Ç’ndodhi në një park të Berlinit në 2019-ën
Ministria e Jashtme e Rusisë hodhi poshtë të enjten “pretendimet e pabaza” se autoritetet ruse ishin të përfshira në vrasjen e një ish-luftëtari çeçen në parkun e Berlinit 2019, raportoi Reuters.
Një gjykatë gjermane dënoi të mërkurën me burgim të përjetshëm një shtetas rus 56-vjeçar për vrasjen e një gjeorgjiani me origjinë çeçene në një park të Berlinit më shumë se dy vjet më parë, me urdhër të autoriteteve ruse.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se vendimi ishte i motivuar politikisht dhe se Moska do të merrte “masat e duhura” për t’u hakmarrë kundër vendimit të Gjermanisë për të dëbuar dy diplomatë të saj.
Vrasja ndodhi më 23 gusht 2019 në parkun “Kleiner Tiergarten” në Berlin. Prokurorët thanë se ishte hakmarrje për pjesëmarrjen e shtetasit gjeorgjian në Luftën e Dytë Çeçene dhe “armiqësinë e tij ndaj shtetit rus”.
Gjeorgjiani 40-vjeçar i vrarë ishte me origjinë çeçene dhe jetonte në Gjermani që nga fundi i vitit 2016 si azilkërkues.
Ky vendim ka të ngjarë të tensionojë më tej marrëdhëniet gjermano-ruse. Pas vrasjes, qeveria gjermane akuzoi Rusinë për mosbashkëpunim në hetim dhe ndërkohë dëboi dy punonjës të ambasadës ruse në Berlin.
Presidenti rus Vladimir Putin e quajti “bandit” dhe “vrasës” gjeorgjianin e vrarë, i cili thuhet se ka luftuar në anën e separatistëve në Çeçeni. /tesheshi.com/