1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

COP26: Udhëheqësit botërorë premtojnë t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030

Më të lexuarat

Më shumë se 100 udhëheqës botërorë do të zotohen t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, në marrëveshjen e parë të madhe të samitit të klimës COP26.

Brazili – ku ndodhet pylli më i madh tropikal i Amazonës – do të jetë mes nënshkruesve të marrëveshjes.

Zotimi përfshin pothuajse 14 miliardë paund (19.2 miliardë dollarë) në fonde publike dhe private.

Ekspertët e mjedisit e mirëpritën këtë masë, por paralajmëruan se një marrëveshje e mëparshme në vitin 2014 kishte “dështuar të ngadalësonte shpyllëzimin” dhe duhej të përmbusheshin angazhimet.

Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha të gazit CO2.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, e quajti marrëveshjen e së martës një “marrëveshje historike për mbrojtjen e pyjeve të Tokës”.

Samiti dy-javor në Glasgow shihet si vendimtar për kontrollin e ndryshimeve klimatike.

Vendet që thonë se do të nënshkruajnë zotimin – duke përfshirë Kanadanë, Brazilin, Rusinë, Kinën, Indonezinë, Republikën Demokratike të Kongos, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, mbulojnë rreth 85% të pyjeve të botës.

Më shumë se 30 nga kompanitë më të mëdha në botë, do të angazhohen gjithashtu për t’i dhënë fund investimeve në aktivitetet që lidhen me shpyllëzimin.

Samiti i klimës COP26 – Pikat themelore

  • Ndryshimet klimatike janë një nga problemet më urgjente në botë. Qeveritë duhet të premtojnë zotime më ambicioze në uljen e emetimeve të gazrave për të parandaluar një rritje më të madhe të temperaturës globale.
  • Samiti në Glasgow është vendi ku mund të ndodhë ndryshimi. Duhen vërejtur veçanërisht premtimet e bëra nga ndotësit më të mëdhenj të botës, si SHBA-ja dhe Kina, dhe nëse vendet më të varfra po marrin mbështetjen që u nevojitet.
  • E gjithë jeta jonë do të ndryshojë. Vendimet e marra këtu mund të ndikojnë në mënyrën si i ngrohim shtëpitë tona, çfarë hamë dhe si udhëtojmë.

Nënshkruesit e marrëveshjes përfshijnë një sërë shtetesh me rëndësi kyçe.

Indonezia është eksportuesi më i madh në botë i vajit të palmës, një produkt që gjendet pothuajse në çdo artikull, nga shampo tek biskotat. Prodhimi i tij po nxit shkatërrimin e pemëve dhe humbjen e territorit për njerëzit indigjenë.

Ndërkohë, pyjet e mëdha natyrore të Rusisë, që zënë më shumë se një të pestën e pemëve të planetit, kapin më shumë se 1.5 miliardë ton karbon në vit.

Në pyllin më të madh tropikal të planetit, Amazona, shpyllëzimi u përshpejtua në nivelin më të lartë në 12 vjet gjatë mandatit të presidentit brazilian Jair Bolsonaro.

Aktualisht, në Amazonë, çdo minutë, po humbet një sipërfaqe pylli sa madhësia e 27 fushave futbolli./BBC

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit