Pyetja:
Jam një nxënës i shkollës së mesme, më ngacmojnë shumë profesorët, vetëm pse jam fetar. Gjithçka që flas për fenë janë kundra. Çfarë më preferoni të bëj me ta?
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, së pari ju dëshirojmë mirëseardhje në faqen tonë dhe të urojmë për interesimin tënd rreth Islamit, si dhe në përcjelljen e fjalës së vërtetë. Lusim Allahun e Lartësuar të të shpërblejë për mundin dhe të japë udhëzim në çdo vepër.
Ajo me çfarë do t`ju këshillonim me këtë rast do të ishte të jeni më mendjemprehtë dhe të kujdesshëm, pasi si duket nga pyetja juaj jeni një person zemërndezur për gjërat që i keni ideal dhe ndërhyni në çdo çështje.
Duke e pasur parasysh moshën dhe pozitën tuaj si nxënës duhet të keni parasysh se si silleni dhe bisedoni me profesorët tuaj, kështu të mos bini në ndonjë pozitë të palakmuar.
Një gjë duhet të kuptoni: pa marrë parasysh se çfarë thoni, pozita e profesorit është shumë më e lartë, që ju të arrini me lehtësi ta detyroni atë ta lërë qëndrimin e tij dhe të pranoj atë që ju e thoni.
Duke lënë anash ngadhënjimin tënd para profesorëve, më duhet ta them një gjë që është mjaft me rëndësi te çdo njeri që dëshiron të jetë i suksesshëm në jetë me të tjerët.
Te muslimani është me rëndësi ta kuptojë të vërtetën, e cila ndërtohet në argumente të shëndosha. Por, nëse dëshirojmë këtë të vërtetë t`ua përcjellim të tjerëve, po aq me rëndësi është edhe përzgjedhja e formës së qëlluar se si e bëjmë atë përcjellje. Pra nuk mjafton për ne, ta njohim një të vërtet që ta konsiderojmë veten të aftësuar ta përcjellim atë, por duhet, gjithashtu, edhe të mendojmë, mësojmë dhe të stërvitemi në përzgjedhjen e metodave, se si mundet të jetë e pranuar kjo e vërtetë tek të tjerët.
Kjo që u përmend lartë, është mjaft me rëndësi dhe shpresoj ta keni parasysh ju, por edhe të gjithë ne, pasi është mjaft e nevojshme, posaçërisht nëse e klasifikojmë veten si thirrës (davetxhi) në Islam, e secili nga ata që praktikojnë Islamin në një formë është nga thirrësit, pa marrë parasysh e kuptoi këtë ai apo jo.
Nga historia e Profetit (salallahu alejhi ue selem) shohim se si ai përdorte metoda të ndryshme, varësisht nga njerëzit me të cilët u bënte thirrje. Pra, nuk ishte i njëjtë me të gjithë. Udhëheqësve dhe mbretërve u dërgoi delegacione që do tu parashtrojnë Islamin, duke i nxitur dhe kurajuar për mirësitë e Islamit dhe krenarinë që do arrijnë, nëse e përqafojnë atë. Njerëzit e tjerë i dallonte prapë nga mosha, ambiciet që kishin, situatat e ndryshme e kështu me radhë.
Prandaj duhet të keni kujdes në metodën që po zgjidhni gjatë marrëdhënieve të tua me profesorët.
Çështja tjetër me të cilën do t`ju këshillonim, në këtë rast, do të ishte që mos e fusni veten në polemika me profesorët dhe nuk është e thënë që për çdo çështje ju të flisni. Ndoshta ajo që do të ndikonte më shumë, do të ishte që ju me sjellje, mësim, korrektësi, angazhim… t’u lini më shumë mbresa profesorëve.
Prandaj ajo që do të ndihmonte në situatën tënde është që të mundoheni të ndikoni në shokët e klasës që ata t`ju përmbajnë dhe të mos jete ai që fletë vetëm ti.
Kjo ishte ajo që e pamë të arsyeshme të shkruajmë në këto momente, lus Allahun e Lartësuar t;ju japë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi
17.10.2006