3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Çfarë duhet të dini mbi engjëjt në Islam: Ekzistenca, Emrat, Cilësitë dhe Detyrat e tyre?”

Më të lexuarat

Engjëjt janë krijesa të padukshme për ne. Ata janë adhurues të Allahut; nuk posedojnë cilësi sundimi e as cilësi hyjnore. Allahu (te’ala) i ka krijuar ata nga drita. Engjëjt janë të nënshtruar në mënyrë të plotë ndaj urdhrave të Allahut duke pasur edhe aftësinë për t’i kryer ato urdhra. Allahu (te’ala) ka thënë:

وَمَنْ عِندَهُ لَا يَسْتَكْبِرُونَ عَنْ عِبَادَتِهِ وَلَا يَسْتَحْسِرُونَ يُسَبِّحُونَ اللَّيْلَ وَالنَّهَارَ لَا يَفْتُرُونَ

“E ata që janë pranë Tij (engjëjt), nuk shprehin mendjemadhësi në adhurimin ndaj Tij, e as nuk u bëhet (ibadeti) monoton. Ata lartësojnë (Allahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.” 1

Numri i tyre është i madh dhe vetëm Allahu (te’ala) e di sa është numri i tyre. Kjo është konfirmuar në ‘dy hadithet autentike’ që transmetohen nga Enesi (radijAllahu anhu) në lidhje me

“…Bejt ul-mamur iu tregua të dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) dhe se 70,000 engjëj falen aty çdo ditë dhe kur largohen nga aty, nuk kthehen më kurrë, e më pas vjen grupi tjetër; e kështu me radhë vazhdon çdo ditë.” 2

Besimi në engjëjt përmban katër çështje:

– E para: Besimi në ekzistencën e tyre.

– E dyta: Besimi në engjëjt emrat e të cilëve ne i dimë. Shembull i tillë është Xhibrili. Sa për ata engjëj që ne nuk i dimë me emra, ne besojmë në ta në formë të përgjithshme.

– E treta: Besimi në cilësitë e tyre për të cilat kemi njohuri. Shembull i tillë janë cilësitë e Xhibrilit. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) na ka lajmëruar se ai e kishte parë atë në formën e tij të vërtetë dhe ai kishte gjashtëqind krahë me të cilat e mbulonte horizontin.

Me lejen e Allahut, engjëlli mund të shndërrohet në formë të njeriut. Shembull i kësaj është kur Allahu (te’ala) dërgoi Xhibrilin tek Merjemja në formë të përsosur njerëzore. Shembull tjetër është kur Xhibrili erdhi tek profeti (salAllahu alejhi ue selem) i cili ishte ulur me shokët e tij. Në këtë rast ai u shfaq në figurë mashkullore me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Nuk kishte asnjë shenjë se ai ishte në udhëtim, ndërsa asnjë prej sahabëve nuk e njihnin. Ai u ul me profetin (salAllahu alejhi ue selem) dhe vuri gjunjët e tij afër gjunjëve të profetit dhe vuri shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e tij (mbi kofshët e veta e jo të profetit). Pastaj ai e pyeti profetin (salAllahu alejhi ue selem) për islamin, imanin, ihsanin, Ditën e Gjykimit dhe shenjat e tij. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) u përgjigj pyetjeve dhe pastaj Xhibrili u largua. Atëherë i dërguari (salAllahu alejhi ue selem) tha:

“Ai ishte Xhibrili; erdhi tek ju për t’ua mësuar fenë tuaj.” 3

E njëjta gjë vlen edhe për engjëjt që Allahu (te’ala) dërgoi tek Ibrahimi dhe Luti. Edhe ata u shfaqën në formën e njeriut.

– Së katërti: Besimi në veprimet e tyre që ne i dimë. Këto veprime kryen vetëm pasi t’i ketë urdhëruar Allahu (te’ala). Shembuj të tyre janë: se ata e lavdërojnë dhe e adhurojnë Allahun ditë e natë pa u lodhur apo pa u mërzitur. E disa prej engjëjve kanë detyra të caktuara.

Detyra e Xhibrilit besnik është për t’ua përcjellë shpalljen e Allahut (te’ala) profetëve dhe të dërguarve.

Mikaili kujdeset për bimësinë dhe reshjet.

Israfili e ka për detyrë që t’i fryjë surit kur të fillojë Ringjallja dhe Dita e Gjykimit.

Engjëlli i vdekjes e ka për detyrë që t’ua marrë shpirtrat njerëzve kur t’u vije atyre momenti i vdekjes.

Detyra e Malikut është që të kujdeset për xhehnemin.

Ka engjëj të cilët janë ngarkuar për embrionin në barkun e nënës. Pasi që embrioni t’i ketë mbushur katër muaj në barkun e nënës, Allahu e dërgon një engjëll tek ai dhe e urdhëron atë që të shkruaj furnizimin e tij, sa do të jetojë, veprat e tij dhe nëse fëmija do të ketë një përfundim të keq ose të lumtur.

Ka engjëj detyra e të cilëve është që të kujdesen për veprimet e njerëzve dhe t’i shkruajnë ato. Ata janë dy engjëj, njëri prej tyre qëndron në anën e djathtë dhe një tjetër në të majtë.

Munker dhe Nekir janë dy engjëj detyra e të cilëve është që të marrin në pyetje të vdekurin. Pasi që i vdekuri të futet në varr, këta dy engjëj vijnë tek ai dhe e pyesin atë në lidhje me Zotin e tij, islamin dhe profetin Muhammed (salAllahu alejhi ue selem).

Besimi në engjëjt sipas asaj që kemi përmendur, jep rezultatet vijuese:

– E para: Njohja e Madhështisë së Allahut (te’ala), Fuqisë dhe Pushtetit të Tij. Madhështia e krijimit rezulton me madhështinë e Krijuesit.

– E dyta: Mirënjohja ndaj Allahut (te’ala) sepse Ai kujdeset për njerëzit kur Ai i bën që engjëj të kujdeset për ta, duke i shënuar veprimet e tyre dhe begati të tilla.

– E treta: Dashuria për engjëjt për adhurimin që ata e bëjnë ndaj Allahut (te’ala).

Njerëzit e devijuar mohojnë se engjëjt kanë trupa. Në vend të kësaj, ata thonë se engjëlli është një koncept i një force pozitive të brendshme në krijesat. Kjo teori përgënjeshtrojnë Librin e Allahut, Sunnetin e të dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) të Tij dhe konsensusin e dijetarëve. Allahu (te’ala) thotë:

الْحَمْدُ لِلَّهِ فَاطِرِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ جَاعِلِ الْمَلَائِكَةِ رُسُلًا أُولِي أَجْنِحَةٍ مَّثْنَى وَثُلَاثَ وَرُبَاعَ

“Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë e katër palë krahë, ndërmjetësues (midis Tij dhe profetëve).” 4

وَلَوْ تَرَى إِذْ يَتَوَفَّى الَّذِينَ كَفَرُواْ الْمَلآئِكَةُ يَضْرِبُونَ وُجُوهَهُمْ وَأَدْبَارَهُمْ وَذُوقُواْ عَذَابَ الْحَرِيقِ

“Sikur t’i kishe parë engjëjt kur ua marrin shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), i rrahin fytyrave dhe shpinave të tyre e u thonë: ‘Shijoni dënimin e djegies’!” 5

وَلَوْ تَرَى إِذِ الظَّالِمُونَ فِي غَمَرَاتِ الْمَوْتِ وَالْمَلآئِكَةُ بَاسِطُواْ أَيْدِيهِمْ أَخْرِجُواْ أَنفُسَكُمُ

“E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): ‘Shpëtojeni pra vetveten (nëse mundeni)’.” 6

حَتَّى إِذَا فُزِّعَ عَن قُلُوبِهِمْ قَالُوا مَاذَا قَالَ رَبُّكُمْ قَالُوا الْحَقَّ وَهُوَ الْعَلِيُّ الْكَبِيرُ

“E kur hiqet frika nga zemrat e tyre (të ndërmjetësuesve), ata thonë: ‘Çka tha Zoti juaj!’ (rreth këtij ndërmjetësimi). Ata (engjëjt) thonë: ‘Të vërtetën!’ (u dha leje). Ai është i Larti, më i Madhi.” 7

وَالمَلاَئِكَةُ يَدْخُلُونَ عَلَيْهِم مِّن كُلِّ بَابٍ سَلاَمٌ عَلَيْكُم بِمَا صَبَرْتُمْ فَنِعْمَ عُقْبَى الدَّارِ

“Ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend.” 8

Në ‘Sahih el-Bukhari’, transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Kur Allahu e do një rob, Ai i thotë Xhibrilit: ’Allahu e do këtë dhe këtë person, duaje edhe ti’. Xhibrili fillon ta dojë atë dhe pastaj ai i thërret banorëve të Qiellit: ‘Allahu e do këtë dhe këtë person, duajeni edhe ju’. Prandaj, ai do të duhet nga banorët e qiellit dhe pastaj ai do të pranohen (duhet) edhe në tokë.” 9

Përveç kësaj, ai transmetoi gjithashtu se profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Çdo ditë të xhuma në çdo derë të xhamisë ka engjëj që shkruajnë ata që prezantojnë në xhami. Pasi që imami të jetë ulur, engjëjt i palosin shënimet e tyre dhe e dëgjojnë hutben.” 10

Këto tekste vërtetojnë qartë se, engjëjt vërtetë kanë trupa dhe se ata nuk janë ndonjë koncept i fuqisë, gjë të cilën disa njerëz të devijuar e kanë thënë. Kjo është ajo që tekstet dhe konsensusi muslimanëve thotë.


1 El-Enbija’ 21:19-20

2 el-Bukhari (3207), Muslim (259) dhe en-Nesai (447).

3 Muslim (8).

4 El-Fatir 35:1

5 El-Enfal 8:50

6 An-Aam 6:93

7 Sebe’ë 34:23

8 Er-Rad 13:23-24

9 el-Bukhari (3209), Muslim (2637), et-Tirmidhi (3372), Malik (1778) dhe Ahmedi (2/267).

10 al-Bukhari (3211), Muslim (850), en-Nesai (1384), Ibn Maxheh (1092), ed-Darimi (1544) dhe Ahmedi (2/239).

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sherh Thelathet-il-Usul
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit