13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Ç’përfaqëson një qeveri që nuk jep llogari për asgjë

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi

Demokracia është një sistem i mbështetur plotësisht mbi llogaridhënien. Llogaridhënia ka ardhur si një vlerë e feve abrahamike dhe në zemër të saj ka faljen. Falja, sakrifica, pendimi janë akte parësore në këto fe. Njerëzit mund t’i falin ata që i kanë lënduar, ata që kanë bërë një dëm apo edhe një krim, kur ata e pranojnë atë që kanë bërë.

Ata nuk thonë thjesht “po e bëra këtë gjë”, por pendohen dhe përpiqen ta rregullojnë dëmin, të kompensojnë njerëzit që u dëmtuan.

Llogaridhënia në zyrat publike është pikërisht një manifestim i kësaj kulture të trashëguar nga feja, të cilën demokracia e ka brendësuar si një element themelor të sajin. Europa pas luftërave të quajtura fetare të shekullit të 17-të, nisi të ndërtojë një sistem politik dhe kulturor, në të cilin vendi i fesë, si bazë e rendit social, tanimë zihej nga natyra e njeriut.

Në këtë mënyrë, zhvillimi i një doktrine morale të themeluar mbi natyrën e njeriut, mori gjithnjë e më shumë rëndësi. Ky konceptim, sipas së cilit përmbajtja thelbësore e fesë është e llojit moral, u përkrah, përgjatë shekullit XVIII, nga deistët, (të cilët prodhuan iluminizmin francez) dhe në fund të po të njëjtit shekull, ky mendim u përhap nga Kanti, me librin e tij “Feja brenda limiteve vetëm të arsyes”, e më pas, nën gjurmët e Kantit, edhe nga ndjekësit e tij racionalistë.

Pra, feja nuk u pa më si një rrugë për të shpëtuar, por thjesht si një institucion moral, për disa i nevojshëm, për disa i panevojshëm. Sistemi i ri politik, demokracia, shteti, ligji (ndonëse jo fetarë apo edhe ndonjëherë antifetarë), do të trashëgonte dhe huazonte nga feja shumë gjëra, mes të tjerash edhe kulturën e faljes, sakrificës. Siç e thamë në themel të tij, (demokracisë), është llogaridhënia që buron nga kjo kulturë. Në fakt në Shqipëri thuajse është zhdukur ose po zhduket me shpejtësi gjurmë llogaridhënieje. Ndonëse për katër vite në qindra takime live para policisë (me videoprojektorë) kryeministri Rama u mburr se çliroi policinë nga krimi, se zhduku mbjelljen e hashashit, se ministri Tahiri ishte zemra e artë e një qeverie që po luftonte me forcë krimin, kur shumë të vërteta të frikshme dolën në shesh llogaridhënia aq u përmend. Jo vetëm që pati reflektim, dorëheqje, pranim faji për mbjelljen e vendit me hashash dhe për dyshimet e përfshirjes së ministrit Tahiri në trafik droge por u shkua deri në mbrojtje të tij. Gjithashtu, edhe në lidhje me drejtorët për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhër arresti nuk ka dhe patio asnjë grimë llogaridhënie.

Kryeministri dhe askush nga qeveritarët e rëndësishëm nuk shfaqi ndonjë ndjenjë përgjegjësie. E njëjta gjë më dështimet e propagandës mbi rritjen ekonomike, mbi krijimin e vendeve të punës. Qeveria jo vetëm që pranon se nuk krijoi dot vende pune siç premtoi në 2013-ën, por ripremton gati edhe kaq vende të reja pune për mandatin e tanishëm. E njëjta kulturë e mosllogaridhënies është vërejtur brutalisht në mbrojtjen e gjithkujt prej deputetëve të shumicës që akuzohej se vinte nga lidhje kriminale apo se prekej nga ligji i dekriminalizimit. Kryeministri mbrojti gati me dhunë kryetarin e bashkisë së Kavajës, duke u tallur dhe fyer opozitën që e akuzonte atë për lidhje me krimin.

Kur ai, pas rezistencës dhe mbrojtjes epike të kryeministrit, iku sërish nuk pati asnjë reflektim apo mbajtje përgjegjësie. Mungesa e llogaridhënies është padyshim një sëmundje e vjetër në Shqipëri, që nuk është sjellë nga Rama por kryeministri i sotëm e ka kthyer atë në monumentin e vetëm të madh të akteve të tij politike pasi jo vetëm që nuk e ka fare një kategori politike të tijën dhënien e llogarisë por edhe e ka zëvendësuar atë me akuzat ndaj kundërshtarit. Për shembull në rastin kur djali i një deputeteje vrau katër vetë, kryeministri tha që ne nuk bëjmë si qeveria e kaluar e cila mbronte krimin.

Po ashtu, kur nisën akuzat për trafik droge me avionë kryeministri ngriti një komision hetimor i kryesuar nga deputetja Felaj, që tha se trafik droge me avionë ka patur vetëm në qeverinë Berisha. Kur u dha vendimi nga Gjykata e Strasburgut që e quante të paligjshëm prishjen e një pallati në Vlorë (i ndërtuar nga familjarë të kryetarit të opozitës) Rama jo vetëm që nuk pranon shkeljen e rëndë të ligjit, por nxjerr njerëz në media të thonë që “njerëzit e kryetarit të PD-së do marrin paratë e buxhetit të popullit”.

Thuajse në çdo rast qeveria vepron me këtë standard. Sigurisht që asnjë qeveri nuk e ka qejf llogaridhënien por zhdukja e saj e plotë dhe shndërrimi i saj në akuzë ndaj kundërshtarit ndodh vetëm në mendje totalitare. Llogaridhënia dhe mënyra se si kuptohet dhe sillen me të politikanët përbën një dallim themelor mes të majtës dhe të djathtës. Roger Scruton, një filozof i njohur britanik, thotë se gjëja e parë që bëjnë utopistët kur vijnë në pushtet, është zhdukja e kulturës së llogaridhënies. Një utopist nuk mund të pranojë të kërkojë falje, nuk mund të pranojë se e ka gabim. Një utopist nuk mund të pendohet kurrë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit