshuar erën e këtyre gjynaheve. Imagjinoni nëse tradhtia e bashkëshortit dhe e bashkëshortes, do të publikohej mbi ballin e secilit. Imagjinoni që sa herë të bëni një gjynah, të publikohej mbi derën e shtëpisë!
Zoti të krijoi me dashuri, të trajton me dashuri dhe shpërblimi i Tij është plot dashuri, shpërblimi më i madh i Zotit është xheneti. Vetë xhenetin Zoti e ka ndarë në shkallë të ndryshme, ku më e larta është ajo e Firdeusit, e cila gjendet pranë Tij. Kjo, sepse sa më afër Tij të jesh, aq më shumë të do.
Asija, gruaja e Faraonit lutej:”O Zot, më ndërto tek Ti, një shtëpi në xhenet!”
Ajo e specifikon “tek Ti” dhe jo thjesht në xhenet, por sa më pranë Teje o Zot. Me këtë fjalë, ajo sikur kërkon Firdeusin, xhenetin më të lartë, atje ku mundet të shikojë vetë Zotin.
Zoti na ka sjellë në këtë botë falë dashurisë që ka për ne, na trajton me dashuri gjatë jetës dhe vetë shpërblimi i Tij në botën tjetër në thelb ka dashurinë. Imagjino sikur të gjitha këtyre ti shtosh besimin dhe përkushtimin tënd. Thotë profeti Muhamed a.s, duke transmetuar fjalët e vetë Zotit, i cili thotë:”Kush më lëndon një të dashur (evlija), i kam shpallur luftë.”
“Robi im do të vazhdojë të afrohet me Mua me nafile (vepra të mira vullnetare) derisa ta dua, e kur ta dua do të jem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin shikon, dora me të cilën prek. Nëse më kërkon do ia jap dhe nëse më lyp mbrojtje do e mbroj.”
Qëndro për disa momente me veten dhe mundohu ti flasësh Zotit, duke e ndjerë dashurinë e Tij. Kjo të ndihmon që marrëdhëniet e tua me Zotin ti kesh të bazuara mbi dashurinë karshi Tij dhe jo frikën prej Tij.
Vazhdon…
Përktheu: Elmaz Fida
…