2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dalliu dhe komunistet

Më të lexuarat

Hafiz Dalliu sipas një bashkëkohësi

Ja se si e përshkruan poeti dhe bashkëkohësi Ibrahim Hasnaji punën e Hafiz Dalliut dhe paralajmërimet që i bëri ai popullit tiranas dhe atij shqiptar asokohe. Gjithashtu ai përshkruan edhe shpirtin rezistent të Hafiz Dalliut dhe opozitarizmin e tij që e bëri të përfundojë nëpër burgje, sepse e deshi të vërtetën dhe këtë vend, saqë askush nuk mundi t’ia mbyllë gojën atij.

“Mbas ardhjes në fuqi të pushtetit ateist-komunist, Hafizin, ashtu si të gjithë vargun e pafund të patriotëve të ndershëm –e burgosën dhe e torturuan me akuzën e dhimbshme dhe të turpshme “Armik i Popullit”.
Hafiz Ibrahim Dalliu pati një meritë të madhe, sepse evidentoi shpirtin e madh demokratik e paqedashës të tiranasve autentikë, në kundërshti me pushtetin ateist-komunist, që i mohoi vlerat e popullit të këtij qyteti. Akuza kryesore që i vihej Hafizit ishte se në dhjetorin e vitit 1918 kishte shkruar në poemën “Grenzat e kuqe të Tiranës” strofën ku sulmonte pansllavizmin (si pasojë edhe Partinë Komuniste Shqiptare që nuk ishte tjetër, veçse një pjellë e pansllavizmit). Hafizi në strofën e tij të përfolur, në dhjetorin e vitit 1918, pati thënë:
Zot, kuçedrës së pansllavizmit,
Pritja kryet sa më parë,
Shueje racën e barbarizmit,
Këtij kombi të mos i mbesë farë!

Këto katër vargje mjaftonin për gjyqet komuniste, që t’I shkonte deri edhe koka Hafizit veteran.
Hafiz Ibrahim Dalliu ka meritën e madhe në arsimin shqiptar, se figuron si një nga mësuesit e parë të shkollës Normale të Elbasanit.
Në janar të vitit 1949, në burgun e Tiranës shkroi vargjet e titulluara “Drejtësia e sundimtarëve të sotshëm”, të cilat i ruajti dhe i fshehu me kujdesin më të madh. Ndër këto vargje ai thotë:
Po kërkove bukën të japin urinë
Po kërkove jetën të japin patërdinë
Po kërkove nderin të japin llaftarinë

Po kërkove shokun të japin pabesinë
Po kërkove besën të japin tradhëtinë
Po kërkove mëshirën të japin gjakësinë
Po kërkove njëriun të japin kafshërinë
Po të jesh shenjtor të bashkojnë me qenërinë
Po kërkove dritën të japin errësirën
Po deshe shijen të japin të vështirën
Po kërkove fenë të japin mundimin
Po kërkove dhimbjen të japin acarimin
Po të duash paqen të bashkojn’ me krimin
Po të duash familjen të japin burgimin
Po kërkove rregullin të japin kukudhin
Po kërkove Zotin të japin të paudhin.

Si përfundim, do të jetë vetëm historia ajo që do t’i japë tërësinë e peshës së vet figurës së patriotit të madh Hafiz Ibrahim Dalliut[1].

Figura e Hafiz Dalliut është pak e njohur për publikun e gjerë të sotshëm, si dhe për kontributin e tij shumëplanësh në dobi të komunitetit tiranas e më gjerë. Në një botim të fundit mbi Historinë e Sigurimit të Shtetit 1945-1991 në një raport të Muço Saliut flitet se si i detyronin “të burgosurit të këndonin si hoxhë”. Po ashtu aty rrëfehet se si hetuesit si pjesë të torturave kishin edhe talljet e ofendimet për t’i thyer shpirtërisht e moralisht të burgosurit politikë, që më pas të kishin mundësinë për t’i manipuluar më lehtë dhe për t’ju nxjerrë dëshmitë apo deklarata të rreme. Por Hafiz Dalliu, gjithashtu edhe shumë hoxhallarë të tjerë që kaluan nëpër qelitë e Sigurimit të Shtetit nuk u dorëzuan, duke treguar karakter të fortë dhe një integritet të lartë moral, gjë që iu mungon të gjithë drejtuesve të lartë të sotëm.

[1] Hafiz Ibrahim Dalliu, Vepra Letrare, Botime Enciklopedike, Tiranë 2000, fq. 93-95.

Nga Roald A. HYSA

aldohysa.blogspot.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit