0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Çavusoglu: Evropianët i kuptuan gabimet, tani kërkojnë ndreqjen e marrëdhënieve

Më të lexuarat

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi mbrëmjen e të premtes nga Malta se vendet evropiane i kanë kuptuar tashmë gabimet e tyre kundër Turqisë dhe po kërkojnë ndreqjen e marrëdhënieve…

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi mbrëmjen e të premtes nga Malta se vendet evropiane i kanë kuptuar tashmë gabimet e tyre kundër Turqisë dhe po kërkojnë ndreqjen e marrëdhënieve.

I pranishëm në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në La Valetë, njohur ndryshe edhe si formati i diskutimeve strategjike “Gymnich”, Mevlut Çavusoglu konfirmoi se homologët e tij evropianë kanë vendosur për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Turqinë.

Marrëdhëniet Ankara-Bruksel ishin një nga pikat më të rëndësishme të agjendës së këtij takimi.

“Evropianët i kanë kuptuar gabimet e tyre kundrejt Turqisë dhe tashmë po pyesin sesi mund t’i ndreqim marrëdhëniet tona”, tha Çavusoglu.

Shefi i diplomacisë turke nënvizoi se evropianëve ua ka thënë haptazi, ndonjëherë edhe përplasur në fytyrë, të gjitha gabimet e tyre.

“Në këtë takim kam parë një atmosferë pozitive, por gjithashtu vërejta se kanë kuptuar edhe gabimet e tyre; sigurisht, nëse janë të sinqertë. U thash atyre që raportuesit evropianë kanë marrë pjesë në fushatën ‘Jo’ për reformën kushtetuese, e cila përfshin edhe tranzicionin në sistemin qeverisës presidencial, votuar në referendumin e 16 prillit, ndërkohë që kanë mbështetur edhe organizatën terroriste PKK”, sqaroi Çavusoglu, që në kryeqytetin maltez pati takime me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, eurokomisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.

Bashkimi Evropian – potencoi ai – duhet ta shikojë Turqinë si një partner të barabartë.

“Nëse doni dialog dhe bashkëpunim, atëherë këto duhet të jenë të sinqerta, reale dhe larg standardeve të dyfishta”, përfundoi ministri Çavusoglu.

Kurse përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, deklaroi në konferencë shtypi pas takimit në fjalë se Unioni respekton vullnetin e popullit turk dhe rezultatin e votimit plebishitar të 16 prillit në Turqi.

“Ne njohim dhe respektojnë të drejtën e çdo vendi, përfshi këtu edhe Turqinë, për të vetëvendosur në lidhje me sistemin e drejtimit të shtetit”, tha Federica Mogherini.

Më tej, ajo u ndal mbi marrëdhëniet BE-Turqi dhe procesin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Union.

“Nga perspektiva e BE-së, mund të themi se negociatat për anëtarësim janë duke vazhduar. Ato nuk janë ngrirë, as nuk janë pezulluar. Takimi ishte shumë i dobishëm, i frytshëm, konstruktiv dhe i rëndësishëm. Patëm rastin të realizojmë bisedime të sinqerta dhe të hapura me Turqinë. Me shtetet anëtare të BE-së kemi biseduar për situatën aktuale të Turqisë dhe për marrëdhëniet tona në të ardhmen. Turqia nuk është vetëm një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëherësh edhe një partner strategjik”, theksoi ndër të tjera shefja e diplomacisë evropiane.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit