Bota mund të shohë vitin e ardhshëm transformimin gradual të pandemisë së COVID-19, në një sëmundje endemike si shumë të tjera me të cilat po bashkëjeton njerëzimi. Por kjo mund të mos ndodhë, në rast se pabarazia e dukshme në qasjen ndaj vaksinave e zgjat atë akoma më tej, dhe nëse vazhdojnë të shfaqen variante më të këqija.
Edhe pse vendet po përpiqen ta ndalin përhapjen e një varianti të ri shqetësues të virusit dhe Evropa po përballet me një rritje të ndjeshme të rasteve në fillim të këtij dimri, ekspertët e shëndetësisë thonë se është ende e mundur zbutja e pandemisë gjatë vitit të ardhshëm.
Në fakt, ekzistojnë të gjitha njohuritë dhe mjetet e nevojshme për ta vendosur nën kontroll virusin, pasi ka tashmë në dispozicion shumë stoqe me vaksina të sigurta dhe efektive. Por mbetet e paqartë nëse ne do të bëjmë zgjedhjet e vështira që janë të nevojshme, apo do të lejojmë që pandemia të vazhdojë të përhapet, duke i hapur potencialisht rrugën një situate shumë më të keqe.
“Trajektorja e kësaj pandemie është në duart tona”-deklaroi së fundmi për gazetarët MariaVan Kerkhov, eksperte kryesore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për krizën e COVID-19. A mund të arrijmë një gjendje ku të kemi fituar kontrollin mbi virusin brenda vitit2022? “Absolutisht që po. Ne mund ta kishim bërë tashmë këtë gjë, por kjo nuk ka ndodhur”– tha ajo.
Një vit pas daljes në treg të vaksinave të para, në nivel global janë administruar më shumë se 7.5 miliardë doza. Dhe bota është në rrugën e duhur për të prodhuar rreth 24 miliardë doza deri në qershorin e vitit të ardhshëm, një shifër që është më se e mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë banorët e planetit, raporton MedicalExpress.
Ekspertët thonë se është e mundur zbutja e pandemisë gjatë vitit të ardhshëm. Por mungesa e madhe e vaksinave në vendet më të varfra dhe kundërshtimi i disave për t’u vaksinuar aty ku ka vaksina, i ka lënë vendet të prekshme, teksa variantet e reja më të transmetueshme sikurse është Delta, kanë shkaktuar valë të reja infektimesh.
Kjo ka sjellë vazhdimin e skenave të pacientëve të intubuar në spitalet e mbipopulluara dhe radhët e gjata të njerëzve që përpiqen me dëshpërim të gjejnë oksigjen për njerëzit e tyre të dashur. Imazhet e dhjetëra turrave me dru të improvizuara që djegin trupat e pajetë në Indinë e goditur fort nga varianti Delta, janë shndërruar në mishërimin e kostos së lartë njerëzore të pandemisë aktuale.
Zyrtarisht, më shumë se 5.1 milionë njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në mbarë botën, edhe pse OBSH-ja thotë se shifra reale ka të ngjarë të jetë 2-3 herë më e madhe. Në Shtetet e Bashkuara, që mbetet vendi më i prekur në botë me afro 800.000 të vdekur, fluksi i vazhdueshëm i nekrologjive të shkurtra të postuara më llogarinë në Twitter, FacesOfCovid, përfshin shumë njerëz që nuk ishin vaksinuar.
“Amanda, një mësuese matematike 36-vjeçare në Kentucky. Kris, një trajner 34-vjeçar futbolli në një shkollë të mesme në Kansas. Sheri, një mësuese 40-vjeçare e klasës së 7-të në Ilinois, transmeton bota.al. Të gjitha patën ndikim në komunitetet e tyre. Të gjithë ishin shumë të dashur nga njerëzit. Të gjithë ishin të pavaksinuar”- thuhet në një postim të fundit.
Dy vjet pasi virusi u shfaq për herë të parë në Kinë, vendet po luhaten ende midis hapjes dhe rivendosjes së kufizimeve. Protestat kundër vaksinimit po tronditin një sërë vendesh në Evropë, e cila është bërë sërish epiqendra e pandemisë.
Pavarësisht skenave të tilla, shumë ekspertë sugjerojnë se pandemia do të përfundojë së shpejti. COVID-19 nuk do të zhduket plotësisht, por do të bëhet një sëmundje endemike e kontrolluar kryesisht në të njëjtën mënyrë siç bëjmë me gripin, thonë ata.
Po ashtu, eksperti i mirënjohur amerikan i sëmundjeve infektive, Entoni Fauçi, ka deklaruar se rritja e numrit të të vaksinuarve do të na çojë së shpejti në një pikë ku COVID-19 “mund të jetë ndonjëherë vërdallë në sfond, por nuk do të na dominojë, ashtu siç po bën tani”.
Por pabarazia e dukshme në qasjen ndaj vaksinave mbetet ende një sfidë e madhe. Rreth 65 për qind e njerëzve në vendet me të ardhura të larta kanë marrë të paktën një dozë vaksine, por në vendet me të ardhura të ulëta kjo shifër është më pak se 7 për qind.
OBSH-ja ka paralajmëruar se Omicron
një variant i ri i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, paraqet një rrezik “shumë të lartë” në nivel global. Duke e cilësuar një fyerje morale këtë çekuilibër , OBSH-ja u ka kërkuar vendeve të pasura të heqin për momentin dorë nga ofrimi i vaksinave përforcuese për të vaksinuarit plotësisht, derisa më të pambrojturit kudo në botë të kenë marrë dozat e tyre.
Por deri më sot pa asnjë dobi. Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se lejimi i përhapjes së pandërprerë të COVID-19 në disa vende rrit në mënyrë dramatike shanset e shfaqjes së varianteve të reja, më të rrezikshme, duke e vënë kësisoj në rrezik gjithë botën.
Një skenar makthi i përshkruar nga OBSH-ja parashikon që pandemia e COVID-19 të mbetet jashtë kontrollit, mes një “breshërie” të vazhdueshme variantesh të reja, më të rrezikshme, edhe kur një virus i veçantë i transmetuar nga mushkonjat, si Zika, shkakton një pandemi paralele.
Konfuzioni, keqinformimi dhe krizat e emigracionit të shkaktuara nga njerëzit që ikin nga zonat me shumë mushkonja, do ta zbehin besimin tek autoritetet dhe shkenca, ndërsa sistemet shëndetësore do të hyjnë në kolaps, dhe për me tepër do të ketë trazira politike.
Ky është një nga disa skenarët e ”besueshëm”, thotë drejtori i emergjencave në OBSH, Majkëll Rajan. OBSH-ja po u kërkon vendeve të angazhohen për hartimin dhe miratimin e një traktati pandemik, që do ta ndihmojë botën të përgatitet dhe të parandalojë krizat e ardhshme shëndetësore. /koha