-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Civilizim përmes qenve

Më të lexuarat

Popujt e dominuar përpiqen të veprojnë sipas modelit të popujve dominues, duke përdorur gjërat që këta të fundit kanë shpikur dhe në të cilat janë perfeksionuar, por në përgjithësi nuk ia arrijnë qëllimit.


Atëherë popujt e shtypur kthehen dhe i marrin popujt dominues për model, por në ato çështje mjerane dhe qesharake, që nuk kushtojnë asnjë mund…
Të rinj nga lindja, që udhëtuan në perëndim dhe u mahnitën nga civilizimi material i tyre, u çuditën nga shpikjet, zbulimet dhe progresi surprizues dhe gjigand i dynjallëkut të tyre; por këta të rinj, duke qenë të paaftë t’i ngjiten kësaj shkalle sfilitëse dhe me një kosto tepër të lartë, e zbritën objektivin e tyre në imitimin e perëndimit në panorama të topitura dhe forma trashanike, duke tentuar që t’u shfaqeshin të tjerëve me një paraqitje të civilizuar dhe të kulturuar.
U kthyen tek ne me mendje të ngrirë, vetëdije të vdekur, duke stampuar në fizionominë e tyre imazhin e perëndimit; prandaj dikush prej tyre na erdhi duke varur në qafën apo dorën e tij një zinxhir, me flokë të qethur sipas modelit perëndimor, duke veshur xhinse origjinale dhe bluzë mbi të cilën shquhen yjet e artit dhe futbollit të perëndimit, në shoqërinë e një qeni të marrë për dore, i hipur ai dhe shoqëria e tij (qeni) në një makinë të zbuluar, duke bredhur xhadetë tona, që të na tregojë civilizimin dhe kulturën që ka marrë në perëndim…
Çfarë mjerimi dhe çfarë turpi i madh, që civilizimi dhe kultura ndër ne të jenë të tilla! Të jetë kulmi i civilizimit një qen, të cilit i bën shoqëri, fle dhe ha me të, teksa qeni në Sheriatin-Ligjin tonë (Islam) mbahet vetëm për tre gjëra, sikurse na vjen në hadithin (thënien) e saktë (profetike): për gjueti, për ruajtjen e deleve dhe për ruajtjen e të mbjellave; ndërsa jashtë kësaj, kush mban qen ose e fut atë në shtëpinë e tij, pa ndonjë nga këto arsye[1], ka rënë në një haram, i cili për çdo ditë i pakëson nga shpërblimi i tij një karat[2]… Qeni është i pisët, aq sa nëse ai e lëpin enën, kjo enë duhet të lahet shtatë herë, njëra prej të cilave me dhé.
Po kështu shoqërimi me kafshët dhe bishat, trashëgon tek njerëzit që shoqërohen me to natyrën dhe karakteristikat e këtyre kafshëve, siç vjen kjo e konfirmuar nga dijetari i madh i Islamit, Ibn Tejmije, në librin e tij “Iktida’u Siratil Mustekim”, ku ai na përmend hadithin e saktë: “Mendjemadhësia dhe krekosja gjendet tek gungat dhe bishtat e të devesë (barinjtë e deveve, që siç dihet e kanë për zakon të ecin përbri bishtave të deveve të tyre), ndërsa prehja dhe dinjiteti gjenden tek barinjtë e dhenve”.
Kësisoj, padronët e deveve kanë përftuar mendjemadhësinë dhe krekosjen nga shoqërimi i tyre me devetë, ndërsa padronët e dhenve kanë përftuar prehjen dhe dinjitetin nga shoqërimi me delet.
Shoqëria të tërheq, shoku i shkon pas shokut të tij…
Allahu i Lartësuar i injoron armiqtë e Tij të shthurur dhe mjeranë, duke i përshkruar se ata kanë një konceptim më të degraduar edhe se kafshët. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë apo kuptojnë? Ata nuk janë ndryshe, por vetëm sikurse kafshët, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta” [Furkan: 44] dhe ka thënë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpend që fluturon me dy krahët e tij, përveçse ato janë të ndarë në soje (të ndryshme), sikurse edhe ju…” [En`am: 38].
Sufjan ibn Ujejne thotë: “Çdo njeri ka ngjasim me kafshën; ka prej tyre që i ngjajnë luanit, demit, ujkut, dhelprës, shqiponjës, hutit, pupëzës, sorrës, e të tjerë me radhë prej sojeve të gjallesave… Mutenebiu shfaq xhelozinë e tij dhe përmend se deveja është më e zgjuar se njerëzit. Këtë ai e bën teksa sulmon armikun e tij të hapur, Es Sahib ibn Ubadin, ndërsa po kalonte në tokën e tij, në rrugë e sipër për të shkuar tek Seaid ibn Abdullahu, ia hedh “një bombë” Sahibit, në të cilën thotë:
Nëse do mundesha do u hipja në shpinë njerëzve (të këtij vendi),
Të tërëve si deve, për tek Seaid ibn Abdullahu, ku po vete,
Devetë janë më të zgjuara se një popull që janë aq soj,
Sa mirësinë e tyre veç i verbëri mundet që ta shikojë,
Shfaqem, e kush më shante fshehurazi, nis të më madhërojë,
I tilli qëndron më poshtë se të merrem me të e ta kritikoj.

Ndërkaq, edhe pse qeni është kafsha më e neveritshme, më e pisët dhe më e përçmuar, Allahu i Lartësuar e cilëson si qen dijetarin tradhtar, abuzues dhe të shthurur, duke thënë: “…Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën (gulçon). Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme argumentet Tona…” [Araf: 176]”
Një tjetër poet i famshëm, Deabel el Khuzai-u, quhet “Poeti i qenve”, sepse kur ai vdiq, urdhëroi të varroset në hyrjen e varrezave të Ehlu Bejtit (familjarëve të Profetit a.s.), në Nexhf dhe urdhëroi gjithashtu, që mbi varrin e tij të shkruhet: “Qeni i tyre i kishte shtrirë këmbët e para, përgjatë hyrjes”. Pikërisht ky poet, i pati satirizuar shumë që të gjithë kalifët abasitë dhe kur El Mu’atesimi, i cili ishte i teti i kalifëve abasit, e mori kalifatin, De’abeli tha:
“Mbretërit abasit janë shtatë në shkresa,
Për të tetin e tyre shkresa ardhur nuk na ka,
Po kështu djemtë e shpellës në shpellë shtatë qenë,
I teti i të cilëve në ç’na ka mbërritur është qen.
Edhe pse qenin të jetë si ju e shfajësoj, pasi ju jeni mëkatar, ndërsa ai mëkat s’di të bëjë”.

Ç’faj u kemi ne atyre që na kanë turpëruar në sytë e botës, që ne e dërguam atë në perëndim për t’u bërë inxhinier, doktor apo pilot, ndërsa ai u kthye duke tërhequr në rrugët tona shokun e tij qenin, me një litar qaforeje, si litari i druve.
Faktikisht civilizimi është shija e progresit, preokupimi në nivelin e lavdisë, triumfi mbi veset dhe poshtërsitë, pasurimi i mendjes me njohuri, zemrës me besim dhe dorës me punë…
Civilizimi nuk ka të bëjë kurrsesi me pamjen e neveritshme, të degraduar dhe trashanike, të cilën e marrin për model njerëzit e ulët të kombit, të cilët dështuan për të qenë novatorë, produktivë dhe aktivë, por u bënë një “zero” në margjinën e jetës.

——————————————
[1] Dijetarët kanë thënë, se në analogji të shfrytëzimit dhe mbajtjes së qenit për çështje të tilla si ato të ardhura në hadith, lejohet shfrytëzimi i qenit për ruajtjen e objekteve, shtëpive, rrugëve dhe të ngjashme me to. Kjo është fjala e imam Neveuiu-t në shpjegimin që ai i bën këtij hadithi. Gjithashtu njëjtë janë shprehur edhe shumë dijetarë të tjerë, prej të cilëve edhe dijetari i njohur ibn Uthejmini. (sh.p.)
[2] Karat: Dijetarët janë shprehur se kjo është një njësi e caktuar vlere për punët e bëra, të cilën në rastin në fjalë Allahu e di më së mirë se sa është, por që presupozon se personit i pakësohet një porcion nga shpërblimi i punës së tij, teksa një pjesë e dijetarëve kanë thënë se “karati” këtu është njëjtë me atë që përmendet tek shoqërimi i xhenazes, pra sa një mal (mali i Uhudit). Në një transmetim tjetër të saktë profetik vjen “dy karat” dhe për kuptimin e unifikuar të dy haditheve dijetarët janë shprehur me dy mendime kryesore: mendimi i parë është se kjo varet nga lloji i qenit dhe dëmit që vjen prej secilit lloj, nëse dëmi është më i madh, atëherë pakësimi i shpërblimit është dy karat, dhe nëse është poshtë këtij niveli është një karat; mendimi i dytë është se hadithi i dytë e ka anuluar të parin, ashtu që është shtuar masa e pakësimit të shpërblimit për shkak të mbajtjes së qenit jashtë këtyre arsyeve, me qëllim që njeriu të jetë edhe më i distancuar. Gjithashtu shumë dijetarë janë shprehur, se bëhet fjalë për pakësimin e shpërblimit ditor të personit, për ditët në të cilat ai mban qen pa arsyet e konsideruara fetarisht./sh.p/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit