-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Çka përmban drafti “modern” për Asociacionin e cila është ndërlidhja me modelin kroat?

Më të lexuarat

Të enjten në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të mbajnë takime të ndara me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Në BE thonë se asnjë ide apo plan që paraqitet nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë aneksin për zbatim të arritur në Ohër dhe se ai mbetet në fuqi dhe se zbatimi i të gjitha pikave mbetet obligim.

Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” thotë se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë negociata me BE-në dhe se sipas tij “lufta” kryesore është ky dialog.

“Loja jonë politike është me ndërmjetësuesit, e jo mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Kamberi në RTV Dukagjini.

“Kërkesa kryesore e kryeministrit Kurti duket se është modeli kroat i Asociacionit. Edhe Stano e konfirmoi që ka një propozim të një modeli evropian të Asociacionit. Dhe të shohim a do të ketë një mishërim mes një draft-statuti të Asociacionit me modelin kroat për të drejtat e pakicave që po e synon Kurti.

Kamberi thotë se logjika e thotë që pas ngjarjeve në Banjskë do të duhej të kishte një “Asociacion më të dobët” të komunave me shumicë serbe.

“Kosova ka përfituar diplomatikisht pas ngjarjeve në Banjskë, por nëse ne nuk tregojmë konstruktivitet, topi mund të na kthehet neve”, deklaroi Kamberi.

Ai thotë se megjithatë Kosova duhet të krijojë një lloj besueshmërie te negociuesit.

“Macroni na tha që ne nuk e kemi mbajtur fjalën. Tash duhet pasur kujdes se çfarë po zotohemi, pasi më pas do të kërkohet llogari. Ne nuk kemi fuqi të detyrojmë BE-në të dënojë Serbinë, por do të matemi sa i kemi kryer detyrat tona”, shtoi Kamberi.

Nga ana tjetër, hulumtuesi i politikës së jashtme, Emir Abrashi, thotë se Kosova tashmë e ka mundësinë të flet për një version ët dytë të Asociacionit.

“ne e kemi këtë mundësi, por a do të arrijmë ta shfrytëzojmë apo sërish do të flasim për autonomi për shkak të gabimeve që bëjmë në dialog. Tash është momenti që Kosova ta formojë një Asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Abrashi.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit