4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Çfarë të bëjmë kur jeta është e mirë?

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t’u ditur te Allahu ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush për dëshmorë (ose dëshmues).” (Ali Imran: 140)

Ky ajet konfirmon se të gjithë mësojmë për jetën derisa vazhdojmë të plakemi. Fati jonë në këtë jetë është ciklor, d.m.th., nëse një ditë na buzeqesh fati, të nesërmen mund të përjetojmë diçka të hidhur. Këtu, do të diskutojmë rreth asaj se çfarë duhet bëjë një musliman nëse jeta e tij është e mirë kur dihet se nga ne kërkohet që gjithmonë të frikësohemi se Allahu mund t’i transferojë fatet tona të mira tek tjetri në rast se bëhemi mosmirënjohës për begatitë me të cilat Ai na ka begatuar.

Kur dikush në mësin e muslimanëve gjendet mirë fetarisht, financiarisht dhe ka marrëdhënie të mira me familjen dhe miqtë e tij, ai mund të konsiderohet të ketë një jetë të mirë. E çfarë duhet të bëjë një musliman që e ka një mirëqenie të këtillë dhe dëshiron t’i zgjatet dhe ta shtojë edhe më shumë atë mirëqenie, që ajo t’i bëjë dobi në botën tjetër?

Epo, për fillim, ai duhet ta kuptojë se ky sukses në jetë është për shkak të udhëzimit të Allahut dhe begative të Tij. Duhet që gjithashtu ta kuptojë se është begatuar ose për shkak se veprat e tij kanë qenë të drejta, ose Allahu i Lartësuar është duke e sprovuar atë. Thotë Allahu i Madhërishëm në Kur’an: “Të Tij janë çelësat e qiejve e të tokës. Ai e begaton shumë atë që do dhe nuk e begaton (atë që gjithashtu do). Ai është i Gjithdijshëm për çdo send.” (Esh-Shura: 12)

Ajo çfarë nënkuptohet nga ky ajet është se në vend se ta lejosh suksesin e kësaj bote të futet në kokën tënde dhe të lavdërohesh rreth aftësive tua biznesore apo për diçka tjetër, ajo të cilën vërtet duhet ta bësh është ta shohësh suksesin e kësaj bote në dritën e një përgjegjësie shtesë, që do të thotë, ta bësh suksesin më të madh të kësaj bote, shpëtim për botën tjetër. Ky ajet, gjithashtu na tregon diçka të cilën shumë prej nesh refuzojmë t’i kushtojmë vëmendje dhe kjo do të thotë se pasuria dhe furnizimi ynë është në Dorën e Allahut, dhe është më e dobishme për ne nëse i lutemi Allahut sinqerisht dhe në mënyrë pasionante për shtimin e pasurisë në vend se të kalojmë orë të tëra në internet apo duke i kënaqur pushtetarët kinse për të fituar favore potenciale, të cilat mund apo nuk mund të na e shtojnë pasurinë.

Nga ne kërkohet që të varemi vetëm nga Allahu për furnizimin tonë dhe jo nga kontaktet apo miqtë tanë, pasi kush mund të jetë mik më i mirë në kohërat kur më së shumti kemi nevojë përveç Vetë Zotit të botëve? Për më tepër, në qoftë se e kujtojmë Allahun kur jemi të begatuar, atëherë pa dyshim, Allahu do të na kujtojë kur na mungojnë begatitë dhe vetëm Atij i lutemi për ndihmë.

Sapo që muslimani ta kuptojë se tërë suksesi i tij është për shkak të udhëzimit dhe begative të Allahut, ai duhet ta falënderojë Allahun për udhëzimin dhe begatitë e Tij. Mënyra më e mirë për ta falënderuar Allahun është duke e lavdëruar dhe adhuruar Atë, e veçanërisht duke i bërë sexhde Atij. Duke e falënderuar Atë në këtë mënyrë, ju gjithashtu i bëni dobi vetvetes pasi Allahu do t’ua shtojë begatitë, siç thotë Ai në Kur’anin famëlart: “Ai është që u përgjigjet (lutjeve të) atyre që besuan dhe bënë punë të mira dhe nga mirësia e Vet, ua shton atyre të mirat. Ndërsa, jobesimtarët kanë dënim të rreptë.” (Esh-Shura: 26)

Fjala e fundit

Gjithashtu është shumë e rëndësishme që të mos çoroditemi e të mësohemi me këtë sukses në jetë, pasi Allahu do të na testojë duke na e marrë një pjesë prej tij. Duke pasur parasysh se kjo jetë është e përkohshme, nuk duhet të ndiejmë keqardhje. Përkundrazi, duhet ta përdorim këtë sukses si një faktor motivues për ta shtuar adhurimin tonë, ashtu që ta kemi më të lehtë në botën tjetër, shtëpinë tonë të përhershme. Dhe pavarësisht se sa të suksesshëm bëhemi në këtë jetë, duhet ta kujtojmë se kush na e mundësoi këtë sukses dhe mos të dalim nga feja siç thotë Allahu i Lartësuar në Kur’an: “Sikur Allahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do të kalonin kufijtë, por Ai i furnizon me masë që dëshiron, sepse Ai është i njohur hollësisht dhe i dijshëm për robërit e vet.” (Esh-Shura: 27)

/Muhamed Bilal Lakhan/ “Mësime jetësore nga Kurani famëlartë për muslimanët e shekullit 21”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit