3 C
Pristina
Thursday, December 12, 2024

Ç’lidhje ka eksperti i famshëm Karamuço me Sirinë?!

Më të lexuarat

Pocaqitë e pakorrigjueshme të studiove televizive shqiptare

Ka prekur nivelet e neverisë aprofesionalizmi i ububushëm i studiove televizive shqiptare, atyre të natëpërnatshme, ku tirren pafundësisht e mërzitshëm, aspak vetwkorrigjueshwm, sidomos prej të njëjtave fytyra e zëra, kinse tematika shoqërore, lokale e globale, nën moderim moderuesish që nuk spikasin asgjë prej asaj thagme inteligjente që duhet të ketë një moderues debati. Për ta bërë më konkret këtë shfrim, krejt të përligjshëm, le të pyesim: ç’punë a ç’lidhje ka eksperti Karamuço me Sirinë, zhvillimet e atjeshme?

Karamuço, i bërë copash nga ftesat nëpër studio, me kinse status eksperti, ndonëse kurrë nuk është sqaruar se pse quhet i tillë; për ndonjë punim të spikatur fjala vjen në kriminalistikë, ndonjë përvojë pune në këtë fushë, ndonjë titull, a thua është i vetmi ekspert që na paska Shqipëria në këtë fushë?! Edhe si ekspert, ekspertizat e tij të pretenduara janë në të shumtën e herëve në nivelin e muhabeteve në kafene. Kurrë nuk dëgjon nga eksperti Karamuço të ofrojë shembuj kriminalistikë nga bota, shifra, tregues; nuk dëgjon të citojë apo ofrojë modelin e një kriminalisti botëror në kohë a të ngjashme. Dhe të hënën në mbrëmje, në “Top Story”-n e Grida Dumës, ishte ftuar për Sirinë(!). Me ç’status? Sërish si ekspert?! Ajo që thoshte, krejt paevitueshëm ishte thjesht muhabet kafeneje. Por nuk është vetëm ai, nuk ndodhin pocaqi të tilla vetëm te studio e Grida Dumës. Po për Sirinë, në një tjetër televizion ishte ftuar Fatmir Mediu(!). Gazetaria shqiptare ende nuk e ka të qartë, në lidhje me këtë emër e këtë figurë politike, se për të vetmen arsye që duhet ta ketë në studio janë pronat. Fatmir Mediu është kryetar i një partie që është themeluar vetëm për kauzën e pronave, pra PR-ja, Partia Republikane, e trashëguar prej tij nga i ndjeri Sabri Godo. Se nga doli Fatmir Mediu adapt i çështjeve ndërkombëtare, këtë vetëm media e mbrapshtë shqiptare mund ta këtë (pa)aftësinë ta shpjegojë. Me Fatmir Mediun ishin dhe dy “ekspertë” të tjerë. Asnjë prej tyre na nuk ka qenë ndonjëherë në Siri, thënë këtë në raport me faktin se janë qindra shqiptarë ata që kanë kaluar vite në atë vend më studime, e njohin atë shoqëri, e njohin politikën e atyshme, kanë jetuar vite në regjimin e Assadit dhe mund të thonë shumë për realitetin e atjeshëm. Këta janë ish-studentë të Islamit në atë vend, sot imamë e hoxhallarë. Ndaj, fare mirë mund të ishte ndonjë prej tyre në studio. Dhe mjaft të quheshin “njohës”(të një realiteti të caktuar) dhe jo domosdoshmërisht “ekspertë”.  Ndërsa “ekspertët” e atyshëm, më saktë në Euronews, jo vetëm nuk e kishin këtë atribut, por nuk kanë shkrim e as ndonjë studim mbi Sirinë sa për t’u quajtur të tillë.

Në këtë rast, mirë moderuesit që nuk respektojnë pikë profesionalizmi kur përzgjedhin të ftuarit, duke patur një minimum kriteri, por vetë ata që ftohen si nuk kanë ca pak përkorësi e modesti për një lloj refuzimi etik e fisnik bashkë, me fjalët: “Nuk e shoh veten ekspert në këtë çështje!”

Përndryshe, kur të vendosin të shkojnë në studio, së paku të lexojnë diç mbi çështjen a të citojnë një autor, sa për ta përligjur prezencën e të quajturit “ekspert”. Për muhabete kafeneje mbi Sirinë a të ngjashme, janë me qindra si ata, ndofta dhe më të gojës e më imponues në atë që thonë. /tesheshi.com/        

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit