-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çfarë thotë Kurani për dëshmitarin?

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

“Dhe kur morëm zotimin tuaj që të mos derdhni gjakun tuaj, të mos dëboni veten tuaj nga vendi juaj, e ju e pranuat, ndaj dëshmoni” [2:84]

“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” [2:185]

“Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (meqë në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë.” [2:204]

“O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiu juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, e atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e të mos lëre mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojnie. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt juaji (ndaj dispozitave të Allahut). Kini frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i gjithëdijshëm për çdo send.” [2:282]

“Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit.” [3:18]

“E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin), tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut”? Havarijjunët thanë: “Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar)”! [3:52]

“Zoti ynë, ne e besuam atë që e zbrite (shpalljen), e pasuam të dërguarin (Isain), pra shënona bashkë me ata që dëshmojnë (besimin e drejtë)! [3:53]

“Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos Allahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”! [3:64]

“O ithtarë të librit, përse nuk i besoni ajetet (Kur’anin) e Allahut, e duke e ditur të vërtetën? [3:70]

“Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur Allahu mori zotimin e pejgamberëve: Nga ajo se juve ju dhashë libër e urtësi, ju patjetër do ta besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas juve, e që vërteton atë që ju keni pranë vetes. Tha (Allahu): “A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim”? Ata thanë: “Ne e pranuam”! Tha (Allahu): “Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju”! [3:81]

“E si ta udhëzojë Allahu një popull që pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë dhe pasi dëshmoi se i dërguari është i vërtetë, dhe pasi t’ju kenë ardhur atyre argumente të qarta? Allahu nuk ia mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqarë.” [3:86]

“Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzonju atyre pasurinë e tyre. Mos e hani atë duke shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata. Kush është i pasur le të ruhet (shfrytëzimit të pasurisë të jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t’ju dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni). Mjafton që Allahu është llogaritës.” [4:6]

“Ato nga gratë tuaja që bëjnë imoralitet (zina), kërkoni që kundër tyre të dëshmojnë katër vetë prej jush (burra); nëse vërtetohet më dëshmitarë (imoraliteti), mbyllni ato në shtëpia derisa t’i marrë vdekja ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë rrugë për to.” [4:15]

“(Jehuditë i thanë se nuk të besojmë në shpallje Muhammedit) Por Allahu dëshmon për atë që t’u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjtë dëshmojnë, po mjaft është Allahu dëshmues.” [4:166]

“Kur e dëgjojnë atë që i është zbritur të dërguarit (Kur’anin), prej syve të tyre rrjedhin lotë, ngase e kanë kuptuar të vërtetën dhe thonë: “Zoti ynë, ne kemi besuar, pra na regjistro ndër ata që dëshmojnë (ndër umetin e Muhammedit).” [5:83]

“Dhe kur i frymëzova Havarijjunët (i urdhërova): “Të më besoni Mua dhe të dërguarin Tim!” E ata thanë: “Ne besuam, e ti dëshmo se ne jemi muslimanë”. [5:111]

“(Ata) Thanë: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo dhe të na binden (edhe më shumë) zemrat tona dhe të vërtetojmë bindshëm se na e the të vërtetën e të bëhemi dëshmues të saj!” [5:113]

Thuaj: “Cili send ka dëshminë më të madhe?” Thuaj: “Allahu është dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kur’an që me të t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kijametit). Ju po dëshmoni se pos Allahut ka edhe zota të tjerë, a?” Thuaj: “Unë nuk dëshmoj!” Ai është vetëm një Zot dhe unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!” [6:19]

“O grumbull i xhinve dhe i njerëzve! A nuk ju erdhën nga mesi juaj të dërguar t’ju rrëfejnë argumentet e Mia dhe t’ju tërheqin vërejtjen për takimin tuaj në këtë ditë? Ata thonë: “Dëshmojmë kundër vetvetes”. I pat mashtruar ata jeta e kësaj bote dhe ashtu (të detyruar) dëshmuan kundër vetvetes se me të vërtetë e refuzonin (të vërtetën).” [6:130]

“Thuaj: “Sillni dëshmitarët, të cilët dëshmojnë se Allahu ndaloi (bëri haram) ato (që i ndalonin vetë). Nëse duan të dëshmojnë rrejshëm, ti mos dëshmo bashkë me ta dhe mos shko pas dëshirave të atyre që argumentet Tona i bënë të rreme dhe pas atyre që nuk besojnë jetën e që largohen prej Zotit të tyre (adhurojnë tjetër).” [6:150]

“Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!”. Të mos thoni në ditën e kijametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur”. [7:172]

“Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhamitë e Allahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr.” [9:17]

“(Nga hipokritët më të shëmtuarit janë) Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do të betohen: “Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm për të mirë!” Po Allahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë.” [9:107]

“A ai që është (i mbështetur) në argument nga Zoti i tij dhe atë e përforcon dëshmia nga Ai, e para tij (Kur’anit) ishte (dëshmitar) libri i Musait (Tevrati) që ishte udhërrëfyes e mëshirë – (është i njëjtë me atë që ka për qëllim vetëm këtë jetë)? Të tillët (që janë në rrugë të drejtë) e besojnë (Kur’anin). E kush prej atyre grupeve e refuzuan atë, vendi i tij është zjarri. E ti (Muhammed) mos ki dyshim në te, ai është e vërtetë nga Zoti yt, në të s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.” [11:17]

“E kush është më mizor se ai që trillon gënjeshtër për Allahun? Të tillët paraqiten para Zotit të tyre, e dëshmitarët thonë: “Këta ishin të cilët gënjyen ndaj Zotit të tyre, pra mallkimi i Allahut qoftë kundër mizorëve!” [11:18]

“Ne nuk themi tjetër vetëm se dikush prej zotave tanë të ka goditur me çmendje! Ai tha: “Unë dëshmitar e kam Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni.” [11:54]

“Ai (Jusufi) tha: “Ajo m’u vërsul mua!” Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: “Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të drejtën, kurse ai gënjen.” [12:26]

“Ju kthehuni te babai juaj dhe thuani: “O at yni, djali yt vodhi, ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë, e për të fshehtën ne nuk ishim roje!” [12:81]

“Unë nuk ua prezentova krijimin e qiejve e të tokës atyre që po i adhuroni e as krijimin e vetë atyre, e as nuk mora ndihmëtarë të humburit.” [18:51]

“Po grupet u kundërshtuan mes vete (rreth Isait). Të mjerët ata që nuk besuan se çka kanë për të parë ditën e madhe!” [19:37]

“Atëherë ai tha: “Jo, por Zoti juaj është Zot i qiejve e i tokës, është Ai që i krijoi ato, ndërsa unë jam dëshmues për këtë!” [21:56]

Ata thanë: “Silleni atë këtu në sy të njerëzve që ta shohin (e ta dënojmë)”. [21:61]

“(Përkujto) Davudin e Sulejmanin kur pleqëronin për çështjen e bimës (mbjelljes) të cilën delet e atij populli e kishin kullotur natën, e Ne ishim përcjellës të gjykimit të tyre.” [21:78]

“(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbanave) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfërin.” [22:28]

“(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t’i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni Allahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.” [24:2]

“E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi, nëse katër herë betohet në Allahun se ai (shpifësi) gënjen.” [24:8]

“Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar.” [24:24]

“(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” [25:72]

“Ajo tha: “O ju pari, më sugjeroni në këtë çështje timen se unë nuk do të vendos asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim!” [27:32]

“Ata që thanë: “Betohuni mes vete në Allahun, ta mbytni atë dhe familjen e tij natën, e pastaj të afërmve të tij t’u thoni: Ne nuk morëm pjesë në mbytjen e familjes së tij, dhe se ne jemi të drejtë (të vërtetë)” [27:49]

“E ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit ku Allahu i foli Musait) kur Ne Musait ia besuam shpalljen (e bëmë pejgamber dhe e dërguam te faraoni), e ti as nuk ishe aty pranë.” [28:44]

“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues.” [33:45]

“Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.” [36:65]

“Apo, Ne i krijuam engjëjt femra, e ata ishin dëshmitarë (kur Ne i krijuam engjëjt femra)?! [37:150]

“Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.” [40:51]

“E derisa afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar.” [41:20]

“Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai ktheheni”. [41:21]

“Ju nuk fshiheshit (kur bënit mëkate) se do të dëshmojnë kundër jush të dëgjuarit tuaj, të pamurit tuaj dhe lëkurat tuaja, bile ju menduat se Allahu nuk di për shumë gjëra që ju i bënit.” [41:22]

“Edhe engjëjt që janë adhurues të Zotit i quajnë femra? A prezentuan ata në krijimin e tyre (melekëve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.” [43:19]

“Ata që i adhuruan pos Tij, nuk mund të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefaat), përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë.” [43:86]

“Thuaj: “Më tregoni mua se nëse ai (Kur’ani) është prej Allahut, e ju e mohuat (si do të jetë puna juaj), ndërsa një dëshmitar nga beni israilët e dëshmoi si të tillë (të zbritur prej Allahut) dhe i besoi, kurse ju bëtë kryelartësi (a nuk jeni zullumqarë)?” E, s’ka dyshim se Allahu një popull që është mizor, nuk e udhëzon në rrugën e shpëtimit.” [46:10]

“Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues.” [48:8]

“A nuk e ke ditur se ata që u bënë hipokritë, u thoshin vëllezërve të vet nga ithtarët e librit që nuk kishin besuar: Nëse ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju për çështjen tuaj, ne kurrë nuk do t’i bindemi askujt (t’ju luftojmë ose t’ju nënshtrojmë), e nëse luftoheni prej dikujt, ne gjithqysh do t’u ndihmojmë. Allahu dëshmon se ata janë rrenacakë! [59:11]

“Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i Allahut!” E, Allahu e di se ti je i dërguar i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu).” [63:1]

“E kur t’i afrohen ato mbarimit të afatit të tyre, atëherë ose mbani (i ktheni në jetën bashkëshortore) si duhet, ose ndahuni prej tyre si është e udhës, e këtë do ta dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe dëshminë zbatojeni për hir të Allahut. Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe ditës së fundit, e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë.” [65:2]

“Ne dërguam te ju të dërguar që dëshmon kundër jush, ashtu siç patëm dërguar edhe te faraoni të dërguar.” [73:15]

“Të cilin e dëshmojnë engjëjt që janë më të afërmit.” [83:21] “Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!” [85:3]
 

Përmblodhi: Mr. Fehim Dragusha

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit