-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çelësat e suksesit gjatë studimeve

Më të lexuarat

Suksesi dëshirohet nga kushdo. Realizimi i tij gjatë studimeve konsiderohet një ndër synimet parësore të çdo studenti. Për çdo sukses ka një çelës, një filozofi, hapa të cilave u duhet kushtuar një rëndësi e veçantë, ndaj dhe suksesi është bërë një lloj diturie dhe mjeshtërie në vete.

Çelësat për sukses gjatë studimeve janë të shumta, ndër to mund të përmendim:

Ambicia e lartë: Nuk mund të arrijë sukses ai që s’ka ambicie. Ndaj, ambiciet e larta janë thesar pa të cilin nuk bën. Bëhu ambicioz dhe shiko drejt gjërave të larta. Umer b. Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, flet rreth ambicieve të veta duke thënë: “Kam zemër të etur, zemra ime ka shpresuar qeverisje dhe e ka arritur, ka shpresuar udhëheqje (kalifat) dhe e ka arritur, ndërsa tani jam i etur për xhenet dhe shpresoj se do ta arrij.”

Dhënia shpërblehet me fitim: Suksesi kërkon punë, angazhim, seriozitet, sakrificë, durim. Kush i bashkëngjit ambicieve të veta durimin, angazhimin dhe seriozitetin, s’ka dyshim se do të korrë sukses dhe fryte. Ndaj, puno, angazhohu dhe sakrifiko për arritjen dhe realizimin e suksesit, të synimeve dhe të ambicieve të tua. Kush mbjell, do të korrë.

Ndrysho mendimin për veten: Njeriu zotëron mundësi të mëdha, energji të fshehura dhe ka nevojë për largimin e përtacisë. Ti ke mundësi dhe energji më shumë sesa mund të imagjinosh, je shumë më i aftë sesa mendon. Fshiji fjalët negative, si për shembull: “S’kam mundësi.” Por, gjithmonë përsëriti fjalët: “Meritoj më tepër se kjo, unë jam i shkëlqyer, unë kam mundësi…”

Suksesi qëndron në krijimin e tij: Mendo për suksesin, duaje atë. Suksesi është një ndjenjë. I suksesshmi e nis udhëtimin e vet duke e dashur suksesin dhe duke menduar për të. Mendo, duaje dhe filloje udhëtimin tënd drejt synimeve të tua. Kujto: Suksesi gjithmonë fillon nga ana psikologjike e individit, ndaj beso se do të arrish sukses – me ndihmën e Allahut- në mënyrë që vërtet ta arrish atë. Të suksesshmit nuk arrijnë sukses duke ndenjur dhe duke e pritur atë, as nuk besojnë se ai është një rast fati, mirëpo e krijojnë me punë, angazhim, seriozitet, dashuri për të, me shfrytëzimin e rasteve dhe me mbështetje në veten e tyre për atë që bëjnë.

Dështimi është vetëm një rast dhe provë: Mos e ki frikë dështimin, por shfrytëzoje atë, në mënyrë që të marrësh mësim drejt suksesit. Askush s’ka arritur sukses pa përfituar dhe mësuar nga shkolla e dështimit. Edisoni, zbuluesi i energjisë elektrike, ka bërë 1800 prova dështuese para se të realizonte projektin e vet të shkëlqyer dhe s’është dëshpëruar pas përpjekjeve dështuese, por i konsideronte si mësim nga të cilat ka mësuar rregulla shkencore dhe ka përfituar prej tyre përpjekje të cilat e kanë çuar drejt zbulimit të energjisë elektrike.
Kujto gjithmonë: I vetmi që nuk dështon është ai i cili nuk vepron. Nëse nuk dështon, nuk do ta arrish atë që do. Dështimi është rast dhe përvojë. Mos ki frikë nga dështimi dhe mos lejo që të të godasë zhgënjimi nga ndonjë përpjekje dështuese.

Mbushe zemrën tënde me besim (iman) dhe shpresë: Besimi (imani) është esenca e çdo suksesi, është drita që ndriçon rrugën. Besimi të jep energji, është pikënisje drejt suksesit dhe lëndë që të shtyn drejt suksesit. Udhëtimi i suksesit fillon me shpresë e pastaj vazhdon me angazhim dhe përpjekje.

Zbulo talentet (zotësitë) e tua dhe përfito prej tyre: Çdo njeri ka talente dhe aftësi, për të cilat duhet punë dhe angazhim që të zbulohen dhe të zhvillohen.

Studimet janë kënaqësi… rrugë drejt suksesit: Periudha e studimit është një ndër periudhat më të këndshme në jetën e njeriut. Këtë e kupton vetëm ai që e ka kaluar këtë etapë të jetës së vet. Nuk mund të krahasohet asnjë kënaqësi tjetër në jetë me këtë, e veçanërisht kur kjo shoqërohet me adhurim (ibadet) ndaj Allahut të Lartësuar. Kërkuesi i diturisë është rob i Allahut. Sa kënaqësi e këndshme është kënaqësia e diturisë me atë të adhurimit! Kjo kënaqësi është edhe më e madhe atëherë kur kurorëzohet me sukses.
Të suksesshmit gjithmonë besojnë në veten e tyre, në aftësitë e tyre për sukses. Vetëbesimi në sukses do të thotë futja jote në betejën e suksesit, ndërsa ai që nuk ka vetëbesim do të jetë i mundur në këtë betejë. Suksesi dhe përparësia është e ndërlidhur 99% me angazhimin, përpjekjen, sakrificën, ndërsa vetëm 1% me frymëzimin. Madje ajo që e arrijmë jo përmes angazhimit dhe lodhjes, nuk ka vlerë.

Autori: Mustafa Ebu Sa’d

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit