1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

COVID-19, një ndryshim në të kuptuarit tonë për ndryshimin

Më të lexuarat

REDI SHEHU 

Vetëm disa javë më parë, askush nuk mund ta imagjinonte se jeta, në të cilën qemë zhytur tërësisht, me gjithë kompleksitetin dhe kontradiksionin e saj, thjesht nuk do të ekzistonte më. Gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe zbrazëtia e qyteteve dhe shteteve tashmë pasohet nga zbrazëtia e shpirtrave të trembur ndaj së ardhmes së panjohur. Sot, nuk je më i nënshtruar ndaj tiranisë së zakonshme të rutinës. Sot, forma jonë e jetës, karantinokracia e re e qenies njerëzore i është nënshtruar tiranisë së frikës së secilit që shfaqet nën ajrin e pastër të qyteteve dhe cicërimave të zogjve të lirë. Dalëngadalë, rendi i ri i karantinës së popujve po transformon ëndrrat e njerëzve drejt fundit të narrativës romantike mbi triumfin e shoqërive të tregut, të cilat sot janë zhytur në kolaps ekonomik. Drejt fundit të individualizmit të skajshëm, ku distancimi fizik pasoi afërsinë shpirtërore e familjare dhe drejt rënies së mitit të arsyes së pagabueshme, duke e gjunjëzuar para një qenieje mikroskopike. Koha është ndalur dhe e vetmja gjë që lëviz është pandemia e frikës që gjarpëron në psiken e njeriut të ri, të një njeriu që sapo ka hyrë në rendin e panikut psikologjik, një rend i cili nuk u përket lirive, por, izolimit, një rend që në thelbin e vet, më shumë sesa frymëmarrjen, ka distancën.

Covid-19 shënoi për herë të parë një pikë perfekte historike, ku shkenca dhe politika, si asnjë herë tjetër, u takuan në dakordësi të plotë, duke sjellë një pasojë të përbindshme sociale. Shkenca, si emisare e së vërtetës sipërfaqësore, dhe politika, si emisare e interesave shpesh të ngushta, u takuan diku në një kreshtë, e cila i bëri qeveritë të jenë më të “ekspozueshme” ndaj dështimit spektakolar. Virusi vetëm sa dekonstruktoi mitin e qeverive dhe shteteve gjigante. Ai thjesht i bëri ato më të lexueshme, më reale, ashtu siç ata janë në të vërtetë, domethënë, të gabueshme. Ai arriti që dhunshëm të zhvishte maskat e politikës, duke na përsëritur leksionin e vjetër, se katastrofat janë testi më i mirë i nivelit të besimit publik, i cili përmblidhet në dy postulate , “mos shtrembëro asgjë” dhe “mos manipulo askënd”. Jo vetëm kaq, por Covid-19, dhunshëm rrafshoi hierarkitë shpesh false të planetit, duke bërë frikën dhe shpresën të nivelohen në të njëjtin standard horizontalisht, nga njeri cep i botës te tjetri. Ndjenjat njerëzore, sjelljet e tyre, shpresa dhe frika, sëmundja dhe shërimi, u unifikuan në një mënyrë të paprecedent, duke na dhënë foton e një bote të dobët, të cilën nuk e njihnim, një botë e cila notonte e zhytur nga pesha e artificialitetit, imazhit, vanitetit dhe prepotencës së sipërfaqësores.

Komunikimi ndërnjerëzor, si asnjëherë më parë, furishëm u zhvendos në kuadratet prej qelqi të ekraneve të të gjitha llojeve. Hapësira, koha dhe koncepti ynë për lirinë u margjinalizuan vetëm brenda disa kufijve, që shtrihen nga kutitë dixhitale të rrjeteve sociale e deri te hekurat e ballkoneve. Rizbuluam shtëpitë dhe familjet tona, kuptuam vlerën e çastit dhe rëndësinë e fqinjësisë, shijuam natyrën dhe vlerësuam peizazhin larg kaosit, turfullimit dhe ndotjes.

Gjithë kjo përmasë e re që zbulohet përditë, gjithë ky proces që tashmë po përvijon ngadalë të kthehet në status quo, ka edhe një produkt të vetin të posaçëm, rëndësia e të cilit përmblidhet në ndryshimin e të kuptuarit tonë për vetë ndryshimin. Zakonisht, ne jemi mësuar t’i shohim gjërat të ndryshojnë në formë lineare, në formën e një spostimi nga pika A në pikën B. Jeta jonë në shoqëritë postmoderne, në shoqëritë e shpejtësisë së lartë, të revolucionit të “touchscreen”, e ka konceptuar ndryshimin si një proces linear, të shpejtë dhe që e sposton njeriun dhe shoqërinë ku ai jeton nga një pikë drejt tjetrës. Këtë, duke mos u kujdesur për cilësinë e kësaj zhvendosjeje, por duke u merakosur për shpejtësinë e mbërritjes në destinacionin e ri.

Covid-19 vjen papritmas dhe si një ferrotë me përmasa gjigante e frenon këtë ngjarje dhe fton përmes ndalimit në kërkimin e një forme të re të ndryshimit. Tashmë, rëndësia nuk duhet të drejtohet vetëm te destinacioni, por te njeriu, i cili udhëton drejt tij. Nëse ndryshimi linear e ka çuar shoqërinë njerëzore drejt humbjes së kuptimit të vetës, duke e shndërruar atë në mall tregu të ndërkëmbyeshme, ku çdo gjë dhe gjithçka e ka një çmim, kuptimi ynë i ri për ndryshimin, tashmë duhet të jetë lëvizja nga periferia drejt qendrës, nga sipërfaqja drejt thelbit, nga objekti drejt njeriut. Fuqia, ushtarake, fuqia ekonomike, shkëlqimi dhe luksi, imanentja dhe shpejtësia e rritjes, sot praktikisht janë kthyer në të pavlera. Kanë humbur kuptimin e tyre, sepse sot njeriu, si domethënia e gjithë kësaj arritjeje lineare, është më i cenuar se kurrë.

Jo rastësisht sot, njeriu është kthyer në epiqendrën e të gjitha qeverive, një soj mea culpa ndaj tërbimit dhe shpërdorimit që ata i kanë bërë atij. Sot, njeriu dhe vlera e tij, ka marrë formën e një aparati respirator, një metaforë e frymënxënies nga babëzia e progresit linear, pa thelb dhe pa kuptim. Janë qeveritë sot, të ekspozueshme ndaj dështimit spektakolar që flasin më shumë se kurrë për njeriun, një formë e re kjo e ndryshimit të konceptit qeverisës që premton se do modelojë lëvizjen nga periferia drejt thelbit, por që pak gjasa ka të transformohet në realitet.

Për herë të parë, e gjitha bota kupton, ndien dhe vepron në formën më të unifikuar sesa gjatë gjithë historisë së saj. Njerëzit sot praktikisht ndodhen në udhëkryq, ku nga njëra anë joshen nga forca tërheqëse e kthimit te rutina dhe praktikat e vjetra dhe nga ana tjetër detyrohen nga forca e realitetit të ri kokëfortë, që imponon sjellje dhe mendim të ri. Diferenca mes tërheqjes drejt stilit të vjetër të jetesës dhe realitetit të ri që imponon vetëkontroll, përbën edhe fillimin e një procesi të një epoke të re. A do të jetë kjo një botë më ndryshe? Në fakt, bota nuk ka qenë kurrë njësoj si më parë. Gjithmonë ka pasur ngjarje, të cilat i kanë dhënë tingëllimën e vet kohës kur kanë ndodhur. Pra, secila kohë e ka bërë botën unike në të tashmen e saj. Po ashtu edhe Covid-19 e ka bërë botën sot unike, e ka ndryshuar pa pasur nevojë për të pritur ndonjë ndryshim. Ajo që ka ngelur, është vetëm që njerëzit ta kuptojnë këtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit