Nëse i mediton njerëzit, do t’i gjesh se janë katër kategorish!
Kategoria e parë: E adhurojnë Allahun dhe në jetë janë të lumtur.
Kategoria e dytë: E adhurojnë Allahun dhe në jetë janë të pikëlluar.
Kategoria e tretë: I bëjnë gjynah Allahut dhe në jetë janë të lumtur.
Kategoria e katërt: I bëjnë gjynah Allahut dhe në jetë janë të pikëlluar.
Ti, nëse je prej kategorisë së parë, kjo është normale, sepse Allahut thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. Nahl 97.
Nëse je nga kategoria e katërt, edhe kjo është normale, sepse Allahu thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër”. Taha 124.
A nëse je nga kategoria e dytë, kjo i jep dy mundësi, ose Allahu të do, dhe do që ta sprovon durimin, dhe t’i rrit gradat: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit”. Bekare 155.
Ose, në adhurimet e tua ke mangësi, dhe ke gjynahe, dhe ke ra në shkujdesje, dhe e vonon pendimin, e Allahu të sprovon me qëllim që të vetëdijeson dhe të kthen në rrugë të drejtë, ashtu siç thotë: “Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë, para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë”. Sexhde 21.
A nëse je nga kategoria e tretë, ki kujdes të madh, sepse kjo është mashtrim për njeriun, dhe kjo është më e rrezikshmja për të, dhe përfundimi i tij është shumë i keq. Ndëshkimi i Allahut atij do t’i vjen, pa fare dyshimi, ka mundësi të vonohet, e njeriu me këtë mashtrohet, përveçse nëse pendohet para se të ndëshkohet. Allahu thotë: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim”. Enam 44.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU