-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Çavusoglu: Boshti Turqi-Iran-Katar nuk ekziston, i shohim njësoj të gjitha vendet islame

Më të lexuarat

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi mëngjesin e së martës se nuk ekziston “boshti Turqi-Iran-Katar”, pasi vendi i tij i shikon njësoj të gjitha shtetet islame dhe ua thotë në sy gabimet atyre që nuk veprojnë drejt…

 

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi mëngjesin e së martës se nuk ekziston “boshti Turqi-Iran-Katar”, pasi vendi i tij i shikon njësoj të gjitha shtetet islame dhe ua thotë në sy gabimet atyre që nuk veprojnë drejt.

Pjesë e delegacionit shoqërues të Presidentit Recep Tayyip Erdogan gjatë turneut të vizitave në Afrikë, Mevlut Çavusoglu realizoi një takim kokë më kokë me homologun e tij sudanez, Ibrahim Ghandour.

Në fund të takimit, dy ministrat iu përgjigjën interesit të gazetarëve në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Shefi i diplomacisë turke, që i kërkoi homologut sudanez të marrë fjalën pas pyetjes së një gazetari “nëse Hartumi zyrtar ishte kthyer me fytyrë nga boshti Turqi-Iran-Katar”, vuri në pah se nuk pajtohet me përkufizimin e bërë nga ana e gazetarit.

“Boshti Turqi-Iran-Katar nuk ekziston”, tha Çavusoglu duke rikujtuar se Turqia mban presidencën e radhës së samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

“Turqia i shikon njësoj të gjitha vendet islame dhe ua thotë në sy gabimet atyre që nuk veprojnë drejt. Ne jemi shteti që e ka kritikuar Iranin më shumë në lidhje me Sirinë dhe Irakun. Tani ne jemi shumë më afër me Sudanin. Mos do të thotë kjo se kemi një bosht me Sudanin? Prandaj mos u bëni instrument i këtyre provokimeve”, shtoi ai.

I pyetur se si i vlerëson ai “përpjekjet e shtypit egjiptian për të nënvlerësuar rëndësinë e vizitës së Presidentit Erdogan në Sudan”, ministri Çavusoglu theksoi se Turqia dëshiron të kontribuojë për të siguruar unitetin e botës islame.

Siç e pamë edhe në rastin e Jerusalemit – vijoi ai – ne kemi nevojë për këtë sot më shumë sesa kurrë.

“Halli ynë s’është të përçajmë botën islame. As të shkaktojmë kaos ndërmjet vendeve islame, sikurse veprojnë disa. Qëllimi ynë nuk është të nxjerrim kriza ndërmjet shteteve dhe as t’u shesim të tjerëve kauzën Jerusalem-Palestinë. Turqia dëshiron të kontribuojë për të siguruar unitetin e botës islame. Shumica dërrmuese e popullit vëlla të Egjiptit është e kënaqur nga kjo vizitë. Kush do të gëzohet, le të gëzojë; ndërsa kush xhelozon, le të plasë nga inati”, vlerësoi kryediplomati turk.

Çavusoglu nënvizoi më tej se Turqia do të dërgojë ndihma në Sudan, do të rriten shkëmbimet tregtare përmes botëkuptimit reciprok fito-fito, si dhe do të shtohen investimet e kompanive turke në këtë vend.

Falë këtyre nismave – sqaroi ministri i Jashtëm turk – do të rriten edhe eksportet e firmave sudaneze.

Ai siguroi gjithashtu se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të vazhdojë jetësimin e projekteve të rëndësishme në Sudan.

Ndërsa ministri sudanez i Punëve të Jashtme, Ibrahim Ghandour, tha se vendi i tij mbështet paqen, stabilitetin dhe nuk mban anë kurrë në asnjë konflikt.

“Sudani është bashkë me vëllezërit e tij në Afrikë. Sudani është pranë gjithë popujve të botës”, shtoi ai.

Ghandour potencoi se marrëdhëniet turko-sudaneze bazohen në ndjenjën e dashurisë së ndërsjellë.

“Marrëdhëniet do të transformohen në një raport me nivel maksimal, ku do mund të punojmë më fuqishëm në dobi të popujve të dy vendeve tona”, u shpreh shefi i diplomacisë sudaneze.

Sa i takon pyetjes në lidhje me “përpjekjet e shtypit egjiptian për të nënvlerësuar rëndësinë e vizitës së Presidentit Erdogan në Sudan”, Ghandour komentoi se jo të gjitha mediat egjiptiane, por vetëm një pjesë e tyre janë duke mbajtur një qëndrim të tillë.

“Disave u nevojitet të mësojnë se si duhen menaxhuar marrëdhëniet ndërmjet shteteve”, tha ministri sudanez i Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, Ghandour tërhoqi vëmendjen se rritja e vëllimit tregtar dypalësh midis Turqisë dhe Sudanit në 10 miliardë dollarë brenda pesë viteve nuk është një ëndërr.

“Kjo është një strategji për të cilën do të punojnë fuqishëm të dyja vendet”, vlerësoi ai.

Ibrahim Ghandour tha se vizita e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me një delegacion biznesmenësh e zyrtarësh të lartë në Sudan, jo vetëm që i forcon lidhjet ekzistuese mes dy vendeve, por njëkohësisht shënon fillimin e një epoke të re.

Ai nënvizoi se ministrat përkatës sudanezë dhe turq do të monitorojnë nga afër progresin në objektivin prej 10 miliardë dollarësh dhe shtoi vendi i tij ofron shanse të mëdha për biznesmenët turq.

“Vendi im ka burime të mëdha bujqësore, ujore, blegtorale, minerale, nafte dhe gazi. Do të gjeni çfarë t’ju vijë në mendje. Është fqinj i COMESA-s (Tregu i Përbashkët për Afrikën Lindore dhe Jugore) me një popullsi prej 600 milionë banorësh. Sudani është një vend me potencial shumë të lartë”, përfundoi Ghandour.

Kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të dielën se duhet të ndërmerren hapa të përshtatshme për të rritur vëllimin tregtar ndërmjet Turqisë dhe Sudanit fillimisht në 1 miliard dollarë dhe pastaj në 10 miliardë dollarë.

Sipas Institutit Turk të Statistikave (TUIK), vëllimi tregtar aktual mes dy vendeve është rreth 500 milionë dollarë.

Eksportet e Turqisë në Sudan arritën në 328,5 milionë dollarë gjatë periudhës janar-tetor 2017, ndërsa importet nga ky vend ishin 78,3 milionë dollarë.

Firmat turke në Sudan operojnë në sektorë të rëndësishëm si prodhimi, industria, energjetika, shërbimet, bujqësia dhe makineritë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit