1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çelësi i suksesit drejt zemrës së kolegut… metoda, modeli dhe gjuha e zemrës.

Më të lexuarat

Nga: onislam

Çelësi i suksesit drejt zemrës së kolegut… metoda, modeli dhe gjuha e zemrës.

Çelësi i suksesit drejt zemrës së kolegut… metoda, modeli dhe gjuha e zemrës.
Pyetje:”Fillimisht, e falënderoj Zotin sepse gjithmonë përpiqem që shokët dhe kolegët e mi t’i ftoj drejt përkushtimit në fe. Një nga kolegët e mi, është i dalluar në lëmin shkencor. E meta e tij konsiston në shoqërimin me një person jofetar, i cili ka prirje drejt të keqes. çfarë duhet të bëj, duke ditur se çdo ditë e këshilloj kurse ai nuk dëshiron të shoqërohet me mua, pasi unë nuk bëj ashtu siç dëshiron. Ai është shumë polemist, i justifikon gabimet dhe herë pas here tallet me mua.
 
Përgjigje: Nga realiteti i pyetjes që shtroni, shoh disa pika të rëndësishme:
E para, mendoj se nuk ke zgjedhur metodën e duhur për ta ftuar atë person. Mesa duket, shoku i shokut tuaj, ka aftësi më të mëdha për ta tërhequr, sidomos duke ditur që ai përdor kënaqësinë fizike dhe epshet, të cilat janë mjaft joshëse për nefsin. Sakaq, ti vetë nuk je aq tërheqës për shokun tënd. Unë besoj se tema të tilla si xheneti, zjarri, namazi, agjërimi etj… mund t’a neveritin atë nga feja. Për këtë, të këshilloj të ndjekësh edhe metoda alternative, që ta tërheqin shokun tënd dhe të ndihet mirë teksa shoqërohet me ty. S’prish punë të bësh gjëra që i pëlqejnë, nëse nuk janë haram. Forcoji lidhjet me të, duke i bërë ndonjë dhuratë, duke u interesuar për të, duke i shërbyer në rast nevoje, dil shëtitje me të, luaj, bëhu pjesë e gjërave që i pëlqejnë si sporti, të lexuarit etj… Zhbiroji tiparet e tij karakteristike, pasi islami na mëson që njerëzve t’u flasim në bazë të nivelit të tyre, kushteve dhe rrethanave.
Vëlla i dashur!
Shtegu drejt mendjes dhe zemrës së tij, derisa të përkushtohet në islam, mund të jetë duke hapur tema rreth sportit, artit, problemeve të shoqërisë, vendit të punës dhe rendimentit, marrëdhënieve me të tjerët, e gjëra të ngjashme.
Veç kësaj, duhet të kesh parasysh diçka të rëndësishme: Ti nuk e ke nën kujdestarinë dhe përgjegjësinë tënde atë person, që t’i kërkosh llogari dhe ta fajësosh. Ajo që kërkohet prej teje është vetëm që ta duash dhe të të dojë. Kurse t’i imponosh mendimet e tua dhe të refuzosh të debatosh me të, nuk është e drejta jote. Ashtu siç nuk është e drejta jote t’i kërkosh llogari për sjelljet dhe veprat e tij. Kam frikë se kjo sjellje prej më të madhi është shkaku kryesor që kolegu yt nuk të ka pranuar, ashtu siç ka ndikuar insistimi dhe ndonjëherë dhe ironia jote. Prandaj, ndërprite menjëherë këtë sjellje, afrohu me të, duaje pa kushte dhe lejoje të të dojë. Në fund, lërja zemrave t’i rregullojnë të metat dhe të korrigjojnë gabimet. Uroj që kjo pikë të jetë e qartë për ty.
Së dyti, shtegu i dytë është modeli që i ofron. Prandaj, prezantoje kolegun tënd me aspektet më të mira tuat. Ji model shembullor para tij. Nëse ke qenë i tillë gjer tani, do të ishte shumë mirë. Në të kundërt, përpiqu me sa mundesh të rregullosh atë që ke prishur gjer tani. Lëre kolegun ta marrë islamin prej teje, në mënyrë praktike gjatë qëndrimeve të tua, të cilat kurrë nuk do i harrojë.
Veç kësaj, ti duhet të jesh model i mirë në zellin për të mësuar dhe rezultatet e larta. Është jo logjike që një student i dobët, të ftojë një student shembullor dhe të dalluar në rang shkolle. Nëse arrin të bëhesh model i mirë, të jesh i sigurt se askush nuk do të guxojë të tallet dhe të ironizojë. Përkundrazi, të gjithë do të ndjekin gjurmët e tua dhe do të duan të jenë miqtë dhe shokët e tu. Kjo, sepse ti je shembull dhe model për ta. Në këtë rast, marrëdhëniet e kanë kapërcyer cakun e fjalëve drejt kontakteve dhe komunikimit.
Së treti, mos harro se nuk je i vetëm në këtë fushë dhe logjika e monopolizimit nuk ka vlerë në rrugën e ftesës. Prandaj, mundësojua shokëve të mirë, të afrohen me personin në fjalë. Ka shumë mundësi që njëri prej tyre, t’i përshtatet prirjeve dhe zemrës së shokut tënd, më shumë se ç’mund t’u përshtatesh ti. Kështu, ai mund të jetë i suksesshëm në një projekt në të cilin ti dështove. Kjo nuk i cenon aspak vlerat dhe aftësitë e tua. Zoti i ka krijuar njerëzit të ndryshëm. Vetë i dërguari i Zotit a.s thotë:”Shpirtrat janë si ushtarët e mobilizuar. Ata që u puqen karakteret, miqësohen me njëri-tjetrin. Sakaq, ata që kanë karaktere të ndryshme, veçohen.” (Buhari, Muslimi)
Prandaj, kërko një shok me të cilin të puqen karakteret dhe mund të miqësohesh.
Së katërti, nëse vazhdon të të refuzojë dhe ironizojë, zhbiro veten tënde që të zbulosh çfarë i bën të sillen në atë mënyrë me ty. Madje, gjithmonë kujto faktin se nuk mund të jesh më i mirë se profetët, të cilët janë tallur dhe ironizuar, për shkak të besimit. Mos harro se sevapin e ke të garantuar sido që të jetë, i përgjigjen ftesës tënde apo jo. Thotë Zoti në Kuran:”Të dërguarit nuk obligohet më shumë se t’ua përcjellë mesazhin”
Së fundmi, uroj të mos e neglizhosh as shokun e shokut tënd, pasi ai ndikon negativisht. Duke i folur atij për fenë, ul influencën e tij negative tek shoku yt. Ai mund ta pranojë ftesën tënde dhe Zoti mund t’ia hapë zemrën. Me kalimin e kohës mund të shndërrohet në ftues dhe kështu fiton sevapin e të gjithë atyre që ai fton në islam.
E lus Zotin të japë sukses, të ndihmojë dhe udhëzojë drejt më të mirës! Zoti ta shpërbleftë me të mira për mundin që bën për të përhapur islamin!
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit