2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Cilësitë dalluese të havarixhëve (terroristëve)

Më të lexuarat

Falënderoj Allahun, përshëndetjet qofshin mbi të dërguarin e Tij. Grupi i humbur i havarixheve, është njëri nga grupimet më të rrezikshme gjatë historisë islame. Dëmi që ata i kanë bërë islamit dhe myslimanëve është tejet i madh. Më e keqja e tyre është se ata vazhdojnë të shfaqen kohë pas kohe, dikund më shumë e dikund më pak, derisa shfaqja e fundit e tyre të kurorëzohet duke u bashkuar me dexhallin kundër myslimanëve të drejtë, siç është potencuar në hadithe. Cilësitë dalluese të havarixheve janë të shumta, disa dijetar i kanë numëruar afërsisht deri 50 cilësi, madje shumë prej këtyre cilësive janë të përmendura në hadithe të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Po mundohem t’i përmendi disa nga cilësitë më dalluese të tyre duke u mbështetur kryesisht në librin e dr Nasir el akl, liber bashkohor, përmbledhës, argumentues dhe tepër i dobishëm në këtë temë.

Ato janë:

1. Shpallja e myslimanëve si pabesimtar si shkak i mëkateve të mëdha.

2. Dalja kundër prijësve mysliman.

3. Dalja kundër popullit mysliman, dhe sjellja me ta sikurse me jo besimtarët.

4. Shtrembërimi i argumenteve që flasin për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, duke i shndërruar ato se flasin kinse kundër udhëheqësve dhe daljen kundër tyre.

5. Janë injorantë, të rinj në moshë dhe mendjelehtë.

6. Në pamje të jashtme duken mysliman të devotshëm, saqë bëjnë adhurim shumë, falen shumë, agjërojnë etj.

7. Kanë mangësi të madhe ne kuptimin e fesë, dhe nuk kanë interesim për dije.

8. Në mesin e tyre nuk ka dijetar të njohur me dije dhe devotshmëri.

9. Mburrja, mendjemadhësia, përçmimi i dijetareve, është veçori e tyre çdo kohë që shfaqen, madje nuk shfaqin veten ndryshe pos duke i nençmuar dijetarët, duke folur keq për ta, dhe duke e paraqitur veten si më të mirë se ata.

10. Kanë gabim trashanik në metodologjinë e argumentimit me citatet e Kuranit dhe sunnetit, për këtë arsye marrin vetëm ajetet që flasin për dënimin dhe kërcënimin e i lënë ajetet që flasin për faljen dhe premtimin me xhennet, ose i marrin ajetet që flasin për jo besimtarët dhe i praktikojnë ato mbi myslimanët.

11. Kanë mangësi në njohjen e sunnetit, dhe për këtë arsye mjaftohen me argumentim me Kuran.

12. Ndryshojnë shpejt nga një mendim në tjetrin, ngase mendimet i ndërtojnë në ndjenja dhe eufori, jo në dije dhe argumente.

13. Nguten në gjykimin ndaj të tjerëve, madje pa u vërtetuar fare.

14. Gjykojnë në qëllimet dhe bindjet që kanë njerëzit në zemër dhe nuk mjaftohen me atë që ata e thonë me gjuhë, dhe për këtë arsye nëse dëshirojnë ta vrasin dikend, edhe nëse ai deklarohet si mysliman dhe i penduar, ata prap e mbysin ngase thonë se ky fsheh diçka tjetër në zemër.

15. Nga cilësitë e tyre është edhe ashpërsia, vrazhdësia, sjellja e rëndë, saqë kjo gjë shfaqet me njerëz ose edhe në praktikimin e dispozitave dhe gjykimeve.

16. Shkurtpamësia, mendja e cekët, mos durimi, dhe ngutja në arritjen e rezultateve.

17. I mbysin myslimanët dhe luftojnë me ta, ndërsa i lënë politeistët dhe bëjnë marrëveshje me ta. Siç thashë, këto janë disa nga cilësitë e tyre më kryesore, por duhet pasur kujdes se këto cilësi tregohen për t’i mësuar që të ruhemi nga ato, mirëpo nuk guxojmë të i gjykojmë njerëzit si havarixh në bazë të këtyre cilësive, ngase gjykimi nuk i takon xhematit, ai është i veçantë për dijetarët. Ndaj, njohja e këtyre cilësive le të shërbejë për t’u ruajtur nga ato, e jo për t’i gjykuar të tjerët përmes tyre, ngase kështu po bëhemi edhe ne si havarixhet. Allahu e din më së miri.

Mr. Xheladin LEKA Mekë, Arabi Saudite.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit