Duke parë komentet e ndryshme në FaceBook, por dhe lajmet në portale të caktuara që mbushin një rubrikë të tërë për çfarë ndodh në kuplaranë televizive të quajtur Big Brother Vip (një prej të tyre për habi edhe gyleniste), të duket sikur një ngjarje me përmasa kombëtare po ndodh dhe është jashtë vëmendjes tënde të përditshme!
Nga i gjithë ky mediatizim, të duket sikur ne që nuk e ndjekim dhe as nuk na bie ndërmend për të, të jemi po ata që nuk informohemi dhe nuk marrim vesh se çfarë gjërash të rëndësishme ndodhin në këtë vend!
Nuk e di se deri në ç’nivel pandjeshmërie dhe ambientimi me imoralen duhet të kenë mbërritur ata që shqyejnë sytë duke përpirë familjarisht me etje striptizmin dhe idiotësitë e banorëve të kësaj shtëpie publike mediatike?!
Kush nga shqiptarët do të guxonte para tre dekadave, me gjithë lirinë e harbuar që fituan, qoftë që të bënte një produksion të tillë televiziv pervers si ky BBV, apo të merrte pjesë në të?
Kush do të lejonte vajzën apo motrën e tij të dilte e të sillej në sytë e botës si lavire rrugësh?
E shikoni pra o njerëz sesa kemi ndryshuar?
Një sjellje e denjë vetëm për bordello, e që dikur mund të shihej nga dikush vetëm fshehtas në mes të natës, nëpër kanale të huaja dhe pa prezencën e familjarëve, sot për habi shihet familjarisht, prindër e fëmijë, vëllezër edhe motra, të mëdhenj e të vegjël, pa pikë turpi në orët më të ndjekura të mbrëmjes, në një TV kombëtare!
Por ndoshta njëlloj fajtorë si ata që përfitojnë materialisht nga ky perversitet, janë edhe ata që e shohin dhe iu paguajnë me kohën dhe vëmendjen e tyre, këtë lëtyrë morale, atyre që ta shesin këtë produkt për përparim, zhvillim, emancipim, liri e edukim!
As fara e së mirës dhe as fara e së keqes nuk mbin në tokë të shkretë, dhe kjo tokë janë të gjithë ata që gjoja me pafajësinë e tyre bëhen pjesë e teleshikuesve të këtyre pocaqive televizive.
Emisione të tilla, siç kanë vënë në dukje prej kohësh njerëz me mend, janë produkte të lira që u shiten për përfitim publikut dhe që në emër të biznesit, e përligjin çdo gjë moralisht dhe ligjërisht. Droga nuk është aspak më e keqe sesa këto shfaqje televizive, por ajo ndalohet me ligj sepse prek dhe cenon gjëra të tjera, pse jo nganjëherë për disa edhe interesin e çmimit të lartë të shitjes së saj.
Ndërsa striptizmi publik mediatik lejohet dhe shihet si e drejtë dhe liri njerëzore, sepse në fakt është mall tepër i lirë dhe përmes çmimit të ulët të tij fitohet shumë. Kështu që -për të ardhur keq- çfarë është e moralshme ose jo përcaktohet nga vendimet arbitrare dhe orekseve të atyre që e lejojnë apo e ndalojnë diçka me ligj, por që pas saj minimalisht qëndron përfitimi material, për të mos u futur pastaj në agjendat e qëllimshme degjeneruese të atyre që s’kanë din e iman.
Në një shoqëri me halle dhe varfëri si kjo e jona, emisione të tilla janë një drogë e shtuar, që ofrohet jo vetëm për ta vjedhur publikun, por për ta zhveshur duke e dehur atë, në mënyrë që si ai hallexhiu i zhytur në borxhe, që lë paratë e fundit me teken e rakisë tek mejhania e lagjes, të harrojë për ca kohë dhimbjet e jetës dhe të mos dijë të adresojë zgjidhjen e duhur për to.
Peshku qelbet nga koka, thotë populli, kështu që këtu tek ne për tre dekada koka e ka qelbur trupin dhe bishtin, dhe tenton vazhdimisht t’i qelbë të gjithë në këtë drejtim. Ndërsa shqiptari me namuz dhe nder, me xhelozi për femrën dhe fanatizëm për erzin e familjes, po ngelet mbetje arkeologjike e denjë për studime paleontologjie, si të ishte specie e pazhvilluar primitive, sipas gjuhës që përdorin evolucionistët darvinist.
Për arsye ideologjike shteti i dikurshëm amoral komunist, i mbante frerin këtij lloj degjenerimi, duke kultivuar mutacionin e tij social, njeriun e ri, që kishte “moral” dhe “ndërgjegje” socialiste, po sot ku as institucionet fetare nuk e kanë forcën të bëjnë zap degjenerimin e miletit në këtë drejtim, çfarë i ndalon këta matrapazë produktesh toksike dhe turmës që të degradojnë edhe më poshtë se kaq në kërkesë-ofertën e tregut mediatik? Asgjë! Dhe me shumë gjasa, dhe kohë pas kohe, sipas modelit më të shëmtuar në perëndim, edhe më keq ka për të shkuar situata. Sepse atë që deri dje nuk e çonim nëpër mend sot është realitet, e po kështu ajo që sot na duket e pamundur nesër kushedi se çfarë përmasash perversitet do të ketë marrë.
Ndaj dhe minimalja e obligimit moral, të të gjithë atyre që kanë cipë nderi, është të bojkotojnë këto emisione dhe të nxisin bojkotin dhe ndalimin e tyre, duke nisur që nga portalet dhe postimet që kërkojnë të vjelin më shumë klikime dhe para me mallin e ndyrë të të tjerëve.