Ministres së Tregtisë Mimoza Kusari–Lila i është bërë thirrje të hënën që të anulojë vendimin përmes së cilit vendoset tarifa prej 35 përqind për të gjitha vendet nga ku Kosova importon çimento.
Një kërkesë e tillë u bë gjatë takimit të delegacionit të Odës Ekonomike të Kosovës e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka dhe biznesmenë të shumtë.
Gjatë kohës së mbajtjes së konferencës, jashtë objektit të OEK-ut, disa persona mbanin në duar pankarta që kundërshtonin vendimin e ministres. Ambasadori Lauka, duke e vlerësuar vendimin si barrierë ka thënë se duhet t’i jepet fund eksperimenteve të tilla në të dyja anët e kufirit në kurriz të marrëdhënieve dy palëshe.
“E bëri Shqipëria me patate do t’ia bëjmë edhe ne në të tjera! Dhe unë dyshoj që edhe kjo mund të jetë e tillë, dhe nëse është refleks i tillë, i këtij mentaliteti bllokues, përgjigjes reciproke, me bllokada, me barriera, atëherë kjo është logjikë që nuk çon askund, jo askund, por është e dëmshme, kundërproduktive… Nuk është mirë që ishte referenca e patates, por kjo s’do të thotë që t’i përgjigjemi me të njëjtën logjikë”, deklaroi ambasadori shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka.
Vendimi i ministres është kundërshtuar edhe nga përfaqësues biznesesh në Kosovë dhe Shqipëri dhe nga menaxheri i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë që eksporton çimento në Kosovë.
Safet Gërxhaliu, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës: Besoj që avancimi ekonomik duhet të jetë prioritet i prioriteteve dhe të mbrohen interesat e të gjithëve dhe jo në mënyrë selective. Një vendim i tillë për OEK-un karakterizohet me një mungesë të dialogimit paraprak, vendim i pruar ‘ad hoc.
Nikolin Jaka, Drejtues i Dhomës së Tregtisë, Tiranë: Në rastin konkret një tarifë e ngritur në masën 35% vjen në kundërshtim me çdo lloj logjike ekonomike por edhe me çdo lloj synimi politik”.
Jorge Jeha, Menaxher i Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, Seament: Ky vendim duhet të ketë arsyen dhe ta ketë objektivin e vet. Ky vendim nuk duhet që të shërbej si mbrojtje e tregut apo mbrojtjen ndonjë kompanie sepse mbrojtja e kompanisë ekziston në Kosovë. Nëse prodhimi vendor nuk do ta mbulonte kërkesën, nevojën e tregut vendor, atëherë duhet të ketë edhe importim.
Ministrja e ka mbrojtur vazhdimisht vendimin e marrë prej saj si një akt për të mbrojtur prodhuesin vendor ndërsa ka sqaruar se vendimi është i përkohshëm./BS/kohaislame