2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Covid-19, kthim në tradicionalizëm

Më të lexuarat

Nga Redi SHEHU

Një dimër i gjatë ky i këtij viti. Kishte kohë që nuk e kuptonim peshën e kohës. Ajo po ikte e shkujdesur saqë vitet na dukeshin muaj, muajt na dukeshin ditë e ditët orë. Kishte kohë që nuk ndaleshim për një çast për të kuptuar tingëllimën e keqe të kohës në të cilën jetojmë. Kishte kohë që nuk e kuptonim sa të varur ishim nga dhjetra huqe që na shoqëronin përditë në jetën tonë urbane. Ky dimër, në mënyrë të qartë na ktheu kuptimin e humbur të kohës. Së pari, tërmetet e vazhdueshme, dhe së fundmi, belanë më të jashtëzakonshme të parë deri më tani të quajtur Covid-19, që duket sikur ka kapur për kapistre kalërimin kafshëror e të pamëshirshëm që ne i bëjmë kohës.

Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, shqiptarët nuk gjenden më në rrugë. Shqipëria ngjan me një territor fantazëm, ku koha ka ndalur dhe banorët e saj thjesht nuk ekzistojnë. Shkaktar është pandemia e koronavirusit e cila ka mbërthyer gjithë globin. Për herë të parë në historinë moderne të botës, banorë e saj nuk gjenden më në rrugë. Bota sot, ngjan me një territor fantazëm, ku koha ka ndalur dhe banorët e saj thjesht nuk ekzistojnë. E gjitha nga një qënie mikroskopike e cila në mënyrë progresive po gjunjëzon gjigandët.

Pesha e masës dhe pesha e kohës duket sikur tashmë janë puqur në një çikërrimë mikroskopike e quajtur Covid-19, e cila po ndërron kuptimin tonë për shoqërinë. Bota nuk do jetë njësoj si më parë thonë disa. Në fakt, bota nuk ka qenë kurrë njësoj si më parë. Gjithmonë ka pasur ngjarje të cilat kanë i dhënë tingëllimën e vet kohës në të cilën kanë ndodhur. Pra, secila kohë e ka bërë botën unike në të tashmen e saj.

Sot, ndodhemi brenda një pandemie globale të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sot, më shumë se sa pandemi virusale, ne ndodhemi brenda një pandemie paniku psikologjik. Disa thonë se ndodhemi brenda një “pandemiokracie”. Mundet! Por ama ajo që po bën kjo pandemiokraci, po zëvendëson demokracinë e vjetër duke tronditur esencën e kësaj të fundit, nga liritë civile po i çon shoqëritë drejt një ngujimi civil.

E dalë në skenë në formën e një ngjarje diku larg, në Kinën e largët, brenda një province, që për shumicën e perëndimorëve nuk donte të thoshte asgjë, koronavirusi u mor si gjithmonë me një lehtësi gati sarkastike, siç rëndom ndodh me ngjarjet jashtë botëkuptimit eurocentrist për botën. Mirëpo, shumë shpejt ky virus tregoi të ishte më i globalizuar seç duhet në raport me viruset e tjera. Sarsi, Ebola, A1H1 etj., kishin “gëzuar” një farë përhapjeje e cila gjithmonë qëndronte brenda një paniku të kontrolluar dhe të miradministruar. Por Covid-19, u shfaq më i shpejtë dhe më universal se të parat, aq shpejt saqë nuk i la kohë buzëqeshjes sarkastike të përfundonte.

I dalë në epokën më të ndërlidhur të njerëzimit e cila ndodhet diku mes revolucionit të “touch-it” dhe atij të “5G”, koronavirusi duket se e kishte njerëzimin në “pëllëmbë të dorës”. Sot, kur edhe teshtima e një maceje në Tibetin e largët, përcillet me një ”shëndet” në Meksikë, për shkak të ekzistencës së networkut global, informacioni nuk është i vetmi që lëviz me shpejtësinë e mendimit. Sot, padyshim që bashkë me të lëvizin të gjitha makthet dhe ankthet që e shoqërojnë njeriun dixhital. Frika, si asnjëherë tjetër ka kaluar kufinjtë e racionales dhe endet diku mes kufinjve subjektivë të psikës njerëzore, shpejtësia e së cilës është praktikisht e pamatshme.

Ironia e gjithë kësaj historie është së virusi dhe përhapja e tij si produkt i globalizimit të stilit të jetesës, lëvizshmërisë së tejshtuar dhe ndërlidhjes, po i kthen shoqëritë në kufinjtë e vjetër duke i mbyllur ato në vetvete. Shtete të tëra që mbyllin kalimet, transportet, ndalojnë çdo kontakt me “tjetrin”, e kanë bërë ironikisht pasojën më të re të globalizimit, siç është Covid-19, pionieren e shoqërive tradicionale e të konservuara. Jo vetëm kaq, por edhe individin e ktheu diku dekada më parë të mbyllur në familjen e vet, në lagjen e vet, në komunitetin e vet. Një virus, “tradicionalist” që lufton shoqëritë moderne të hallakatura pa porta e perde, një virus “konservator” i cili përmes dhimbjes imponon të pamundurën për njeriun e ri. Një virus “edukues” i njerëzimit drejt forcimit të lidhjeve farefisnore, drejt vlerësimit të asaj që e ka gjithmonë afër, por që kurrë nuk e ka vërjetur. Një e keqe e madhe që brenda saj sjell edhe një të mirë të vogël; mundësinë për të revizionuar vetveveten, stilin e jetësës, vlerësimin e gjërave, kuptimin e jetës dhe vizionin e së ardhmes.

“Armiku i madh”, i cilësuar prej të gjithëve, mundet që brenda dhimbjes së tij të na mësojë se si dhe sa mund të kemi gabuar. Një çikërrimë mikroskopike mundet të na demonstrojë pa më të voglin hezitim se armiku i madh ndoshta jemi ne. Asgjë nuk vjen rastësisht. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Në një botë të shkaqeve të arsyeshme dhe të domethënies së shkaqeve, një ndodhi e pakuptimtë do të ishte përjashtim i këtij rregulli. Të këqiat që na ndodhin, në formë të vazhdueshmë nuk vijnë rastësisht; ato pa më të voglin dyshim janë pjesë e një masterplani që në mënyrë të herëpashershme na shkund. Covid-19, ashtu si dhjetra ngjarje të rënda në historinë e njerëzimit, do të kalojë. Ajo që nxit më shumë kureshtje është fakti se përveç të sëmurëve tani, sa njerëz në të ardhmen ky virus do të arrijë të shërojë? /tesheshi.com/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit