2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Çavuşoğlu: Me forcimin e sigurisë, rrisim edhe investimet në Shqipëri

Më të lexuarat

Ministri i jashtëm i republikës së Turqisë Z. Mevlüt Çavuşoğlu në një intervistë për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin News24 flet për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Turqisë, raportet historike mes dy vendeve, investimet turke, bashkëpunimin tregtar, diasporën shqiptare në Turqi, vizitën e pritshme të presidentit turk Erdogan në Tiranë, por edhe elementet e Feto-s në Shqipëri, organizatë që konsiderohet terroriste nga Ankaraja.

Shefi i diplomacisë turke nënvizon se Turqia dhe Shqipëria kanë një histori të përbashkët, qytetërim të përbashkët, kulturë të përbashkët dhe se ato duhen mbajtur gjallë, duke ua transmetuar brezave të rinj.

Zoti ministër, është vizita juaj e parë zyrtare në Shqipëri. A i ka përmbushur ajo pritshmëritë tuaja dhe cilat janë rezultatet e saj?

Ne kemi lidhje të fuqishme me Shqipërinë, lidhje që i kanë rrënjët në histori. Gjatë kësaj vizite vlerësuam marrëdhëniet tona dhe si të mund t’i zhvillojmë më tej ato. Kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrin e Punëve të Jashtme, vëllain tim Ditmir Bushati. Kemi një bashkëpunim të ngushtë si në NATO ashtu edhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, kulturore, si dhe në fusha të ndryshme si arsimi, shëndetësia etj janë në fokusin tonë. Në Shqipëri kompanitë turke kanë investime serioze, me shifra të konsiderueshme. Do të vlerësojmë edhe mundësitë për rritjen e këtyre investimeve, për arritjen në një miliard dollarë të vëllimit tregtar midis të dy vendeve, do të përcaktojmë hapat që do të të hedhim në të ardhmen në kuadrin e këtij procesi. Vizita ime në të njëjtën kohë ka një karakter përgatitor për vizitën edhe të Presidentit tonë. Në të ardhmen Presidenti ynë dëshiron të vizitojë Shqipërinë.

Çfarë temash keni ngritur me autoritetet shqiptare?

Ekonomia është një prej tyre, edhe tregtia, investimet e këtushme, situata e kompanive tona dhe çfarë mund të bëjmë në fushën e arsimit. Ju e dini se Fondacioni Maarif ka marrë Universitetin e New York-ut në Tiranë. Hapja e shkollave të reja, kompanitë tonë kanë investime për të bërë për spitalet dhe në fushën e shëndetësisë. Në takimet tona trajtojmë edhe shumë çështje që u interesojnë të dy vendeve si ndërtimi i aeroportit, bashkëpunimi midis Turkish Airlines dhe Air Albania. Edhe çështjet rajonale janë në vëmendjen tonë.

Si i shikoni marrëdhëniet diplomatike, historike dhe kulturore midis Turqisë dhe Shqipërisë?

Marrëdhëniet tona diplomatike janë në nivel të përkryer, nuk ka asnjë problem. Lidhjet tona kulturore mbështeten në histori. Shikojmë se me të vërtetë lidhjet kulturore midis Turqisë dhe Shqipërisë janë shumë të fuqishme. Edhe në periudhën osmane shqiptarët kanë pasur pozicione të rëndësishme që kanë orientuar politikat tona. Përshembull ka pasur shumë vezirë me origjinë shqiptare. Edhe sot në Turqi ka shumë shtetas tanë me origjinë shqiptare. Ata kanë ardhur edhe më vonë dhe janë sistemuar në Turqi. Ka lidhje shumë serioze midis popujve tanë, kemi një histori të përbashkët, qytetërim të përbashkët, kulturë të përbashkët. Prandaj duhet t’i mbajmë të gjalla, t’ua transmetojnë brezave të rinj, duhet t’i fuqizojmë më tej ato.

Sa e rëndësishme është diaspora shqiptare e Turqisë në hartimin e strategjive politike turke për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin?

Shqiptarët që banojnë në Turqi kanë orientuar politikën, diplomacinë dhe ekonominë tonë jo vetëm pas themelimit të Republikës së Turqisë, por edhe më parë, që në periudhën osmane. Shtetasit tanë me origjinë shqiptare dhe miqtë tanë shqiptarë që jetojnë sot në Turqi kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së Turqisë, kontribuojnë edhe në pasurimin e kulturës turke. Ata janë të pranishëm edhe në disiplina të ndryshme të sportit turk. Ne jemi të lumtur që sportistë shqiptarë, jo vetëm ata që banojnë në Turqi, por edhe në Shqipëri, janë pjesë e ekipeve të ndryshme turke në futboll dhe në basketboll.

Shqipëria doli një vend i varfër pas regjimit komunist dhe natyrisht investimet e huaja, veçanërisht investimet nga Turqia, një vend që konsiderohet si një aleat i ngushtë, janë të nevojshme. Cili është niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik midis Turqisë dhe Shqipërisë?

Siç u shpreha edhe në fillim, marrëdhëniet tona ekonomike janë në nivel të mirë, por e dimë se potencialet janë më të mëdha. Niveli i tanishëm nuk pasqyron plotësisht potencialet midis të dy vendeve. Vëllimi tregtar është 500 milionë dollarë, synojmë të arrijë në një miliard dollarë. Këtë shifër mund ta arrijmë lehtësisht. Natyrisht për këtë duhet të përditësojmë edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, kjo do të jetë në të mirë të të dy vendeve. Gjithashtu edhe investimet e kompanive turke në Shqipëri vazhdojnë të rriten, i kanë kaluar 2,5 miliardë dollarët.

Sa më shumë Shqipëria përmirëson klimën për investimet dhe sa më shumë forcohet siguria, aq më shumë edhe kompanitë tona i shtojnë investimet. Pas shembjes së regjimit komunist, Shqipëria ka hedhur hapa shumë seriozë për të reformuar vendin. Siguria për investimet është shumë e rëndësishme dhe duke u rritur kjo siguri, do të rriten edhe investimet tona. Edhe kur kanë probleme, kompanitë tona këto probleme mund t’ua përcjellin qetësisht autoriteteve shqiptare. Edhe ne me kolegët tanë shqiptarë diskutojmë për problemet e kompanive turke. Synimi ynë është fuqizimi i ekonomisë shqiptare, rritja e mëtejshme e investimeve tona dhe arritja e objektivave në tregtinë midis të dy vendeve.

Turqia është përballur së fundmi me një krizë serioze financiare si rezultat i tarifave shtesë amerikane dhe sanksionet e SHBA për dy ministra turq. A do të ndikojë kjo situatë në investimet turke në Shqipëri, siç është Aeroporti i Vlorës?

Ekonomia jonë është dinamike dhe e fuqishme. Sistemi ynë bankar është i fuqishëm, sistemi ynë financiar është i fuqishëm, asnjëherë nuk kemi shkelur disiplinën financiare. Po kështu të fuqishme janë edhe rezervat e Bankës Qëndrore. Kohët e fundit pati një agresion ekonomik ndaj Turqisë, sidomos pati sulme tepër seriozë përsa i përket kursit të këmbimit. Pati institucione të tjera, edhe vende të ndryshmë që ë shfrytëzuan acarimin që patëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veçanërisht për kursin e këmbimit pati ngritje dhe zbritje. Por falë masave që morëm dhe fuqisë së sistemit tonë në mundësuam ekuilibrin dhe tani gjithçka po ecën në rrugë të mbarë. Natyrisht që duke nxjerrë mësime duhet të forcojmë më tëj sistemin tonë.

Vitin e kaluar rritja ekonomike ishte 7,4 për qind, në tremujorin e parë të këtij viti përsëri ishte 7,4 për qind, në tremujorin e dytë më shumë se 5 për qind. Mesatarja vjetore do të jetë 5 për qind. Eksportet tona rriten vazhdimisht, edhe prodhimi industrial vazhdon të rritet. Ka rritje edhe në investimet e huaja në Turqi. Ato që kaluam ishin kriza kalimtare. Kemi kapërcyer shumë pengesa. Gjatë këtyre 16 vjetëve të fundit në rajonin tonë gjeografik ka pasur ngjarje të rënda, në Europë ka pasur krizë, shumë vende përreth nesh kanë pësuar goditje, ndërsa Turqia ka përparuar pa pasur shumë dëme. Ne do t’i kapërcejmë vështirësitë dhe dhe do të ecim më hapa të sigurt në rrugën tonë. Askush të mos shqetësohet për këtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit