-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

“Daja”, boss i tokave

Më të lexuarat

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, po dyshohet të jetë edhe “komandant” i një grupi kriminal që është marrë me shitjen e tokave shoqërore në periferi të Prishtinës.

Syla vetë i 51-ti, dje ka qenë në “target” të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por ai nuk ka “qëlluar” në shtëpinë e tij kur në derë trokitën hetuesit, por as nuk iu është paraqitur më vonë autoriteteve.

Policia arrestoi vetëm 6 nga 52 të dyshuarit për tjetërsim të pronave dhe shpërdorim të detyrave zyrtare në operacionin më të madh kundër krimit të organizuar, realizuar nga Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

Në operacionin që filloi në orët e hershme të mëngjesit Policia bastisi rreth 40 prona të ndryshme, përfshirë edhe ato të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, në Kishnarekë të Drenicës.

Ndërkohë vetëm dhjetë ditë më parë, në një reagim të tij, Syla kishte thënë se nuk bëhej fjalë për të në akuzat e para.

Sidoqoftë, prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjashtë të arrestuarve t’u caktohet masë paraburgimi. Në mesin e atyre që është arrestuar, është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, i dënuar për shpërdorim të pronave shoqërore. Por, avokati i Ukës, Tahir Rrecaj, ka thënë se klienti i tij e ka kundërshtuar paraburgimin për shkak se nuk ka kurrfarë lidhje me Azem Sylën.

Për fatin e gjashtë të arrestuarve të parë pritet që të vendoset sot nga Gjykata Themelore.

Lidhur me operacionin e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, kanë reaguar presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit