1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Cilësia e arsimit në Kosovë nuk garanton të ardhme të sigurt për qytetarët

Më të lexuarat

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e studentëve se me çfarë vështirësi përballen ata gjatë studimeve.

Problemet e tyre janë të natyrave të ndryshme.

Njëri nga studentët e anketuar, Shaban Jerliu, i cili studion gjeografi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, shpreh pakënaqësitë e tij.

“Profesorët orën nuk e mbajnë të plotë. Edhe asistentët kur i organizojnë provimet nuk i marrin parasysh kollokfiumet. Gjithashtu shumica e profesorëve nuk e respektojnë kohën e orës së mësimit, sidomos fillimin dhe fundin e orës nuk e respektojnë fare, pothuajse gjithmonë vonohen dhe dalin më herët, para se ora e mësimit të kryhet si dhe një pjesë të kohës gjatë mësimit, e shfrytëzojnë për të folur në telefon”, thotë ai.

Arbër Hasimja studion jashtë Kosovës. Ai thotë se pas studimeve do të kthehet në Kosovë për të kontribuar, duke dhënë edhe mendimin e tij rreth asaj se sa do ta ketë të vështirë depërtimin.

“Pse kam vendosur të studioj jashtë Kosovës është se cilësia e edukimit është më e mirë mendoj. Studioj në shkenca kompjuterike në Greqi. Shkollën e mesme e kam kryer në ASK. Por, gjithsesi do të kthehem në Kosovë, pas studimeve. Mendoj që do të gjejë punë dhe do ta dëshmoj veten”, ka thënë Hasimja.

Ndryshe, përfundimi i studimeve universitare në Kosovë, jo domosdoshmërisht i’u garanton edhe mundësinë e punësimit të rinjve, por vijimi i studimeve dhe përfundimi i tyre në drejtime të ndryshme universitare, bëhet me shpresën se do të punësohen dhe do t’u hapen dyert për zhvillim të mëtutjeshëm, kanë thënë disa student të rinj në Prishtinë.

Ndërkaq, për një tjetër problem si studente flet Mimoza Abazi, e cila ka studiuar filozofi.

“Fatkeqësisht unë për vete kam pasur shumë problem të gjejë literaturë në gjuhën shqipe, ose tituj të përkthyer në gjuhën shqipe. Të njëjtin problem e kanë edhe kolegët, ose ish kolegët të cilët studiojnë në Kosovë”, thekson ajo.

E Shpat Blakqorri, student i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se mundësitë e limituara të studentëve për tu punësuar janë problem i madh.

“Unë studioj në Tiranë. Pse kam vendosur të shkoj atje është se unë mendoj që mësimi është më kualitativ në Tiranë se në Prishtinë. Studioj shkencat politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Si student përballem me vështirësinë e punësimit, pasi që nuk kemi përvojë dhe mundësitë i kemi të limituara”.

“Kohën e lirë e kaloj nëpër kafiteri e që për mendimin tim janë humbje kohe. Vështirësia që unë përballem janë kushtet ekonomike pasi që prindërit kujdesen financiarisht për mua, e unë do të doja edhe të punoja edhe të studioja”.

Një tjetër studente e fakultetit të gazetarisë, Valdete Emini, shpjegon se me çka përballet si studente.

“Mendoj që studentët përballen me mungesë të literaturës, mungesë të kuadrove, mungesa të profesorëve në ligjërata, mungesë të funskionimit të rregullt të administratës…”.

Derisa Alban Ahmeti, i cili është në vitin e dytë të studimeve në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, thotë se po të punonte dhe të studionte do ta kishte më të lehtë.

“Papunësia është shumë e lartë, dhe rinia është shumë pak e punësuar. Kjo na shkakton problem në studim, pasi që pa të holla, problem edhe studimet”.

Por, ka edhe të tillë që studimet i kanë shumë të lehta dhe pa problem. Luljeta Bala thotë se studion në njërin nga fakultetet private në Prishtinë.

“Studioj në universitetin privat Dardania. Paguaj vitin nga 800 euro. Unë nuk punoj, por kujdeset familja për mua. Nuk kemi asnjë vështirësi pasi që është universitet privat”.

Sidoqoftë, ekspertë të arsimit kanë deklaruar disa herë se cilësia e arsimit mbetet shqetësuese për shoqërinë dhe institucionet në përgjithësi.

Sipas tyre, cilësia e arsimit në Kosovë nuk garanton të ardhme të sigurt për qytetarët, duke shtuar se në institucionet universitare, mësimet bëhen tërësisht në mënyrë teorike dhe asgjë praktike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit