1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Chollet: Duhen vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë

Më të lexuarat

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë së shpejti në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Chollet ka thënë se është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai duke folur për vendosjen e barrikadave dhe heqjen e tyre, tha se është e rëndësishme që të mos ketë më përsëritje të krizës.

“Faleminderit pikë së pari për intervistën. Doja ta vizitoja rajonin pak përpara festave, por fatkeqësisht ai udhëtim u shty. Kështu që mezi pres të kthehem atje së shpejti. Është një moment shumë i rëndësishëm për rajonin, në veçanti mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë javëve të fundit ka pasur fatkeqësisht një rritje të tensioneve mes tyre. Është një lajm i mirë që kemi parë të hiqen barrikada, kemi parë pikat kufitare të rihapen mes Kosovës dhe Serbisë. Janë lajme të mira. Shpresoj të mos i kishim harxhuar javët e fundit të përqendruar tek kjo krizë, por tek dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, të cilin ne, Shtetet e Bashkuara, e mbështesim plotësisht. Është diçka për të cilën unë dhe kolegët e mi do të flasim kur të jemi në rajon”, tha ai.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit ka folur edhe për barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.

“Pikë së pari është e rëndësishme që të mos shohim një përsëritje të kësaj krize. Shumë tepër se ç’duhej nga energjia jonë është shpenzuar gjatë javëve të fundit për të shmangur përkeqësimin e krizës dhe përshkallëzimin e saj në diçka që askush nuk dëshironte ta shikonte, në dhunë. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhej përqendruar tek e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë, duhej diskutuar për propozimin për normalizim, që ka paraqitur BE-ja, që do të ketë në bazë njohjen e ndërsjellë.

Ky është drejtimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë destinacionin e tyre euroatlantik. Por, fatkeqësisht acarimet e fundit, i kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë zënë të gjithë kohën tonë. Është një lajm i mirë që e shmangëm këtë krizë. Ajo që nuk duam të shohim është një përsëritje të kësaj krize brenda disa javëve për diçka tjetër. Pra duam të lëvizim përpara tashmë dhe prandaj vajtja në rajon së shpejti, siç kam ndërmend të bëj së bashku me kolegët e mi, është një moment i mirë për t’u munduar për një fillim të ri për këtë përpjekje në vitin e ri”, tha ai.

Chollet tha më tej se duan që të dyja palët të bisedojnë.

“Janë bërë disa javë tashmë që dy palët kanë pasur mundësinë të takohen së bashku dhe ne jemi atje të pranishëm, duke punuar së bashku me kolegët tanë të BE-së në përpjekje për ta lehtësuar këtë. Mendojmë se është e rëndësishme që palët të bisedojnë për thelbin e propozimit të BE-së dhe jo të ndërmarrin masa vetëm për të përshkallëzuar apo potencialisht për të shkaktuar një krizë. Pra ka shumë gjëra për të biseduar. Kemi shumë punë për të bërë. Por, e shohim drejtimin përpara dhe do të bëjmë çfarë të mundemi për t’u siguruar që Kosova dhe Serbia të lëvizin në atë drejtim”, tha ai.

Këshilltari amerikan ka thënë se Asociacioni i komunave serbe është prioritet. “Është një prioritet për ne, Shtetet e Bashkuara. Kemi qenë shumë të qartë për këtë. Besojmë se është një angazhim që është ndërmarrë dhe që duhet të ngrihet. Është qartësisht një hap kyç. Por ka shumë çështje të tjera. Të dyja palët këtu kanë detyrime. Të dyja palët kanë gjëra për të cilat ne do të donim t’i shihnim që të lëviznin përpara. Prandaj duhet t’i bëjmë këto biseda sa më herët”, tha ai.

I pyetur se a kanë kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq sinqeritetin që nevojitet në këtë proces, pasi duket sikur zhvendosen nga një krizë tek tjetra, Chollet tha “mendoj se po, unë jam angazhuar personalisht me të dy gjatë javëve të fundit. Jam takuar me ta. Kam folur me ta në telefon. Po kështu edhe shumë nga kolegët e mi këtu në Uashington. Dëshirojmë t’i vazhdojmë këto biseda për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Sërish, kemi kaluar shumë kohë duke folur me ta edhe për krizën aktuale, për shmangien e daljes së gjërave nga kontrolli, gjë që është e rrezikshme, është e panevojshme dhe është një shpërqendrim nga ajo që mendojmë se duhet të jetë puna reale, që është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Chollet nuk ka dashur të futet në detaje sa i përket planit franko-gjerman.

“Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë.

Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre. Dhe të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë. Duam t’i shohim që të ndërmarrin hapa për ta arritur këtë objektiv dhe duam të bëjmë çfarë të mundemi që t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë”.

Chollet është pyetur edhe rreth fushatës së Serbisë për zhbërjen e njohjes së Kosovës.

“Nuk kam diçka specifike për të shtuar për ato çfarë ka thënë Presidenti Vuçiq. Ajo që mund të them është se për ne ky është shpërqendrim, nuk është në frymën e përpjekjeve për të gjetur një mënyrë për të lëvizur përpara në kuadrin e asaj që ka propozuar BE-ja. Nuk po na afron më pranë arritjes së aspiratave euroatlantike që udhëheqësit e të dyja vendeve kanë thënë se dëshirojnë të përmbushin. Dhe sërish, mendoj kjo është ajo tek e cila duhet të përqendrohemi dhe jo tek shpërqendrimet e këtilla”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit