Pas përhapjes së epidemisë së koronavirusit të ri (Covid-19) në SHBA është vërejtur një rritje e shpejtë e shitjes së armëve.
Wayne Vide, një punonjës në dyqanin e shitjes së armëve në New Jersey (NJ) një nga rajonet ku rastet e Covid-19 janë intensive, tha për AA se në dy-tre ditët e fundit janë formuar radhë të gjata para derës së dyqanit.
Ai tha se kjo situatë nuk është normale. “Mendoj se njerëzit në këtë kohë janë të shqetësuar se do të ndërpriten shërbime të caktuara dhe kanë frikë se si do t’i ruajnë shtëpitë dhe familjet e tyre. Për këtë ata vendosin të blejnë një armë. Armët më të shitura janë ato për ruajtjen e shtëpisë”, thotë Vide.
Ndërkohë Vide tha se kanë kufizuar shitjet në mënyrë të që mos kryhen stoqe të armëve.
Po ashtu shitjet e armëve janë rritur në masë edhe në rajonin e Virxhinias ku numri i rasteve të virusit është afruar në 70.
Në rajonet ku Covid-19 është shfaqur intensivisht, janë formuar radhë përpara dyqaneve për shitjen e armëve.
Kreu i Fushatës për Parandalimin e Dhunës me Armë, Kris Brown theksoi për rreziqet e mundshme që mund të lindin me rritjen e shitjes së armëve.
“Mund të ndodhë rritje tragjike e rasteve të vdekjes nga blerjet e armëve me panikun e epidemisë. 40 për qind e poseduesve të armëve i mbajnë armët në një mjedis të lirë në shtëpi. Kjo situatë çon në vdekje aksidentale”, tha Brown.
Ndërkohë, sipas faqes së internetit të institucionit “Consumer Affairs” thuhet se në 11 ditët e fundit janë rritur me 68 për qind shitjet në faqen Ammo.com e cila bën shitje të armëve nëpërmjet internetit.