Për dallim nga një ndryshim i zakonshëm humori, ciklet e çrregullimit bipolar mund të zgjasin me ditë, javë apo muaj dhe janë intensive, sa ndikojnë në aftësinë për të funksionar.
Çrregullimi bipolar quhet ndryshe sëmundja maniako-depresive dhe njihet prej shumë shekujsh, rreth 400 vjet para Krishtit. Çrregullimi bipolar (ÇB) është një çrregullim kronik, me diversitet të gjerë manifestimesh klinike dhe prek afërsisht 1% të popullsisë në mbarë botën. Terma të tjerë që përdoren për të, janë: çrregullime afektive, çrregullime të humorit. Dr. Fatime Elezi, Shefe e Shërbimit të Urgjencës së Psikiatrisë në QUT, tregon se çfarë është kjo sëmundje dhe ku ndryshon ajo nga çrregullimet e zakonshme të humorit.
Sëmundja
Sëmundjet maniako-depresive përfaqësojnë një grup sëmundjesh mendore të rëndësishme, të shpeshta dhe që zgjasin. Karakterizohen nga periudha depresioni serioz dhe të zgjatur, që alternohen me periudha të humorit të lartë, ekspansiv ose irritues (të njohura si mani). Përgjithësisht, ndryshimi nuk është pasojë e shkaqeve ambientale. Ai (ndryshimi i humorit) mund të jetë i menjëhershëm, brenda orëve, ditëve ose gradual, në një periudhë kohe prej disa muajsh.
Diagnostikimi
Pse është e rëndësishme që çrregullimi bipolar të diagnostikohet dhe mjekohet në kohë? Çrregullimi bipolar ose sëmundja maniako-depresive, është një çrregullim serioz, i cili shkakton anormalitete në aktivitetin, strukturën dhe biokiminë e trurit, ndryshime të pazakonta të humorit, energjisë dhe aftësive të individit për të funksionuar në jetën e përditshme.
Kush preket
Çrregullimi bipolar prek pothuajse njëlloj të dy gjinitë dhe të gjitha moshat, nga 13-15 vjeç (ose edhe më herët nën moshën 12 vjeç), deri në 50-62 vjeç; mosha mesatare e fillimit të sëmundjes është 20-30 vjeç me një kulm të dytë në moshën 40 vjeç, sidomos për femrat, ndërsa mosha mesatare e diagnostikimit të sëmundjes, është rreth 24-26 vjeç. Ne 50 vitet e fundit, çrregullimet e humorit kanë njohur shpeshtim, duke shkuar deri në 3%.
Tipet
Çrregullimi bipolar ka disa lloje apo tipe. Në varësi të llojit, psikiatri vendos llojin e trajtimit dhe kohëzgjatjen e tij. Më konkretisht, kemi të bëjmë me tipe, si: Bipolar I Mani dhe Depresion, Bipolar II Hipomani dhe Depresion, Bipolar III Çrregullim ciklotimik, Bipolar IV Hipomani ose mani e precipituar nga antidepresivët, Bipolar V Depresion te pacientët me histori familjare për çrregullim bipolar, Bipolar VI Mani unipolare ose mani pa depresion.
Episodi depresiv
Një episod depresiv karakterizohet nga prania e simptomave të tilla: humor depresiv, pakësim të energjive dhe lodhje, ulje e vetëvlerësimit, vetëfajësim, përqendrim i keq ose vështirësi për të marrë vendime, ndjenjë e humbjes së shpresës, ankth, çrregullime të gjumit dhe të oreksit, rënie ose shtim në peshë, mendime rreth vdekjes, tentativa për vetëvrasje, etj. Disa pacientë mund të shfaqin edhe shenja psikotike, halucinacione dhe/ose deluzione, me përmbajtje humor përputhëse ose jo humorpërputhëse si edhe stupor depresiv.
Episodi maniakal
Një episod maniakal manifestohet me humor euforik (ose të shqetësuar), të folur të shpejtuar, hiperaktivitet, perceptim të “mendimeve të shpejtuara”, ndjenjë madhështie, pakësim të nevojës për gjumë, distraksion, përfshirje të tepruar në veprimtari të kënaqshme me potencial për vetëdëmtim.
Shpërthimi i manisë mund të jetë i menjëhershëm, brenda disa orësh, ditësh ose pason një periudhë prodrominale të simptomave, të cilat gradualisht rëndohen dhe zgjasin të paktën 2 javë deri në 3 muaj, ose edhe më tepër. Episodet maniakale shpesh pasojnë një gjendje stresi ose trauma të tjera, por prania e shkaktarëve të stresit nuk është thelbësore për diagnozën. Episodet, veçanërisht në adoleshentë, paraqesin fenomene psikotike (deluzione ose halucinacione) që shfaqen me sjellje të rënda antisociale, dështime akademike ose abuzim me substance. Në raste më të rënda deluzionet e madhështisë dhe të besimit janë në atë nivel, sa mund të ndikojnë në jetën e individit, duke manifestuar agresion ose akte të dhunshme, neglizhim të të ushqyerit, higjienës personale dhe me pasoja edhe më të rënda.
Depresionet e patrajtuara zakonisht zgjasin 4-9 muaj mesatarisht rreth 6 muaj, rrallë zgjasin më tepër se një vit, me përjashtim të të moshuarve dhe brenda 2 vjetëve pacientët mund të shërohen.
Ciklotimia
Ciklotimia është një tip i çrregullimit bipolar, por më i butë dhe me tendencë për të qenë një gjendje më kronike. Ajo mund të shfaqet në çdo periudhë të jetës, edhe pa zhvilluar një çrregullim të plotë bipolar. Disa klinicistë e kanë trajtuar ciklotiminë, si një çrregullim bipolar me ciklim të shpejtë.
Tipet e çrregullimit bipolar
Bipolar I Mani dhe Depresion
Bipolar II Hipomani dhe Depresion
Bipolar III Çrregullim ciklotimik
Bipolar IV Hipomani ose mani e precipituar nga antidepresivët
Bipolar V Depresion tek pacientët me histori familjare për çrregullim bipolar
Bipolar VI Mani unipolare, ose mani pa depresion