1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Çelësi i zgjidhjes së krizës në Maqedoni

Më të lexuarat

Partitë politike në Maqedoni mbeten të palëkundëra në pozicionet e tyre.

VMRO-DPME-ja e Nikolla Gruevski dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, janë për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, shkruan rel.

Në këtë kuadër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nxjerrë listën zgjedhore në shqyrtim publik ndërsa vazhdon me procedurat tjera për organizimin e zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit dhe partitë tjera opozitare jashtëparlamentare, pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë kushtëzuar me pastrimin e listës zgjedhore, reformat në media dhe tërheqjen e vendimit të fundit të presidentit Gjorge Ivanov, për faljen e zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në një situatë të këtillë, njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhje më 5 qershor nuk mund të ketë.

Ata thonë se gjendja është ndërlikuar në veçanti pas vendimit të presidentit, i cili sipas profesorit të sistemit politik, Nikolla Dujoski,duhet të gjejë forma për tërheqjen e vendimit për shkak të presioneve dhe protestave në rritje të sektorit civil që kanë edhe mbështetjen e opozitës.

“Presidenti mund të ndihmojë shumë në kapërcimin e krizës nëse e tërheq vendimin për falje, por nëse këtë nuk e bën, atëherë si alternativë mbetet vazhdimi i protestave të cilat me kalimin e kohës do të jenë edhe më masovike dhe me përmbajtje tjera edhe pse sikur ato po shpërfillen nga institucionet, por kjo nuk do të zgjasë edhe shumë kohë pasi gjendja po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme”, thotë Nikolla Dujoski i bindur se më 5 qershor nuk do të ketë zgjedhje, përkundër insistimit të pushtetit për mbajtjen e tyre edhe pa opozitën.

“Realisht më 5 qershor nuk do të ketë zgjedhje, se si do të shtyhen ato mbetet të shihet. Zgjedhjet vetëm me VMRO-në do të ishin humbje kohe. Nuk do të ketë kurrfarë efekti, përkundrazi do të përkeqësonin edhe më shumë gjendjen në vend. Vlerësoj se deri në krijimin e kushteve për zgjedhje gjithpërfshirëse duhet të ketë një qeveri teknike, mandati i së cilës do të ishte organizimi i zgjedhjeve. Një zgjidhje e tillë besoj se do të ishte e pranueshme për të gjitha palët dhe opinionin në përgjithësi”,thotë Dujoski.

Ai ka shtuar se në këtë do të kontribuojnë përfaqësuesit ndërkombëtar të cilët beson se janë në kontakt të vazhdueshëm me liderët për gjetjen e modaliteteve për dalje nga qorrsokaku politik.

Edhe Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se pa tërheqjen e vendimit të presidentit, nuk mund të pritet zgjidhje e krizës politike. Ai thotë se vendimi i presidentit ka rrënuar sistemin juridik dhe funksionimin e Prokurorisë Speciale.

“Pa një hap të tillë nuk mund të mendohet për asgjë tjetër, as për takim liderësh e as për zgjedhje të lira dhe demokratike pasi parakusht për gjithë këto është shteti ligjor. Nëse tërhiqet ky vendim për falje të personave të cilët janë nën hetime apo të cilët janë të përfshirë në afera korruptive dhe mashtrime zgjedhore, atëherë hapi i dytë do të duhej të ishtë një lloj uniteti ligjor për prokurorinë speciale. Ky institucion u miratua me shumicën e votave në Kuvend dhe ka për detyrë të hetojë të gjitha dyshimet për korrupsion dhe kriminalitet që dolën nga bisedat e përgjuara të zyrtarëve e të cilat i publikoi opozita”,thotë Neziri.

Edhe ai vlerëson se zgjidhja e krizës duhet të vazhdojë me formimin e një qeveria të re teknike e cila do të kishte mandat organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Vendimi i presidentit është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila doli me një nismë për mbajtjen e një takimi liderësh në Vjenë të Austrisë, por nisma dështoi për shkak të refuzimit të liderit të opozitës, Zoran Zaev i cili pjesëmarrjen në këtë takim e kushtëzoi me shfuqizimin e vendimeve të presidentit për falje si dhe të datës për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit