E drejta ndërkombëtare për një kohë të gjatë kishte arritur t’i administroj konfliktet ndërmjet shteteve dhe kombeve. Por, a mund të thuhet se këtë po e bënë edhe për luftën kibernetike?
Po ashtu, shtrohet pyetja se çfarë ligjesh zbatohen në këtë luftë?
Një udhëzim i ri përpiqet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Një panel prej 20 ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare i ka kaluar disa vitet e fundit duke u marrë me çështje të së ashtuquajturës luftë kibernetike, me ç’rast janë shqyrtuar tekstet juridike siç janë Konventat e Gjenevës, e Hagës dhe Karta e Kombeve të Bashkuara.
Konkluzionet e tyre tashmë janë publikuar si “Doracaku i Talinit”, me afro 300 faqe, ku shpjegohet se si ligjet ekzistuese mund të zbatohen në luftën në Internet.
Michael Schmitt, profesor në Kolegjin e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e ka kryesuar këtë panel.
Ai i ka kaluar më se 25 vite si këshilltar juridik i Forcave Ajrore dhe i ushtrisë amerikane. Sipas tij, ky doracak u kushtohet juristëve ushtarakë, që i këshillojnë zyrtarët e mbrojtjes, të cilët ballafaqohen me sulme kibernetike.
“Ky udhëzim është për mua, për arsye se unë mund ta hapë atë dhe të them, ky është ligji që zbatohet, ose aty janë disa fusha të paqarta; Më duhet tu them politikbërësve dhe komandantëve se kjo do të jetë pak si e përgjithshme në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare. Pra, ajo që ata përpiqen ta bëjnë është tu japin një mjet njerëzve që i këshillojnë juridikisht , se ata mund ta përmirësojnë cilësinë e këshillës së tyre”, tha Michael Schmitt.
Ky libër udhëzues është porositur nga Qendra Mbrojtëse Kibernetike e NATO-s, por nuk është dokument politik i NATO-s dhe nuk është dokument zyrtar.
Ky panel e kishte filluar punën pak kohë pasi Estonia ishte goditur nga një sulm masiv kibernetik në vitin 2007. Faqet në Internet të Parlamentit, Qeverisë, ministrive, bankave dhe mediave ishin bllokuar krejtësisht. Në atë kohë Estonia e kishte akuzuar Rusinë për orkestrimin e këtij sulmi.
Atëherë, Micheal Schmitt ishte udhëheqës i një qendre të sigurisë në Gjermani.
Duke e përkujtuar atë kohë, ai thotë:
“Në kuptimin e plotë të fjalës, juristët ndërkombëtarë ishin zënë ngushtë duke mos pasur një gjurmë që do të jepte përgjigje nëse udhëheqësit e tyre do të thoshin se ky ishte një sulm i tillë që nën Nenin 5 të Marrëveshjes Veri-Atlantike, ne mund ta zbatojmë për ta mbrojtur Estoninë. Në këto pyetje atëherë nuk kishte kurrfarë përgjigjesh. Kjo është ajo që e motivoi punën tonë“, thotë Schmitt.
Parimi kryesor i këtij doracaku udhëzues është se nuk mund të thuhet se lufta nuk është luftë, për arsye se ajo zhvillohet në Internet.
Juridikisht, programi kompjuterik, që e shkatërron sistemin e kontrollit ajror kombëtar dhe i dërgon aeroplanët të rrëzohen nga qielli, prodhon katastrofë të njejtë sikur edhe raketat. (F. Bujupi)/rel