5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Çfarë po ndodh tani në Gjermani?

Më të lexuarat

Çfarë po ndodh tani në Gjermani? Një krizë shtetërore, siç supozojnë jashtë Gjermanisë? Jo. Qeveria e përkohshme është në gjendje të veprojë.

Nga Jens Thurau

Wolfgang Schäuble është një nga veteranët, nëse jo, veterani i politikës gjermane. Presidenti i Bundestagut nga radhët e CDU-së ka parë shumë dhe ka marrë pjesë në shumë beteja politike. Fjala e tij ka peshë. Të martën, Schäuble e përshkroi kështu në Parlament situatën pas dështimit të negociatave për koalicionin qeveritar në fundjavë: “Të dashur kolege dhe kolegë, aktualisht kemi një situatë të jashtëzakonshme, këtë e theksoi edhe Presidenti Federal. Është një test, por nuk është krizë shtetërore.”

Të njëjtat të drejta dhe detyra si një qeveri “e vërtetë”

Kancelarja Merkel dhe CDU-ja e saj për momentin nuk ia dolën mbanë që të krijojnë një qeveri të re me CSU, FDP dhe të Gjelbrit. Por Merkeli ndodhet megjithatë aty, ku ka qenë që prej 12 vjetësh: në zyrën e saj të kancelares. Që kur është zgjedhur Bundestagu i ri, qeveria i kryen funksionet vetëm në mënyrë të përkohshme. Por kushtetuta thotë: ajo në fakt ka të njëjtat të drejta dhe detyrime si një qeveri e zgjedhur. Edhe nga pikëpamja kohore nuk ka kufizim për një qeveri të zgjedhur, e cila i kryen funksionet vetëm në mënyrë të përkohshme.

Pasiguria si shans për demokracinë

Pa drejtim Gjermania pra nuk është. Këtë e thonë deputetë të shumë partive, edhe FDP, edhe SPD. Johannes Kahrs i socialdemokratëve (SPD) thotë: “Ne kemi një qeveri që funksionon. Buxheti është miratuar. Tani kemi edhe një debat si ta trajtojmë rezultatin e zgjedhjeve. Por këto gjëra duhet të jenë pjesë e çdo demokracie.”

Vendime të rëndësishme nuk merren dot

Megjithatë: vendime vërtet të rëndësishme një qeveri e tillë që nuk është e zgjedhur nga parlamenti nuk duhet të marrë. Vendim si për shembull pezullimi i shërbimit ushtarak, apo braktisja e energjisë bërthamore. Pra pak të kufizuara janë kompetencat si ministër. Jo nga ligji por nga një stil i mirë sjelljeje. Megjithatë, po t’i duhet të marrë një vendim vërtet të rëndësishëm qeveria natyrisht mund t’i drejtohet Bundestagut të ri.

Qeveri minoriteti? Për Gjermaninë jo kaq e mirë

Në Danimarkë, qeveritë e minoritetit janë gati të zakonshme. Eksperti Volker Boehme-Neßler, jurist e politolog në Universitetin e Oldenburgut nuk beson se një qeveri e tillë në Gjermani ka kuptim. “Për një periudhë kalimtare po. Por në plan afatgjatë kjo nuk do të ishte zgjidhje. Edhe psikologjikisht është e vështirë, të miratosh ligje të ndryshme me partnerë të ndryshme.” Aq më tepër kur Gjermania nuk ka përvoja në këtë drejtim.

Një shembull qetësues për Gjermaninë është Holanda. Shtatë muaj u deshën që prej zgjedhjeve në mars deri sa u krijua një qeveri e re para pak javësh.

DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit