Nga Enklid Pelari
Aeroportet njihen si arteriet kryesore të një vendi dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë pasi vet politika, biznesi, bota akademike, shkenctarët, studiuesit dhe çdo shtresë tjetër e shoqërisë i duhet ta përdorë këtë mjet transporti për t’u integruar me botën jashtë. Aeroportet as në rast lufte nuk mbyllen.
Përpara se të flasim për impaktin kryesor të aeroporteve, pra që është ai ekonomik, fillimisht theksojmë atë që thonë ekspertët se vendi ynë zotëron një pozitë gjeografike edhe më të favorshëm për fluturimet sesa vet Turqia, por duke qenë se investimet tona në këtë pjesë lenë shumë për të dëshiruar atëherë Turqia na e ka ‘’zenë vendin’’, përveç rolit të vet kyç që ka për pjesën e Azisë. Me pak investime vendi ynë mund të bëhet lider në ballkan për pjesën e fluturimeve ajrore.
Sipas ekspertëve, aeroportet kanë një kontribut me rreth 1-3 % në totalin e prodhimit të brendshëm bruto. Pra pak a shumë sa është edhe buxheti një ministrie. Për shembull, aeroporti hollandez ‘’Schipol’’ i cili mbulon 90% të fluturimeve hollandeze, kontribuon me 3% ne GDP e këtij vendi, pak a shumë me diçka më pak kontribon edhe aeroporti ‘’Charles de Gaulle’’ në France. Aktualisht Turqia por ndërton një aeroport të ri në në veri të Stambollit në zonën ‘’Arnaut Kui’’ që pritet të përfundojë në 2018 me 7500 hektarë. Sipas një raporti të nxjerrë nga qendra për Studimet Ekonomike dhe të Jashtme (EDAM), thuhet se ky aeroport do të sigurojë 225 mijë vende pune dhe do të ketë një impakt ekonomik prej 20.4 miliard dollarësh deri në vitin 2025. Ky aeroport pritet që të kontribojë me rreth 4.9% në GDP pasi mendohet që është një nga aeroportet më të mëdhenj në botë.
Aeroportet konsiderohen si asetet më te rëndësishme dhe me jetike infrastrukturore të çdo shteti, pasi ato nxisin lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në të gjithë vendin dhe rreth botës. Aeroportet gjithashtu kontribuojnë në mënyrë thelbësore në ekonominë kombëtare sepse konsiderohen motorët ekonomikë të vendit pasi nxisin efiçencën dhe krijojnë sinergjine e nevojshme ekonomike, sidomos në rritjen e punësimit dhe prodhimit ekonomik të gjithë shtetit.
Ndikime të tjera ekonomike të aeroporteve janë: rritja e investimeve nga kompanitë e huaja ajrore, pra thithja e kapitalit nga jashtë; po ashtu të kompanive të transportit detar; të aviacionit privat dhe akademitë e mësimit të fluturimeve; të kompanive që ofrojnë makina me qira; hotelet brenda në aeroport; menaxhimi aeroportit dhe stafit të operacioneve; departamenteve dhe seksioneve qeveritare në përdorimin e shërbimeve të ndryshme të ofruara nga aeroporti, etj. Po ashtu ka edhe efekte të tjera multiplikative që rezultojnë nga ri-investimi të ardhurave të marra nga efektet direkte të aeroportit.
Së fundmi, kryeministrit Rama njoftoi se në Vlorë do ndërtohet aeroporti ri në bashkëpunim me ekperiencën, logjistikën dhe investimet turke. Ky është një lajm i gëzueshëm jo vetëm për Vlorën, pasi aeroportet e zhvillojnë edhe qytetin ku ndërtohet, por edhe për vet Shqipërinë. Një aeroport në Vlorë do suportonte turizmin e gjithë jugut në mënyrë të drejtpërdrejtë pasi fluturimet nga Kosova mund të jenë në krye të listës, por jo vetëm.
Aeroporti në qytet bregdetar është një eksperiencë tepër e suksesshme botërore, madje edhe ballkanase; vende të tilla si Mali zi, Korfuzi dhe qindra ishuj të tjerë grek, e kanë aplikuar me kohë dhe sot po ja korrin suksesin. Edhe pse në këtë pjesë jemi të vonuar, sërish njoftimi kryeministrit është një lajm ogurbardh për ekonominë dhe të ardhmen e vendit. Investimet në këtë sektor do hapin vende të reja pune, do sigurojnë likuiditet dhe punë për sektorin e ndërtimit, transportit dhe të gjithë zinxhirin e kompanive që merren me materialet ndërtuese. Do sigurojë një rritje ekonomike që në vitin e parë të investimit, që do vazhdojë edhe pasi aeroporti të hyjë në punë. Por më e rëndësishmja është që aeroportet përveç rritjes ekonomike ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik të vendit. /tesheshi.com/